Fruta dhe perime nuk gjen as për ilaç | Qytetarët: Tregtarët shohin vetëm interesin e tyre

    Tezgat e markteve që rëndom shiten frutat dhe perimet janë gati të zbrazëta në çdo pikë shitje në Shkup. Produktet stinore të importuara që janë të përfshira në masat e shtetit nuk mund ti gjesh nëpër markete. Domate dhe tranguj prej 95 denarëve nuk gjen as për ilaç, e lërë më për një sallatë shope gjatë festave. Qytetarët shprehen të indinjuar nga tregtarët, të cilët nuk hezitojnë as për festat fetarë të shohin vetëm interesin e tyre. Nga ana tjetër, thonë se shteti me këto masa la bosh tryezat e tyre përgjatë këtij muaji.

    “Nuk dihet kush ka faj, por nuk është mirë kjo situatë. Ne të moshuar të ngarendim në çdo shitore dhe nuk mund të gjesh gjërat elementare për ti blerë.”

    “Ne kërkuam fasule, nuk kishte në asnjë shitore, hiç aspak! Duhet të gjejmë prej këtyre në trotuar që shesin të moshuarit nga fshati.”

    “Dikush po thotë se importuesit kanë faj, nuk mund të blejnë më lirë se 70 denarë, dhe me atë çmim domate nuk mund të gjesh me shumicë. Duhet ata 50 denarë ta blejnë jashtë që këtu ta sheshin 70.”

    “Kur i pyeta më thanë se nuk janë të furnizuar. Dhe tani? Asgjë, do rendim tjetër kund deri sa të gjejmë.”

    Me furnitorët që folëm thanë se marketet nuk porosisin sasitë e njëjta që kanë marrë gjatë muajve të kaluar, që sipas vendimit duhet së paku 70% e tyre të jetë e disponueshme në tezgat e marketeve. Kurse, nga stafi i marketeve thonë se tregtarët me shumicë i mbajnë çmimet akoma të shtrenjtë krahas masave.

    Por, ato gjenden lehtësisht nëpër tregjet e gjelbra të vendit me çmime të shtrenjta që shiten pa kuponë fiskal. Tregtarët me pakicë nëpër pazare nuk respektojnë vendimet e qeverisë për ngrirje të çmimeve. Por, nga Inspektorati i tregut thonë se po punojnë intensivisht në terren me të gjitha kapacitet që posedojnë.

    “Në përputhje me masat e Qeverisë, në gjithë territorin e vendit, nga dita e miratimit të vendimeve e deri më tani janë kryer më shumë se 650 inspektime dhe kontrolle dhe janë vërejtur shkelje të vendimeve në 22 subjekte ekonomike, për të cilët janë lëshuar urdhërpagesa në shumën prej mbi 1,3 milion denarë”, thonë nga Inspektorati shtetëror i tregut.

    Shtrenjtimi prej 30% i çmimeve të fruta-perimeve të freskëta nuk ka rritur ofertën në tregjet e gjelbra. Domate ka në pazar me çmim prej 150 denarë, e njëjta situatë është edhe me specat jeshilë, të cilët shiten me 200 denarë për kilogram, trangujt shiten për 120 denarë, kurse fasulja me 160 për kilogram. Nga 10 kulturat bujqësore me çmime të korrigjuara, që ditën e parë të vendimit që hyri në fuqi zbatohen vetëm për frutat me rritje prej 5 denarësh. Në tregjet e gjelbra shitjet bëhen me çmime të vjetra, kurse tregtarët thonë se këto varen nga kostot e blerjes me shumicë, që sipas tyre ende importohen shtrenjtë. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Pendarovski: Absolutisht nuk më pengon heqja e 20%, do ta mbështes një gjë të tillë

    Lajmi i rradhës

    “BESA TRANS”, rifillon gjykimi / Ngelet e paqartë se si autobusi pa certifikatë të licencës ndërkombëtare, lëshoi 20 herë shtetin

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë