Fronti opozitar shqiptar: Nxënësit shqiptarë në Veles, viktima të politikanëve shqiptarë në pushtet

    Komunikata e plotë e Alternativës:

    Pas informacionit të konfirmuar se nxënësit shqiptarë të Velesit nuk janë pranuar në gjimnaz dhe janë detyruar të tërhiqen nga aplikimi, AlternAtivA shpreh shqetësimin e saj se Maqedonia e Veriut po kthehet çdo ditë e më shumë në poligon serb për të eksperimentuar me arsimin shqip. Ashtu si në fillimvitet e ’90-ta, kur hapja e një paralele shqipe në një shkollë përbënte lajm vjetor, në Veles kjo po ndodhë në vitin 2023, kur kemi një ministër që identifikohet si shqiptar, kur është në pushtet një parti që disa herë ka pasur ministra shqiptarë të Arsimit dhe një parti tjetër që ka përcaktor “Shqiptare”. Megjithatë, krejt këto nuk mjaftojnë as sa për të hapur një paralele shqipe më shumë në Veles, por edhe në Manastir, ku nxënësit shqiptarë tashmë disa vite mësojnë në gjuhën maqedonase.

    Për neve është e qartë tendenca e autoriteteve komunale, që – duke pamundësuar arsimin shqip – të përzënë sa më shumë shqiptarë nga ato zona ose të asimilojnë sa më shumë shqiptarë që munden dhe ndonëse akt i ligë, është i pritshëm prej tyre, por nuk kemi shpjegim se si ka mundësi që këtë ta lejojë ministri i Arsimit dhe Shkencës, që ka emër shqiptari dhe vjen nga një parti shqiptare. Ky është lajm më i rëndë se mungesa e një paraleleje shqipe në Veles e në Manastir. Sepse, duke u marrë me biznesin e kazinove ose duke u marrë me shpëlarjen e Ramiz Merkos nga lista e zezë, ky ministër dhe kjo parti as që e kanë më mendjen te arsimi shqip dhe te periferitë shqiptare në Maqedoninë të Veriut.

    Shqetësimi i këtillë na detyron të mobilizohemi edhe më shumë, sepse tashmë të gjithë e kemi kuptuar se cili është takati dhe interesi i BDI-së për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut. Prandaj, i bëjmë thirrje Qeverisë së RMV-së, ministrit të Arsimit dhe Shkencës, si dhe autoriteteve komunale të Velesit, që mos ta pengojë arsimin shqip, sepse kështu jo vetëm që e thyejnë kushtetutën dhe ligjin, që secilit qytetar të RMV-së i garantojnë arsim në gjuhën e tij amtare, por shprehin edhe qasje fashizoide ndaj kombit shqiptar në Maqedoni. Ndërsa përbuzja e këtillë i kushton shumë një vendi që aspiron për integrim në Bashkimin Europian. Sidoqoftë, poshtërimi i këtillë i nxënësit shqiptar në RMV flet se ky pushtet i ka ditët e numëruara dhe se po i mbledh plaçkat për të përfunduar në historinë e turpit.

    Nga Lëvizja Demokratike kanë reaguar pasi në gjimnazin “Koço Racin” të Velesit, 20 nxënës shqiptarë kanë mbetur pa u regjistruar për vijimin e shkollës së mesme. Nga ky subjekt politik kërkojnë që ekzekutivi shqiptar të merr masa sa më shpejtë.

    “Kjo është vetëm edhe një dëshmi se urrejtja ndaj shqiptarëve është më e fuqishme se një e drejtë e garantuar që ka të bëjë me arsimimin në gjuhën amtare. Jo vetëm kaq, por nga ky gjimnaz janë larguar edhe katër profesorë shqiptarë, ndërkaq 10 nxënës shqiptarë janë detyruar të regjistrohen në paralelet maqedonase. Me këtë akt, drejtoria e këtij gjimnazi thjeshtë nxënësit shqiptarë i lë në rrugë që të gjinden kush si të mundet. Departamenti i arsimit pranë Lëvizjes Demokratike kërkon reagim të shpejtë të institucioneve përkatëse dhe ndalimin e këtyre veprimeve që dëmtojnë rëndë një shtyllë të indit kombëtar të shqiptarëve, siç është arsimi. Duhet të vihen në lëvizje zëvendëskryeministri Grubi, ministri i Arsimit Shaqiri dhe zëvendësi i tij, Nuhiu, në të kundërtën ata do të jenë përgjegjësit kryesorë për dëmtimin e këtij indi kombëtar. E drejta për të mësuar në gjuhën amtare është e drejtë e garantuar dhe në këtë drejtim nuk mban asnjë arsyetim”, thonë mes tjerash nga LD.

    Lëvizja Besa: Nxënësit shqiptarë në Veles, viktima të politikanëve shqiptarë në pushtet

    Ministri i Arsimit shqiptar (BDI), zëvendës ministri Shqiptar (BDI), Drejtori i Inspektoratit shtetëror për Arsim shqiptar nga Velesi (ASH) dhe nxënësit e Velesit kufizohen të mësojnë shqip.

    Dhe të tre këto funksionarë të BDI-së dhe ASH-së në arsim, edhe pse tash kanë bazë dhe arsye ligjore nuk mund tia marrin kompetencat e Arsimit kryetarit të Komunës së Velesit dhe ta bëjnë të mundur që nxënësit shqiptarë të VELESIT të mësojnë në gjuhën shqipe.

    Por kur duan të vjedhin dhe të kurdisin tenderë, ia marrin kompetencat në mënyrë antiligjore Komunës së Tetovës dhe komunave që nuk i udhëheq BDI ose ASH. Kur janë në pyetje për tu dëmtuar shqiptarët, BDI-ASH dhe funksionarët e tyre janë të gatshëm të shkelin edhe ligjin.

    E kur shqiptarët duhet të mbrohen ministrat e BDI-së dhe ASH-së nuk veprojnë por fshihen nëpër skuta. Këtë e dëshmon më së miri rasti me nxënësit shqiptar në Veles.

    Kjo është BDI-ASH-ja, ky është Jeton Shaqiri dhe ky është Agim Nuhiu. Ky është pushteti aktual i njohur si pushteti “Soravia”, që shitet si pro evropian a në esencë është pro tenderë dhe anti shqiptar.

    Lëvizja BESA kërkon urgjentisht që të zgjidhet problemi me nxënësit shqiptarë të Velesit, përndryshe ministri i Arsimit të ja marrë kompetencat kryetarit të komunës dhe të veprojë në emër të tij dhe t’a zgjidh problemin me paralelet shqipe. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Dhuna ndaj mësuesve në Gjermani

    Lajmi i rradhës

    Çfarë mund të bëni ju që fëmija mos ta lagë shtratin natën

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë