Gazetarët në RMV përballen me kërcënime, me rroga të ulëta dhe janë të pambrojtur nga ligji

    Viti 2020 ka shënuar rritje të numrit të kërcënimeve online ndaj gazetarëve dhe joefikasitet të institucioneve në ndëshkimin e sulmuesve. SHGM këtë vit regjistroi 14 sulme dhe kërcënime, shumica e të cilëve janë gazetare, ndërsa vetëm një nga këto raste është zgjidhur në gjykatat e Shkupit, përcjell Nistori.

    “Në të tre treguesit kryesorë të raportit, siç janë korniza ligjore për lirinë e medias, pozicioni i gazetarëve në redaksi dhe siguria e gazetarëve, në vitin 2020 nuk ka ndryshime serioze në sferën e medias, por ka një tendencë në rritje të sulmeve, domethënë situata e sigurisë së gazetarëve dhe punonjësve mediatik nuk janë përmirësuar në krahasim me vitin e kaluar 2019, por përkundrazi është përkeqësuar”, thonë nga SHGM.

    Për shkak të krizës ekonomike të shkaktuar nga pandemia, tregu mediatik dhe standardi social i gazetarëve dhe punonjësve të medias është përkeqësuar edhe më tej. Rroga mesatare e gazetarëve vazhdon të jetë e ulët. Megjithëse viti 2020 ishte i vështirë për mediet për shkak të rënies së të ardhurave nga reklamat, qeveria dhe rregullatori i medias, në një farë mase, kanë zbutur efektet negative nga kriza ekonomike nëpërmjet subvencioneve të mënyrave të ndryshme.

    Në vitin 2020, vendi shënoi rritje në shkallën e Reporterëve pa Kufij, duke u renditur në vendin e 92-të nga 180 vende, tre vende më lart krahasuar me vitin 2019, përcjell Nistori.

    Në raportin për vitin 2020 shoqatat e gazetarëve ShGM, SPGPM, IMM dhe KEMM theksojnë fuqimisht kundërshtimin e tyre ndaj ndryshimeve të mundshme në nenin 102 të Ligjit për Shërbimet Mediatike Audio dhe Audiovizive, të cilat do të lejonin reklamimin e institucioneve publike në media. ShGM, SPGPM, IMM dhe KEMM konsiderojnë se situata në industrinë e medias nuk duhet të kthehet në nivelin e katër ose më shumë viteve më parë, kur me fondet shtetërore, në mënyrë jotransparente, mediumeve u janë paguar shuma astronomike.

    Burim shtesë i të ardhurave të medies ishin mjetet nga reklamat politike gjatë fushatës zgjedhore, por ekziston një shqetësim i përgjithshëm i shoqatave të gazetarëve, sepse kjo minon pavarësinë e politikës editoriale të medias.

    Gazetarët dhe punonjësit e medias akoma janë ekonomikisht të pasigurtë dhe pothuajse nuk ekzistojnë marrëveshje kolektive me të cilat do të mbrohet të drejtat e tyre të punës.

    Në dhjetor të vitit 2020, Gjykata Themelore civile në Shkup solli vendime me të cilat u pezulluan paditë e paraqitura nga gazetarët Natasha Stojanovska dhe Dushica Mërgja, të cilët kërkuan dëmshpërblim nga shteti për shkeljen e të drejtave të tyre gjatë ngjarjeve në Parlamentin e Republikës së Maqedonisë së Veriut më 27.04. 2017. Këto procese gjyqësore pasuan pas thirrjes paraprake të SHGM-së për të siguruar ndihmë juridike për gazetarët dhe punonjësit e medias të cilët u sulmuan ose u ishin shkatërruar pajisjet e tyre në Parlament gjatë asaj ngjarjeje të përgjakshme. Vendimet e tilla gjyqësore janë një tjetër provë se për gjykatën ka standarde të dyfishta kur bëhet fjalë për politikanë dhe gazetarë. /Nistori/

    Raportin vjetor mund ta lexoni të plotë këtu.

    Lajmi Paraprak

    Maqedonia pa roaming me Shqipërinë, Kosovën dhe Serbinë

    Lajmi i rradhës

    Kurti i replikon Brnabiqit në Tiranë: Njohja e Kosovës është e vlefshme edhe për vetë Serbinë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë