Gripi sezonal shkak që nxënësit të mos ndjekin procesin mësimor

    Gripi sezonal dhe ftohjet e zakonshme në këtë periudhë të vitit kanë shtuar numrin e nxënësve që mungojnë në shkollë, qoftë në arsimin fillor por edhe atë mesëm. Mësimdhënësit thanë se për çdo mungesë të nxënësit janë njoftuar paraprakisht nga prindërit me qëllim parandalimin e përhapjes të çfarëdo lloj virusi të mundshëm.

     “Komunikimi i çdo ditshëm me prindërit e bën të mundshme që ne sa më shumë të shmangim prezencën e fëmijëve të sëmurë. Gjithsesi që ka fëmijë të cilët mund të preken, ka fëmijë që janë me imunitet më të dobët, por nëqoftëse mënjëherë mënjanohet ai fëmijë atëherë gjithë të tjerët mund të vijojnë mësimin pa ndërprerë. Prindërit ndoshta janë më të vetëdijësuar sepse edhe ata kujdesen për fëmijët e tyre por edhe na ndihmojnë neve që ta vazhdojmë procesin”- deklaroi Nertila Pitarka Veseli, mësuese.

    Edhe nxënësit janë kundër shkuarjes në shollë kur nuk ndjehen mirë.

    “Nëse unë do të jem e sëmurë nuk duhet të vijë në shkollë se mund të sëmuren fëmijët e tjerë. Ndonjë dit kam mungu se kam qenë e sëmurë. Është keq nëse mungon në shkollë, nuk bën ti humbim mësimet”.

    “Më mirë të rrimë në shtëpi dhe të shërohemi, ta heqim sëmundjen që të vijmë në shkollë”.

    “Kam qenë e sëmurë, kam pas kollitje, dhimbje barku dhe fyti. Kam shku në mjek, disa ditë kam qëndru në shtëpi, nuk kam ardhur që mos ti sëmurë të tjerët”.

    Përveç shëndetit të nxënësve, mësuesja Arjeta Qajlani shprehet e shqetësuar edhe për njësitë e humbura mësimore.

    “Me një ditë më së paku pesë orë, tash po flas për klasën e tretë. Për një javë janë më së paku 20 orë mësimore që do të humben, kështu që është mjaft materiali. Por, kam prind që interesohen, mi kërkojnë detyrat që janë punu që mos të humbin shumë prej mësimit. Ti kompenzojnë gjërat më kryesore, se ndryshe është mësimi në klasë, ndryshe në shtëpi”.

    Mjeku Sedat Lumai tha për Alsat se teshtimat, dhembjet e fytit, rrjedha e hundës e simptome të ngjashme janë të zakonshme për këtë periudhë të vitit. Sipas tij janë të ftohura dhe infeksione të organeve të larta respiratore. Ai shton se të vegjlit janë pacientët më të shpeshtë tek të cilët ndryshimet e motit ndikojnë shumë./Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Paditet komuna e Ohrit nga ish-koncesionarët e plazheve

    Lajmi i rradhës

    “Në cilin drejtim lëviz Europa në vitin 2021”, Dimitrov – BE-së: Nuk është e denjë të na sfidoni për gjuhën dhe identitetin

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë