“Harresa e vogël” që i kushtoi Qeverisë 11 milionë denarë

    Muzeu i Alfabetit në Manastir prej një viti u harrua nga Qeveria, me llogari të bllokuara që nga muaji janar i vitit të kaluar, këto ditë ka gjasa që do të fillojë funksionimin. Me një vit vonese dhe hezitimi Qeveria vendosi më në fund që të akordojë një fond të posaçëm për të likuiduar faturat e prapambetura, që gjatë kësaj periudhe thuajse e dyfishuan shumën e janarit 2021. Përmes Ministrisë së Kulturës në xhirollogarinë e Muzeut do të transferohen 11 milionë denarë (nga mbi 6 milionë që ishte vjet), shumë kjo për të likuiduar borxhin, së bashku me kamatat, përmbaruesit… Lajmi konfirmohet nga drejtori i Muzeut, Zait Aliu, i cili këto ditë ka dorëzuar në Ministrinë e Kulturës të gjithë dokumentacionin e nevojshëm.

    “Më në fund, pas një kohe të gjatë pritje do të fillojmë të punojmë si duhet. Jemi akoma pa energji elektrike, por e rëndësishme është që Qeveria e zgjidhi këtë problem duke na dhënë fondin e kërkuar një vit rresht. Nga 100 mijë euro borxhi arriti në 11 milionë denarë nga kamatat dhe përmbaruesit, por javën e ardhshme do t’i shlyejmë”, thotë Aliu. Ngrirja e xhirollogarisë së institucionit nacional, paralizimi i aktiviteteve dhe e gjithë situata precipitoi në këtë formë në fillim të vitit të kaluar kur kompania e ndërtimit nuk u likuidua për punimet për rikonstruktimin e brendshëm dhe të jashtëm të objektit që kushtuan 100 mijë euro. Spiralja e problemeve nisi pasi projekti i financuar nga granti i IPA (234 mijë euro), parashikonte që fillimisht IPA të lëshojë 35 për qind të shumës, ndërsa pjesën tjetër pasi të kishin përfunduar punimet dhe verifikimit të faturave për punimet e kryera sipas projektit. Por pasi Muzeu nuk ka burim të ardhurash, kërkoi nga Qeveria (Ministria e Kulturës) që të ndante një fond që sërish do t’i kthehej pas përfundimit të punimeve nga IPA, pasi të certifikoheshin shpenzimet për punimet e kryera.

    Të kontaktuar nga KOHA Ministria e Kulturës distancohej nga përgjegjësia, pasi “në këtë rast bëhet fjalë për menaxhim të centralizuar të projekteve, Programit për bashkëpunimin ndërkufitar, të cilat janë në kompetenca të Ministrisë së Vetëqeverisjes lokale”, ndërsa kjo e fundit nuk ka bërë asnjë koment. Në muajin maj të vitit të kaluar Qeveria e ngarkoi “Ministrinë e Vetëqeverisjes Lokale (në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Ministrinë e Financave dhe Sekretariatin Ligjvënës) që të hartojë një propozim-vendim për gjetjen e mënyrës për financimin e detyrimeve të mbetura për realizimin e aktiviteteve projektuese IN Muzeu i Alfabetit të Gjuhës Shqipe, që dalin nga programi IPA për bashkëpunim ndërkufitar”, propozim që nuk arriti të formulohej.

    “Kur të dorëzojmë faturat, IPA do t’na kthejë fondet, të cilat mund t’ia kthejmë qeverisë si borxh që po na e jep tani, ose do t’i përdorim për realizmin e projekteve dhe kompletimin e institucionit”, thotë drejtori Aliu. Rikonstruktimi i Muzeut u realizua në kuadër të projektit “Muzetë që lidhin kulturat dhe popujt”, Programit për bashkëpunimit ndërkufitar “Greqi-Maqedoni 2014-2020” në suaza të Marrëveshjes për Partneritet, me vlerë prej 780.682 euro në total. Është projekti më serioz dhe më i plotë që është realizuar që nga themelimi i ish-shtëpisë ku u zhvillua Kongresi i Alfabetit si muze nacional. /Kohamk/

    Lajmi Paraprak

    Furnizimi (jo) i plotë me libra!

    Lajmi i rradhës

    Përplasje brenda dy grupeve në BDI

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë