Garancia e 11 milionë eurove të Kamçevit, Gjykata: Shuma se nuk do të arratiset është e mjaftueshme

    Garancia prej rreth 11 milionë eurove që biznesmeni Orce Kamçev e ka ofruar për t’u mbrojtur në liri, ka mjaftuar që Gjykata e Apelit të vendosë për ndërprerjen e paraburgimit.

    Kështu thuhet në arsyetimin e gjykatës, vendim i nënshkruar nga tre gjykatësit Lirie Elezi Ajrullau, Zoran Dimitrievski dhe Enver Bexheti. Kjo përbërje e gjykatësve vendosi se shuma me të cilën Kamçev garanton se nuk do të arratiset është e mjaftueshme.

    “Garancia e ofruar dhe e pranuar, e cila konsiston në marrjen e parave të gatshme, letrave me vlerë dhe hipotekimin e pasurisë së patundshme siç qëndron në këtë vendim, është shumë e mjaftueshme dhe reale që do të siguronte praninë e të akuzuarit gjatë procedimit penal respektivisht se kjo garanci do të mjaftojë për ta parandaluar arratisjen e të akuzuarit”, thuhet në arsyetimin e Gjykatës së Apelit.

    Alsat tashmë publikoi se me çfarë prone Kamçevi garanton se nuk do të arratiset. Bëhet fjalë për kompanitë “Orka Hollding”, “Pellagonia”, “SH.A Manastiri”, “Stopanska Banka” si dhe para të gatshme 200 mijë euro. Në arsyetimin e Gjykatës së Apelit përmenden edhe prona të tjera në Manastir, Dellçevë, Nerez, Demir Hisar dhe Ilinden, që janë në pronësi të kompanisë Kara SHPKNJP Shkup, që është pjesë e “Orka Hollding” në pronësi të familjes Kamçev.

    Edhe pse biznesmeni u lirua nga burgu i Shutkës, ai vazhdon të ketë  kufizime. Atij nuk i lejohet të largohet nga Shkupi dhe çdo të hënë duhet të paraqitet në gjykatë. Gjithashtu nuk mund të marrë pasaportë të re dhe me letërnjoftim nuk mund të largohet nga Maqedonia në vende si Shqipëria, Kosova dhe Serbia, ku mund të udhëtojë me atë dokument.

    Kamçevit iu shqiptua paraburgimi në muajin mars të vitit të kaluar pas një shënimi zyrtar nga Agjencia e Sigurisë Kombëtare mbi rrezikun e arratisjes, diçka që avokatët e tij e kanë mohuar. Ai gjykohet për pastrim parash në rastin “Parcelat në Vodno”. Kamçev njihet edhe për zbulimin e aferës “Reket”, pas së cilës në burg përfunduan kryetarja e PSP-së Katica Janeva dhe “shoumeni” Bojan Jovanovski.

    Lajmi Paraprak

    Ekspertët: Kabineti i ri, si qeveri teknike

    Lajmi i rradhës

    Kërkohet rikthimi i mësimit online në RMV

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë