“Prek barin”. Një shprehje e lindur nga forume si Reddit dhe Twitter, dikur me humor e sarkazëm, sot tingëllon si këshilla më serioze për gjeneratën Z. Thirrja për t’u shkëputur nga ekranet dhe për të dalë jashtë duket se ka humbur mes botës virtuale, ku të rinjtë po mbyllen gjithnjë e më shumë.
Sipas një sondazhi të fundit me 2 mijë britanikë, 67% e gjeneratës Z nuk dalin jashtë për ditë të tëra, ndërsa tek mijëvjeçarët përqindja arrin në 57%. Vetëm një në katër persona, pavarësisht moshës, përpiqet të dalë çdo ditë, raportoi Independent. Kjo prirje reflektohet edhe te fëmijët: raportet tregojnë se koha që ata kalojnë jashtë është përgjysmuar brenda një gjenerate. Një e treta e fëmijëve nuk luajnë jashtë çdo ditë – një shifër alarmante për shëndetin e ardhshëm të brezit të ri.
Shkenca ka dëshmuar qartë: kontakti me natyrën ul stresin, rrit lumturinë dhe përmirëson kujtesën e përqendrimin. Mjaftojnë 15 minuta në natyrë për të ndier përfitimet. Por kur rinia e shekullit XXI zgjedh muret dhe ekranet në vend të ajrit të pastër, pasojat janë të dukshme: vetmia, depresioni dhe ankthi po arrijnë nivele rekord.
Në vitin 2013, një britanik i zakonshëm shpenzonte rreth 1 orë e gjysmë në ditë para ekraneve. Në vitin 2024, kjo kohë u rrit në mbi 4 orë. Për gjeneratën Z, mesatarja është 6 orë në ditë. Me aplikacionet që ofrojnë çdo gjë – nga ushqimi tek argëtimi, nga blerjet tek romancat virtuale nuk ka më asnjë arsye për të dalë jashtë. Por “komforti” i teknologjisë ka një çmim: izolimin shoqëror. Shkathtësitë sociale, të papërdorura, po zbehen. Shkathtësitë sociale janë si një muskul – nëse nuk i përdor, i humb. Nuk është rastësi që të rinjtë janë më të vetmuarit se kurrë më parë: pothuajse gjysma e gjeneratës Z pranon se ndihen shpesh vetëm. Depresioni dhe ankthi tek të rinjtë janë rritur ndjeshëm gjatë dy dekadave të fundit.
Më pak kontakte reale me njerëzit dhe më shumë ekspozim ndaj botës virtuale do të thotë një gjë: pikëpamjet tona formohen dhe ngushtohen nga kultura online. Dhe në një epokë ku vëmendja është valutë, algoritmet na mbajnë të kapur me përmbajtje polarizuese.






