Fillon gara parlamentare, edhe pesë ditë fushatë presidenciale

    Fushata për zgjedhjet parlamentare fillon sot me aktivitete të partive dhe koalicioneve për prezantimin e programeve zgjedhore dhe kandidatëve për deputetë në gjashtë njësitë zgjedhore. Aktivitete do të ketë edhe për fushatën për zgjedhjet presidenciale e cila do të zgjasë edhe pesë ditë.

    Koalicioni “E ardhmja Evropiane” e udhëhequr nga LSDM-ja e fillon fushatën parlamentare me aktivitetin “Nuk heqim dorë nga e ardhmja” në Shkup, ndërsa tubime do të ketë edhe në Demir Kapi dhe Gjevgjeli. Aktivitete do të ketë edhe kandidati për president Stevo Pendarovski. VMRO-DPMNE dhe koalicioni “Maqedonia jote”, nga ana tjetër, tradicionalisht do ta fillojë fushatën me tubim në Ohër, ndërsa do të prezantohet kandidatja për presidente Gordana Siljanovska Davkova.

    Koalicioni “Fronti Evropian” ka paralajmëruar aktivitete në Shkup për seancën konstituive të Kuvendit fitues nga zgjedhjet parlamentare të 8 majit 2024 dhe prezantimin e kandidatit për president Bujar Osmani si dhe tubim qendror në Kumanovë. Tubim në Kumanovë do të mbajë edhe Lëvizja ZNAM dhe kandidati për president Maksim Dimitrievski. Në shtabin e koalicionit VLEN në sheshin Skënderbej në Shkup është paralajmëruar konferencë për media e kandidatit për president Arben Taravari dhe bartësve të listave të kandidatëve për deputetë në gjashtë njësitë zgjedhore.

    Kandidatja presidenciale e partisë E Majta, Biljana Vankovska e vazhdon fushatën për prezantimin e programit zgjedhor me tubim në Veles ku fjalim do të ketë edhe kryetari i Të Majtës dhe bartësi i listës së NjZ1 Dimitar Apasiev dhe bartësi i listës së NjZ 3 Borislav Kërmov. Janë paralajmëruar aktivitete edhe të pjesëmarrësve të tjerë në zgjedhje me lista kandidatësh siç janë koalicioni “Guximshëm për Maqedoninë” që e përbëjnë GROM, PCER dhe Integra, partitë Era Treta, Demokratët, Avaja, Partia juaj, Rodina Maqedoni, Maqedonia e Bashkuar…

    Me nënshkrimin e Kodit për zgjedhje korrekte dhe demokratike, përfaqësuesit e shumicës së partive politike dje u zotuan se do të respektojnë kodin etik dhe nuk do të përdorin gjuhën e urrejtjes në fushatën parazgjedhore.

    “Kodi është konfirmim për zhvillimin demokratik për shoqërinë tonë se të gjithë së bashku obligohemi në parimet e demokracisë. Përmes nënshkrimit të Kodit, nënshkruesit dërgojnë mesazh për zgjedhje korrekte dhe respektim të të gjitha rregullave, ligjeve dhe dispozitave, si dhe respektim të sundimit të drejtësisë dhe shtetit juridik gjatë organizimit të zgjedhjeve“, theksoi kryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Aleksandar Dashtevski.

    Me nënshkrimin, thotë Dashtevski partitë politike obligohen se do ra respektojnë kodin etik dhe nuk do të përdorin gjuhë të urrejtjes në fushatën parazgjedhore.

    Maksim Dimitrievski nga Lëvizja ZNAM – Për Maqedoninë tonë, theksoi se në jehonën e fushatës presidenciale një numër i madh i kandidatëve për Parlament janë përfshirë drejtpërdrejtë folës të cilët bëjnë thirrje për mbështetje për kandidatët presidencialë, pas së cilës e thirri Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve që ta shqyrtojë këtë.

    Përfaqësuesit i koalicionit “Guximshëm për Maqedoninë” Stevço Jakimovski, gjithashtu theksoi edhe mënyrën e financimit shtetëror të fushatës politike. Thotë se ideja e financimit shtetëror të fushatës zgjedhore është të inkurajojë pluralizmin politik dhe jo të financojë vetëm autoritetin kryesor politik dhe opozitën, ndaj theksoi se nuk e ka nënshkruar Kodin.

    Edhe në tubimet e djeshme të kandidatëve për president dominuan porositë për eurointegrimet, ndryshimet kushtetuese, kritikat mes kandidatëve dhe partive.

    Presidenti i vendit dhe pretendent për mandatin e dytë në zgjedhjet e ardhshme presidenciale Stevo Pendarovski, konsideron se në marrëdhëniet ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Evropian ekziston një realizëm i ri politik gjegjësisht se vendi është i vetë bllokuar në rrugën evropiane.

    “Ne fatkeqësisht jemi të bllokuar dhe e dimë pse, partia kryesore opozitare thotë se në asnjë mënyrë nuk votojmë nën diktat bullgar e kështu me radhë. Nëse ky është realizmi i ri, atëherë jemi të vetëbllokuar. Le të shfrytëzojmë sa më shumë nga ky plan i paralajmëruar ambicioz për rritje të Ballkanit Perëndimor në të cilin ka shumë më tepër fonde në dispozicion, derisa opozita të kuptojë se pa ndryshuar Kushtetutën nuk ka anëtarësim në BE dhe derisa të ndodhë kjo le të përdorim të paktën më shumë se ato fonde të cilat janë të destinuara për ata që janë të vetëbllokuar si ne. Gjatë fushatës mund të flasim për diktatet dhe mrekullitë bullgare, se vetëm si bullgarë mund të hyjmë në BE, është thjesht një mantër politike për të mashtruar popullin derisa të vini në pushtet. Pas kësaj do të përballeni me kërkesat e faktorit potencial shqiptar që do t’ju tregojë ndryshime kushtetuese për tre, gjashtë muaj, pastaj do të shkoni në Bruksel dhe atje do t’ju thonë se nuk ka ndryshim në kornizën e negociatave“, tha Pendarovski.

    Duke komentuar qëndrimin e VMRO-DPMNE-së për ndryshimet e Kushtetutës, Pendarovski thotë se kjo bëhet vetëm për shkak të grumbullimit të pikëve politike dhe për këtë me vetëdije po e bllokon procesin integrues.

    Ka diçka specifike në këto zgjedhje, kemi arritur në mur. Ju meritoni një pushtet të përshtatshëm për dinjitetin tuaj, një pushtet nga i cili nuk do të frikësoheni dhe do të turpëroheni, por do të krenoheni, porositi sonte nga Shën Nikolla, kandidatja për presidente të shtetit, e mbështetur nga VMRO-DPMNE dhe partnerët e koalicionit Gordana Siljanovska-Davkova. Ajo iu referua edhe mesazheve që kundërkandidati i saj Stevo Pendarovski i ka dërguar në vitin 2019 dhe tani për hyrjen e vendit tonë në BE, si dhe për Marrëveshjen me Bullgarinë.

    Ajo i theksoi të gjithë fqinjët e numëruar në Kushtetutë, në të drejtën kushtetuese nuk njihet një dukuri e tillë. Ajo vuri në dukje se BE-ja garanton diversitetin dhe jo ngjashmëritë e anëtarëve të saj, por me veton dhe kërkesat nga Bullgaria fqinje, në fakt kërkohen ngjashmëritë.

    Sipas kandidatit të BDI-së, Bujar Osmani, për herë të parë qytetarët kanë dy alternativa që janë kontradiktore -njëra që ofron izolim nga bota dhe oferta që garanton integrim në Bashkimin Evropian për vetëm pesë vjet, ndërsa kandidati i ZNAM Dimitrievski dërgoi porosi se Maqedonia meriton president nga qytetarët të cilët i japin legjitimitet atij që do t’i përfaqësojë dhe mbrojë.

    Fushata për zgjedhjet parlamentare përfundon më 6 maj. Aktivitete për këtë fushatë do të ketë edhe më 23 prill, dita e heshtjes zgjedhore për zgjedhjet presidenciale ku raundi i parë do të mbahet më 24 prill, ndërsa dyti më 8 maj ku do të votohet për deputetë.

    Lajmi Paraprak

    “Asociacioni nuk është parakusht për anëtarësim në Këshillin e Europës”

    Lajmi i rradhës

    “Stori lexohet”, panairi ndryshe i librit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë