Fermerët në RMV: Pulat e fshatit janë rezistente ndaj virusit H5N1

    Fermerët nuk druajnë nga përhapja e gripit të shpezëve te ne. Ata thonë se pulat e fshatit janë rezistente nga virusi H5N1. Disa thonë se i vaksinojnë shpezët, ndërsa tregtarët që ushtrojnë këtë veprimtari thonë se i posedojnë licencat adekuate. Ndryshe nga fermerët, te veterinerët ekziston frika se përhapja e gripit të shpezëve mund të shkaktojë epidemi duke u përhapur edhe tek njerëzit.

    “Ne që vetë prodhojmë nuk kemi pasur problem nga ai gripi i shpezëve. I kemi vaksinuar pulat por janë të shtëpisë ushqehen bio dhe janë me të qëndrueshme dhe rezistente ndaj çfarëdolloj të sëmundjeve, pavarësisht cili është.”

    “Për të fshatit s’ka problem, për këto tjerat që rrinë mbyllur në kotec e nuk i kap dielli mund të kenë problem. A i vaksinoni me veterine? Jo, jo! Shteti as nuk të ndihmon as nuk të le të shesësh.”

    “Po si nuk janë të shëndetshme, ato vezë janë natyrale, pula nuk është e ushqyer me koncentrat artificial.”

    Nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë thonë se aktualisht nuk është konstatuar asnjë rast me grip të shpendëve. Agjencia monitoron në baza ditore situatën e sëmundjes në vendet fqinje, rajon, Evropë dhe botë dhe merr masat e duhura në kohë për të parandaluar shfaqjen dhe përhapjen e saj në vendin tonë.

    “Pas paraqitjes së dy rasteve të izoluara të shpendëve të egër të infektuar në shkurt të këtij viti në Shtip dhe Shkup në përputhje me procedurat e përcaktuara operative janë intensifikuar mbikëqyrjet dhe masat e kontrollit në rast të sëmundjeve te kafshët, për parandalimin e përhapjes së sëmundjes, e cila deri më tani nuk është evidentuar më tej, as në popullatën e zbutur dhe as te shpendët e egër”, thonë nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë

    Gripi i shpendëve është një virozë që prek kryesisht zogjtë, por mund të prekë edhe njerëzit, më së shpeshti ata që kanë qenë në kontakt me shpendët e infektuar për një kohë të gjatë. 

    Lajmi Paraprak

    LIGJI PËR NDRYSHIMIN E GJINISË – Aktivistët kërkojnë të votohet sa më parë në Kuvend

    Lajmi i rradhës

    Dita Ndërkombëtare e Ujit | Në RMV ka vende që vuajnë nga mungesa e ujit të pijshëm

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë