Filloristët parapëlqejnë mënyrën digjitale të zhvillimit të mësimit

    Ndërsa çdo ditë e më shumë teknologjia po merr hov në zhvillimin e saj, nxënësit e arsimit fillore duket se po preferojnë mënyrën digjitale të zhvillimit të procesit mësimor. Madje, ata të klasës së katërt, të pestë dhe të gjashtë thonë se platforma arsimi.mk, e krijuar nga Ministria e Arsimit po shërben si një opsion shtesë në përvetësimin e njohurive të reja përmes videove, fotove, ilustrimeve dhe kuizeve të ndryshme.

    “Unë me këtë platformë kam punuar detyra shtëpie, sikur në libër por vetëm në laptop. Kjo më pëlqen mua sepse ka figura që të tregojnë dhe detyrat më duken më interesante”, u shpreh një nxënës.

    “Unë mendoj që ajo është mënyrë e mirë për të na treguar ku kemi gabuar. Kam shikuar video për kafshë dhe shumë gjëra të tjera”, tha një tjetër nxënës.

    Paralelisht me mënyrën e të mësuarit në formë digjitale, nxënësit nuk lënë anash edhe të mësuarit klasik.

    “Ne tash mundemi në laptop të bëjmë detyra por nuk duhet t’i harrojmë librat dhe fletoret”, theksoi një nxënës.

    “Mua më lehtë më vjen të punoj në laptop por nuk duhet t’i harrojmë librat dhe fletoret që i mbajmë çdo ditë në çantë”, tha një tjetër nxënës.

    Mësuesja e shkollës fillore Penko, Hatixhe Topalli është vlerësuar ndër mësimdhënëset më aktive në këtë platformë dhe të mësuarit në formë digjitale. Topalli, përveç përparësive që sjell kjo mënyrë e të mësuarit tha se ka vërejtje në tekstet elektronike, posaçërisht ato të gjuhës shqipe.

    “Sidomos në librat e gjuhës shqipe edhe në librat tjerë, mirëpo te libri i gjuhës shqipe kemi më tepër vërejtje për arsye se nxënësit edhe kur përgjigjen saktë nëse nuk duhet të jetë ndoshta shkronja “ë” aty është e vendosur shkronja “ë” dhe ju del detyra që është gabim. Ndonjëherë duhet ta shkruajnë gabim vetëm se që t’ju del në mënyrë elektronike detyra e saktë..Nuk mendojmë që librat e shtypur të largohen, assesi. Fëmijët që janë pothuajse çdo minutë me telefonat në duar dhe nëpër rrjete të ndryshme sociale, pse mos ta shfrytëzojnë kohën ti punojnë detyrat”, deklaroi Hatixhe Topalli, mësuese.

    Sipas Topallit, tekstet digjitale nuk parashihen nga klasa e parë deri në atë të tretën, me qëllim të që të respektohen rekomandimet pedagogjike që fëmijët në këtë periudhë të zhvillojnë aftësitë e të qëndruarit sa më shumë pranë librit dhe fjalës së shkruar. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Trafik

    Lajmi i rradhës

    Sulmohet mjeku dhe 3 infermiere në spitalin e Strugës

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë