Filloi pastrimi i ish-fabrikës “Treska” | Hapet rruga për ndërtimin e objekteve shumëkatëshe

    Filloi pastrimi i ish fabrikës “Treska”, një pjesë e së cilës u përfshi nga flakët pesë muaj më parë. Sipas autoriteteve lokale godinat e vjetra do të prishen tërësisht, pasi janë jofunksionale dhe përmbajnë materi të dëmshme ekologjike.

    Pastrimi dhe rrënimi hap rrugën për investitorët të cilët për një kohë të gjatë kërkojnë që të ndërtojnë objekte shumëkatëshe, plan të cilin pushteti aktual e kritikonte vazhdimisht derisa ishte në opozitë. I pyetur nëse do të ndalohet ndërtimi sipas planit të vjetër urbanistik, të cilin LSDM e ka kundërshtuar vazhdimisht derisa ishte në opozitë, kryetari i Komunës Qendër, Goran Gerasimovski deklaroi se po bëjnë përpjekje të vazhdueshme për ndryshim, por nuk garantoi se nuk do të japë leje për ndërtim ashtu siç parashikon plani i miratuar shumë vite më parë.

    “Ai Plan Urbanistik për momentin është i vlefshëm. Bëjmë përpjekje që sa më shpejtë të miratojmë Plan të ri Urbanistik. Nëse nuk miratohet atëherë patjetër ta respektojmë ligjin. Kemi 15 kërkesa për krijimin e parcelave dhe janë 4 kërkesa për ndërtim”, tha Goran Gerasimovski, kryetar i Komunë Qendër.

    Gerasimovski tha se për momentin, Komuna Qendër do të vëzhgojë pastrimin e ish-fabrikës “Treska“, pasi i njëjti bëhet nga vetë pronarët e objekteve. Sipas tij në komunë kanë mbërritur 36 kërkesa për largimin e objekteve, nga të cilat deri më tani janë miratuar 13.

    “Për pastrimin e hapësirës, pronarët e objekteve kanë angazhuar edhe kompani private për vëzhgim e cila do të japë logjistikë për largim të sigurt të asbestit dhe mbeturinave të shkaktuara para dhe pas zjarrit. Fillimisht do të largohen mbeturinat e rrezikshme, çatitë nga asbesti, më pas do të prishen objektet e vjetra dhe do të largohen mbeturinat e tyre. Në fund në të gjithë hapësirën do të bëhet dezinsektim dhe dezinfektimi”, u shpreh Goran Gerasimovski, kryetar i Komunë Qendër.

    Për disa vite me radhë, në vendin e ish-fabrikës “Treska” planifikohet që të ndërtohen objekte shumëkatëshe për banim. Paralajmërimi shkaktoi reagime të ashpra tek banorët e Komunës Qendër, të cilët kundërshtojnë “betonizimin” e qendrës së kryeqytetit. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    “E papranueshme sjellja jonjerëzore e EVN-së”

    Lajmi i rradhës

    Themelohet Komisioni për përgatitjen e aplikimit për anëtarësim në BE

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë