“Faleminderit për besimin kryetar, ne do të bëjmë diçka të mirë për Shkupin dhe Çairin”, u shpreh Behgjet Pacolli, biznesmen nga Kosova.
Në prag të zgjedhjeve lokale biznesmeni kosovar Bexhet Pacolli, ish-kryetari i Shkupit, Petre Shilegov dhe kryetari i komunës së Çairit, Visar Ganiu nënshkruan memorandum bashkëpunimi për ndërtimin e garazheve në kate. I pranishëm gjatë këtij akti ishte edhe zv/kryeministri i parë Artan Grubi. Ai e pari e mori fjalën dhe para mediave shprehi kënaqësinë për këtë bashkëpunim, të cilin tha se e mbështet edhe Qeveria.
“Përkrahje më të madhe gjeti te presidenti Pacolli, në veçanti kompania e tij Mabetex, për të marrë përsipër ndërtimin e të gjitha këtyre parkingjeve në kate dhe parkingjet në komunën e Çairit”, tha Grubi.
Për këtë marrëveshje kryetarja aktuale e Shkupit Danella Arsovska nuk ia ka idenë. E njëjta të premten doli në lagjen Çairçanja në Çair dhe premtoi garazhe të montuara në kate në këtë zonë. TV21 e pyeti a bëhet fjalë për parking-vendet që janë pjesë e marrëveshjes së lartpërmendur ose bëhet fjalë për projekt tjetër e Arsovska na tha se çka ka premtuar Shilegov nuk i intereson, por se kjo është pjesë e programit të saj.
“Ky premtim ishte pjesë e programit tim dhe se do të realizohet si pjese e programit tim, të tjerët çka kanë premtuar nuk e di, realisht as që më intereson. Po të kishin qenë serioz, për ta realizuar besoj se kanë pasur kohën e duhur, kanë pasur 4 vjet për ta realizuar atë që e kanë pasur në program, por fatkeqësisht kanë realizuar vetëm 5% nga ajo që kanë premtuar. Ajo që është vendosur në program për Shkupin modern, janë ato parkingje të montuara”, deklaron Danella Arsovska, kryetare e Shkupit.
Ndryshe investimi kap vlerën prej 50 milionë eurove, parasheh ndërtimin e 12 garazheve nëntokësore dhe në kate në Çair, e që përfshinë 3.000 vend-parkingje në shumë lokacione të komunës së Çairit.
Për punët u tha se do të zgjasin dy vjet e gjysmë./tv21/