GRUEVSKI, NJË HAP MË AFËR KTHIMIT!

    Një ditë pas konkluzionit për vjetërsimin e lëndës Target-Fortesa dhe shpëtimit të Sasho Mijallkovit nga përgjegjësia për përgjimet massive, reagojnë partitë politike opozitare.

    VMRO-DPMNE-ja vlerëson se presidenti Stevo Pendarovski është bashkëfajtor, pasi dekretoi ligjin të cilin mund ta pengonte.

    “Pendarovski mund të kishte penguar ndryshimet në Kodin penal, por ai vrapoi t’i nënshkruante ato dhe t’u pëlqejë Kovaçevskit dhe Ahmetit. Pendarovski ekspres nënshkroi ndryshimet në Kodin Penal, me urdhër të Kovaçevskit dhe Ahmetit, me qëllim që kriminelët nga pushteti të mos mbajnë përgjegjësi. Pendarovski ka mundur ta kthejë ligjin në rishqyrtim, por ka vendosur që verbërisht t’i zbatojë urdhrat e Kovaçevskit dhe Ahmetit”, thonë nga VMRO.

    Një hap më afër rikthimit të Nikolla Gruevskit, e quan opozita shqiptare vjetërsimin e lëndës së Mijallkovit.

    “Edhe rasti i Mijallkovit është paralajmërim i asaj që veçmë po shihet, që shumë shpejt Nikolla Gruevski mund të kthehet nga dera e madhe në vend. U largua si bartës i gjithë procesit të korrupsionit, krimit dhe procesit të keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe të kthehet si hero i një pushteti të dështuar. Definitivisht është një goditje e rëndë e sistemit të drejtësisë. Tani më secili politikan që do të kishte preferenca të keqpërdorimit të detyrës zyrtare e ka edhe një argument shtesë që në momente të caktuara të kalkulimeve politike të pushtetit, edhe mund të shpëtojë”, u shpreh Bilall Kasami, kryetar i Lëvizjes Besa.

    “Tanimë u pa qartë se miratimi i Kodit penal u bë për amnistimin e veprave kriminale të Gruevskit dhe Mijallkovit, dy figurave kyçe, në kohën e të cilëve shqiptarëve u ndodhën shumë tragjedi. Ne jo rastësisht shtruam pyetjen se në çfarë cilësie Bujar Osmani vizitoi Budapestin dhe se a po përgatitet kthimi i Gruevskit, gjë që çdo ditë e më shumë po vërtetohet dhe gjithë opinioni i gjerë e lexon qartë se BDI shpëtimin e vetëm e sheh pikërisht te kthimi i Nikolla Gruevskit”, tha Haqim Ramadani, Lëvizja Demokratike.

    Kryeministri Dimitar Kovaçevski thotë se nuk dëshiron të komentojë procedura gjyqësore por ndryshimet në Kodin penal u bënë për harmonizim me legjislaturën e BE-së sepse gjykimet s’mund të zgjasin pafundsisht.

    “Është bërë për harmonizim (me dispozitat e BE-së) dhe jo për raste të caktuara gjyqësore të cilat mbetën në procedurë 8, 9 ose 10 vjet. Sipas kësaj teze, tek ne duhej të mos vjetërsohej asgjë dhe të gjitha rastet gjyqësore të mund të zgjasnin 50-60 vjet por gjithsesi praktika e vendeve anëtare të BE-së na udhëzon të kemi afate të cilat afate mundësojnë gjykim efikas për të gjitha palët në proces”, theksoi Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

    Kujtojmë se BE-sa kishte kritikuar me shqetësim ndryshimet në Kodin penal të cilat ulën dënimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe prekin një numër të madh të rasteve të korrupsionit të lartë. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    “NË RMV MË LEHTË MBIJETOJNË KRIMINELËT”

    Lajmi i rradhës

    Terapia për sëmundjen Psoriaza e pamjaftueshme për pacientët e prekur

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë