FNA i kërkon Ministrisë së Arsimit që të anulojë konkursin për rektor në Universitetin e Tetovës

    Forumi për Ndryshime në Arsim (FNA) kërkon që të anulohet përkohësisht konkursi për rektor në Universitetin e Tetovës, sepse gara zhvillohet pa tre kandidatët tjerë, Myqereme Rusi, Bashkim Ziberi dhe Dervish Alimi, ndërkohë kandidati Jusuf Zejneli tashmë po zhvillon garën i vetëm, përcjell Nistori.

    “Forumi për Ndryshime në Arsim bën thirrje të anulimit të përkohshëm të konkursit për rektor të Universitetit të Tetovës pas tërheqjes nga gara të tre kandidatëve, Myqereme Rusi, Bashkim Ziberi dhe Dervish Alimi. Derisa universiteti më i madh shqiptar në Maqedoninë e Veriut nuk arrin të sigurojë zgjedhje fer, të lira dhe demokratike – pa presion nga palë të treta, pa përzierje të partive politike, zgjedhje nuk duhet të ketë. I bëjmë thirrje Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe Inspektoratit të Arsimit që veprimi i parë i tyre (sot) të jetë anulimi i këtij konkursi dhe hetimi i çdo parregullsie të mundshme”, thonë nga FNA.

    Sipas tyre, Universiteti i Tetovës meriton një rektor i cili do të punojë për ngritjen e cilësisë në arsim dhe jo për interesat e një grupi të caktuar të njerëzve të cilët tash e më shumë se një dekadë e kanë kapur këtë institucion.

    Ndryshe, kandidatët e dorëhequr u shprehën se qëndrimi i tyre në këtë garë vetëm do të legjitimonte një proces të kapur, të kurdisur dhe me plot presione nga ish-rektori, tani kryetar i senatit, Vullnet Ameti.

    Tre kërkesat e kandidatëve të dorëhequr deri te Qeveria e RMV-së dhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës:

    1. Të shkarkohet kryetari i Senatit, me gjithë senatin, për shkak të vendimeve të jashtëligjshme, të konfirmuara nga Inspektorati i Arsimit të Lartë.

    2. Të shkarkohet UD.Rektori Kushtrim Ahmeti, i zgjedhur në mënyrë të jashtëligjshme, sipas raportit të Inspektoratit të Arsimit të Lartë.

    3. Kërkojmë nga MASh, të caktojë UD.Rektor, apolitik, me kredibilitet moral dhe intelektual që do të udhëheqë procesin e zgjedhjes së organeve të reja të UT-së.

    Ndryshe, Nistori gati një muaj me radhë ka shkruar vazhdimisht për procesin e konkursit për rektor në UT, gjegjësisht parregullsive në konkursin e parë të anuluar, por edhe rrjedhën tashmë të konkursit të dytë. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    LISTA E ZEZË E ShBA | Ahmeti dikur: Nuk kam çfarë u bëj, përhajër u qoftë atyre që do të jenë në këto lista (Video)

    Lajmi i rradhës

    ASh dhe Lëvizja Besa kërkojnë dorëheqjen e Ramiz Merkos nga posti i kryetarit të komunës së Strugës

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë