Herët apo vonë, bullgarët pjesë e Kushtetutës!

    Maqedonia duhet të kryen vetëm edhe një çështje, që edhe zyrtarisht të hap klasteret, përkatësisht bisedimet me Bashkimin Evropian, e ajo është futja e bullgarëve në preambulën e kushtetutës së vendit. Herët apo vonë bullgarët sigurisht që do të hyjnë në Kushtetutë. Pyetja nuk është nëse do të ndodhë, por kur do të ndodhë. Gjatë qeverisjes së LSDM-së, ose VMRO-DPMNE-së, ose të dyja partitë politike së bashku me partnerët e tyre të koalicionit do ta bëjnë sa më shpejt, gjatë këtij viti, si zgjidhja më e mirë, për synimin strategjik të shtetit ndër vite. E për këtë çështje, siç dimë, duhen 80 vota, që vështirë po arrihen, sidomos me qëndrimet e prera të opozitës maqedonase VMRO-DPMNE.

    I vetmi solucion i Mickoskit për zgjidhjen e problemit ishte dhe mbetet të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare, por ai asnjëherë nuk tha qartë se si do të zgjidhej problemi me Bullgarinë kur do të vinte në krye të qeverisë. Në një pjesë të opinionit u krijua iluzioni se kur VMRO DPMNE të fitojë zgjedhjet dhe kur Mickoski të bëhet kryeministër, Marrëveshja e fqinjësisë së mirë me Bullgarinë do të anulohet dhe bullgarët e Maqedonisë nuk do të hyjnë në Kushtetutë.

    Analisti politik, Dame Çkatroski thotë se çështjen e futjes së bullgarëve në kushtetutë do ta kryejnë së bashku LSDM-ja dhe VMRO-DPMNE-ja.

    “Bullgarët dhe të tjerët do t’i futen nga LSDM-ja dhe VMRO-DPMNE-ja së bashku. Do të kalkulohet vetëm sa vota do të fitojnë apo humbasin LSDM-ja dhe VMRO-DPMNE-ja dhe si mund ta bëjnë më pa dhimbje sipas vlerësimeve. Unë nuk do të merrja fare me këtë temë të bullgarëve në kushtetutë, veç se pyetja është nëse ata insistojnë të jenë një komb konstituiv. Kjo është një formë dhe matematikë shumë e ndryshme ku do të presim shpjegimin. Pra, thelbi nuk është e rëndësishme, por forma, dhe sigurisht para se gjithash më e rëndësishme është rejtingu”, ka deklaruar për KOHA, Dame Çkatroski, analist.

    Nga ana tjetër, politologu Dimitar Hristov nuk beson se në një të ardhme të afërt do të sigurohen numrat e nevojshëm për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë, sepse nëse ndodhë një gjë e tillë, atëherë karrierës politike të Mickoskit do t’i vijë fundi.

    “Në një të ardhme të afërt nuk besoj se ka mundësi të mblidhen 80 deputetë për diçka të tillë. Në një skenar ku ndodh diçka e tillë, karrierës politike të Mickoskit do t’i vijë fundi. LSDM mund të ofrojë kompromis për zgjedhje të parakohshme në rast se VMRO-DPMNE pranon të ‘huazojë’ disa deputetë për të përmbushur shifrën prej 80. Optimizëm jep edhe deklarata e Bujar Osmanit se nuk ka propozim zyrtar nga Bullgaria për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë. Është koha e duhur për të ushtruar presion më të fortë dhe përpjekje për të hequr disa kërkesa bullgare. Kjo mbetet puna e diplomacisë sonë”, ka deklaruar për KOHA, Dimitar Hristov, politolog.

    Ndërkaq, dje ambasadorja e SHBA-ve në Shkup, Angela Aggeler ka deklaruar se funksionarët duhet të veprojnë sa më parë në interes të qytetarëve. Aggeler tha se SHBA-të mbështesin gjithçka që afron vendin drejt Bashkimit Evropian.

    “E inkurajojmë udhëheqësinë dhe funksionarët e zgjedhur të këtij vendi të veprojnë në interes të qytetarëve të tyre dhe të veprojnë sa më parë, të bëjnë ndryshimet e duhura që do të mundësojnë hapjen e negociatave aderuese drejt BE-së. E dimë se janë vendime të vështira për këtë vend. Qytetarët e këtij vendi tashmë kanë marrë vendime të vështira por ne do të mbështesim gjithçka që do t’ju afrojë drejt BE-së”, tha mes tjerash Aggeler.

    Lajmi Paraprak

    Kazakistani mund të furnizojë me naftë Gjermaninë

    Lajmi i rradhës

    Qytetarët në Shkup ngufaten nga ndotja e ajrit!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë