Delegacionet “lyejnë me bojë” vizat e bardha në Tetovë (Foto)

    Vizat e bardha në rrugët e Tetovës janë një nga shenjat më të rëndësishme të sigurisë rrugore, por në një pjesë të madhe të qytetit, ato nuk dallohen lehtë dhe rrugët çdo ditë e më shumë bëhen të rrezikshme për këmbësorët dhe shkak për aksidente. Zakonisht vizat e bardha dhe pastërtia e rrugëve të qytetit vërehet kur vjen ndonjë delegacion i lartë dhe duhet të marshojë me të parin e komunës së Tetovës nëpër qytet. Kështu ka ndodhur edhe herën e fundit kur presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konjufca vizituan Tetovën, shkruan Nistori.

    Vizat e bardha në Tetovë që nuk dallohen, Korrik, 2023

    Nga nsima Më Mirë Për Tetovën thonë se pastërtia e rrugëve të qytetit, vizat e bardha, janë punë shkel e shko, traditë e cila trashëgohet nga njëra administratë në tjetrën.

    “Tetova është një qytet që ende nuk ka cisternë për t’i pastruar rrugët me ujë. Vetëm disa rrugë kryesore pastrohen me fshesa dore si në shekullin e 19-të, kur sot ka lloj-lloj makinash e pajisje për ta mirëmbajtur pastërtinë. Asnjë investim për hapësira të gjelbra publike. Vetëm kur vjen ndonjë delegacion i huaj, pastrohen disa rrugë ose lyhen vizat e bardha me polikolor, ku pas një a dy muajve zbehet”, thotë Ngadhnjim Mehmeti i MMPT-së për Nistorin.

    Vizat e bardha të rregulluara në Tetovë, Prill, 2023

    Pasojat e mungesës së vizave të bardha

    Sipas SPB Tetovë, mungesa e sinjalistikës, gjegjësisht vizave të bardha mund të shkatojë aksidente dhe pasoja fatale te këmbësorët.

    “Mungesa e sinjalistikës mund të jetë e rrezikshme për sigurinë e shoferëve dhe këmbësorëve, si dhe mund të sjellë rritje të numrit të aksidenteve në komunikacion me pasoja më të rënda, për faktin se ato rregullojnë trafikun në përputhje me rregullat dhe rregulloret ligjore”, deklaron zëdhënësi i SPB Tetovë, Fatmir Rexhepi.

    Komuna e Tetovës apo e SPB Tetovë / Kompetencë e kujt është rregullimi i vizave të bardha?

    “Vendosja e sinjalistikës vertikale dhe horizontale, si shenjat e trafikut, semaforët, shënimi i vizave të bardha dhe vendkalimet për këmbësorë janë në kompetencë të vetëqeverisjes lokale dhe ato duhet të shënjohen brenda një afati të caktuar, për të mundësuar qarkullimin normal dhe të rrjedhshëm, gjegjësisht trafikut të automjeteve që duhet të ndajë dy korsi rrugore me vijë të prerë ose të plotë, si dhe për këmbësorët të cilët duhet të jenë të sigurt kur kalojnë rrugën në vendet e caktuara për këmbësorë”, shton ndër të tjera Rexhepi nga policia e Tetovës.

    Nistori kërkoi përgjigje nga Komuna e Tetovës në pyetjen pse vizat e bardha në komunikacion nuk i kanë rregulluar dhe nëse mirëmbajtja e vendkalimeve për këmbësorë është obligim i komunës së Tetovës, duke marrë parasysh se paraqet rrezik për këmbësorët. Një përgjigje të tillë nuk e morëm sot.

    Ndryshe, derisa të dy institucionet të gjejnë zgjidhje (Komuna e Tetovës dhe SPB Tetovë), në disa pjesë të qytetit, çdo ditë vazhdon të rrezikohet jeta e tetovarëve. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    “Grupi i Zjarrit” drejt formimit të një lëvizje të re politike?!

    Lajmi i rradhës

    Klinton në Tiranë: Do të doja të mos kishte ndodhur kurrë ajo që po ndodh tani në Kosovë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë