“Grupi i Zjarrit” drejt formimit të një lëvizje të re politike?!

    Izet Mexhiti dhe Visar Ganiu janë të mendimit se janë shterur të gjitha opsionet për funksionim brenda BDI-së dhe shqyrtojnë të gjitha opsionet tjera të aktivitetit të tyre të ardhshëm politik. Ky qëndrim i tyre vjen një ditë pas zgjedhjeve të brendshme për kryetar të disa degëve të BDI-së. Procesin e quajtën jostatutar dhe të organizuar nën diktat.

    “Rrjedhimisht, si i tillë ishte skajshmërisht përjashtues ndaj anëtarësisë të cilët ishin themelues të BDI-së, dhe që për 20 vite ishin aktiv dhe meritorë për fitoret e BDI-së, vetëm për shkak se e përkrahin mendimin ndryshe dhe për shkak se ishin kundër Artan Grubit. Me këtë mënyrë të organizimit të zgjedhjeve të brendshme partiake, të cilat nënkuptojnë edhe përjashtim formal për ne, veçmë janë shterrur të gjitha opsionet për funksionim brenda partisë, dhe është e vërtetë që anëtarësia e sinqertë e cila na përkrah e të cilët janë shumë, kërkojnë reflektim dhe veprim, me ç’rast të gjitha opsionet janë në tavolinë, mes të cilave edhe formimi i një lëvizje të re politike”, deklaroi Izet Mexhiti, Fraksion i BDI-së.

    Përveç Mexhitit dhe Ganiut, nuk është e qartë akoma se kush tjetër nga “grupi i zjarrit” e përkrah këtë hap. I pyetur nëse këtë qëndrim e mbështet edhe kreu i Sarajit, Blerim Bexheti, ose ekzistojnë mendime të ndryshme dhe përçarje, Mexhiti këtë nuk e konfirmoi dhe as nuk e hodhi poshtë. Alsat kontaktoi dhe me Bexhetin, por nuk arritëm të marrim një qëndrim. Ndërkohë, nuk dihet as mendimi i Nevzat Bejtës dhe Musa Xhaferit.

    E ndërkohë, zgjedhjet e një dite më parë brenda BDI-së, kreu i partisë Ahmeti i cilësoi si demokratike.

    “Është mirëpritur ky proces dhe ky avancim sepse i ke shtuar të drejta anëtarësisë së BDI-së dhe nuk i ke hequr të drejta. Anëtarit të BDI-së i ke dhënë të drejtë të zgjedhë atë kandidat që ai mendon se është më i miri, që mund ta përfaqësojë atë”, tha Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.

    BDI mbajti zgjedhjet e brendshme partiake në 14 degë të saj. Anëtarët e kësaj partie zgjodhën kryetarë dhe organet e degëve në Butel, Çair, Dibër, Jegunoc, Kërçovë, Krushevë, Kumanovë, Likovë, Manastir, Petrovec, Pllasnicë, Prespë, Shuto Orizare, Veles. Në Çair, kryetar dege u zgjodh Bekim Neziri, edhe pse kjo komunë konsiderohet si bastion i “grupit të zjarrit”. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    ZGJEDHJET NË BDI | Fitor Jakupi nga Kumanova denoncon parregullsitë zgjedhore dhe akuzon Arbër Ademin për presione

    Lajmi i rradhës

    Delegacionet “lyejnë me bojë” vizat e bardha në Tetovë (Foto)

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë