I PAPREKSHMI! Viktor Dimovski, më i fortë se qeveritë

    Viktor Dimovski, drejtori aktual i Agjencisë për Siguri Kombëtare, javën e ardhshme do të paketojë gjërat për të udhëtuar drejt Parisit, me detyrë tashmë të re – atë të ambasadorit të Maqedonisë së Veriut në Francë. Një jetë brenda sigurimeve shtetërore, Dimovski do të mbahet mend si zyrtari që shkeli mbi ligjet dhe të drejtat themelore të njeriut – atë të mohimit të shtetësisë për mijëra shqiptarë, të cilët, edhe përkundër asaj që kanë plotësuar kushtet, nuk arritën të marrin dokumentin që vërteton se janë pjesë e këtij shteti.

    Do të mbahet mend edhe si zyrtari që nuk i dha llogari Qeverisë, organit që e emëroi në detyrat kyçe të shtetit, ndërsa mbajti larg punonjësit shqiptarë në ASK dhe institucionet që ai drejtoi ndër vite. Përfaqësim i zbehtë i shqiptarëve në ASK, ndërsa në kundërshtim me sugjerimet e NATO-s, në këtë agjenci vazhdojnë të kryejnë detyra të larta shumë punonjës maqedonas me padi penale, si dhe me shtetësi të dyfishta, sikurse janë ata të Pustecit të Shqipërisë – të angazhuar ekskluzivisht për përgjimin e shqiptarëve. Nga ana tjetër, disa punonjës shqiptarë të DSK-së nuk arritën të bëhen pjesë e ASK-së së reformuar, pasi nuk morën dritë jeshile nga vet Dimovski. Që të gjithë këta shqiptarë e kishin një të përbashkët – kishin ndonjë lidhje familjare në Kosovë.

    Burime zyrtare të gazetës KOHA tregojnë se, për tre vite me radhë (2019, 2020 dhe 2021), përkundër aplikimit të rreth 3000 qytetarëve për shtetësi, shumë pak qytetarë -për të mos thënë asnjë, kanë marrë përgjigje pozitive nga Viktor Dimovski. Mijëra lëndë të trashëguara që nga Drejtoria për Siguri dhe Kundërzbulim (DSK), ASK e tanishme ka shtuar dosjet që presin nënshkrimin e Dimovskit.

    Ishte vet kryeministri Dimitar Kovaçevski ai që publikisht e gjykoi Agjencinë e Sigurisë Kombëtare për punë joproduktive në procedimin e kërkesave për shtetësi. Kovaçevski muaj më parë tha se i ka kërkuar Dimovskit përshpejtimin e procedurave. “E njoftoj drejtorin e ASK-së për kërkesën që ka për të përshpejtuarmë procesin. Qytetarët duhet sa më shpejtë që mundet të furnizohen me ato shërbime, përkatësisht shtetësi. Nëse flasim për rritjen e produktivitetit në sektorin privat, atëherë duhet të flasim edhe për rritjen e produktivitetit tek sektori publik”, deklaroi Kovaçevski, duke përmendur numrin prej 20 mijë kërkesave për shtetësi që presin aminin e Agjencisë së Dimovskit.

    ARTAN GRUBI
    E kam takuar dhjetëra herë drejtorin për këtë çështje dhe gjithmonë kemi arritur progres, por jo të mjaftueshëm. Drejtori i tanishëm është emëruar ambasador në Francë dhe është çështje ditësh kur do të largohet për të ushtruar detyrën e tij. Vlerësoj se me administratën e re të ASK-së, çështja e parë do të jetë shtetësia

    Se ka patur probleme me Dimovskin, e ka pranuar javë më parë edhe zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë, Artan Grubi. Me rastin e tre vjetorit të themelimit të ASK, Grubi tha se me administratën e re të Agjencisë, pas largimit të Dimovskit në Ambasadën e Maqedonisë në Paris, çështja e parë në të cilën do të punohet, do të jenë aplikimet për shtetësi të të gjithë qytetarëve që me vide presin përgjigje. “E kam takuar dhjetëra herë drejtorin për këtë çështje dhe gjithmonë kemi arritur progres, por jo të mjaftueshëm. Drejtori i tanishëm është emëruar ambasador në Francë dhe është çështje ditësh kur do të largohet për të ushtruar detyrën e tij. Vlerësoj se me administratën e re të ASK-së, çështja e parë do të jetë shtetësia”, tha Grubi.

    Megjithatë, burime zyrtare të gazetës KOHA tregojnë se asnjë zyrtar tjetër përveç Viktor Dimovskit, nuk ka numër të saktë sesa kërkesa për shtetësi presin mendim nga ASK. MPB gjithmonë pyetjet që kanë të bëjnë me aplikimet për shtetësi i drejton në ASK, ndërsa drejtori Dimovski kurrë nuk është përgjigjur për numrin e saktë. Kjo është edhe arsyeja pse në opinion, partitë shqiptare në Qeveri japin numra të ndryshëm, në të shumtën e rasteve shumë herë më të vogël sesa në fakt ka aplikime për shtetësi. Shkurt – nuk kanë qasje te të dhënat e Viktor Dimovskit.

    KUSH ËSHTË VIKTOR DIMOVSKI, “SPIUNI JUGOSLLAV (SERB)” SIPAS AMBASADËS AMERIKANE?

    Që në vitin 1982, Viktor Dimovski është pjesë e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Fillimisht pjesë e Shërbimeve policore Jugosllave, e më pas pjesë e policisë në Maqedoni. Ka qenë edhe ministër i Punëve të Jashtme (1996-2003), ambasador i Maqedonisë në Serbi dhe Izrael (2003-2007), drejtori i Agjencisë për Zbulim dhe Kundërzbulim (2007-2009), Sekretar shtetëror në Ministrinë e Punëve të Jashtme (2017-2019), ndërsa nga 2019-ta, drejtor i Agjencisë për Siguri Kombëtare, dikur DSK. Në 1999, kryetar i Grupit punues të Maqedonisë për demarkacionin me kufirin e Serbisë, ndërsa në vitin 2000, kryetar i Grupit punues të Maqedonisë për demarkacionin me kufirin e Kosovës. Të gjitha detyrat shtetërore, Dimovski i kishte kryer si propozim i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë (LSDM), megjithëse i njëjti nuk është “prekur” asnjëherë edhe në kohën me pushtetin ka qeverisë VMRO-DPMNE.

    XHILIJEN MILOVANOVIQ
    Dimovski, siç shkruan në letrën konfidenciale të firmosur nga ambasadorja Milovanoviq, ishte një kontakt i besueshëm gjatë vitit 2001 kur bëheshin negociatat për demarkacionin kufitar Maqedoni-Serbi, kur ai ndau me ambasadën amerikane kopjet paraprake të hartat dhe projektmarrëveshja. “Megjithatë, thashethemet e përsëritura se ai është ‘në xhepin e Serbisë’ na bëjnë të jemi të shqetësuar për emërimin e tij. Në këtë pikë kritike për Kosovën dhe procesin e statusit, vendimi i Cërvenkovskit që që Inteligjencën ta drejtojë njeriu me përvojë të gjatë pune me Beogradin dhe me qëndrime pro-serbe, ngrenë shqetësime. Ne do t’i monitorojnë nga afër veprimet e Dimovskit në pozitën e tij të re

    Ndryshe nga Qeveritë në Maqedoni, mendim ndryshe për Dimovskin kanë ndërkombëtarët në vend, konkretisht Ambasada e Amerikës. Më 14 shtator 2007, ambasadorja amerikane Xhilijan Milovanoviq kishte shprehur shqetësimet e saja me vendimin e presidentit të atëhershëm të Maqedonisë, Branko Cërvenkovski që Viktor Dimovski të jetë drejtor i Agjencisë për Zbulim. Në një dokument sekret drejtuar Departamentit të Shtetit Amerikan, e të publikuar nga Wikiliks, ambasadorja amerikane e quante “spiun jugosllav (serb)” drejtorin e atëhershëm të Agjencisë së Zbulimit, Viktor Dimovski. “Konficenciale! Një spiun jugosllav… Nga viti 1982 deri në vitin 1995, Dimovski punoi për Seksionin në Manastir të Drejtorisë Jugosllave për Siguri dhe Kundërzbulimi, në varësi të Ministrisë serbe Federale të Brendshme (MUP). Në vitin 1995, ai u largua nga MPB dhe iu bashkua Ministrisë së Punëve të Jashtme (MPJ) si ndihmës ministër për Ballkanin. Pas kësaj, Dimovski u emërua koordinator kombëtar për projektin e Paktit të Stabilitetit dhe Sipërmarrjes dhe ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në ish-Jugosllavi. Ai ishte edhe drejtor politik i Maqedonisë në Procesin e Bashkëpunimit të Evropës Juglindore”, shkruante në 2007, ambasadorja Milovanoviq në letrën konfidenciale drejtuar Departamentit të Shtetit Amerikan.

    Duke e përshkruar biografinë në pika të shkurtra, ambsadorja Milovanoviq i shkruan Departamentit të Shtetit Amerikan arsyet pse Dimovski është “spiun jugosllav (serb). “Në vitin 2000-2001, Dimovski shërbeu si koordinator i Maqedonisë në negociatat me Beogradin mbi përcaktimin e vijës kufitare mes Maqedonisë dhe Jugosllavisë (dhe më vonë, kufiri Maqedoni-Serbi dhe Maqedoni-Kosovë). Nga viti 2003 deri Në vitin 2007, Dimovski shërbeu si ambasador i Maqedonisë në Beogradi dhe ambasadori jorezident në Izrael”. Dimovski, siç shkruan në letrën konfidenciale të firmosur nga ambasadorja Milovanoviq, ishte një kontakt i besueshëm gjatë vitit 2001 kur bëheshin negociatat për demarkacionin kufitar Maqedoni-Serbi, kur ai ndau me ambasadën amerikane kopjet paraprake të hartat dhe projektmarrëveshja.

    “Megjithatë, thashethemet e përsëritura se ai është ‘në xhepin e Serbisë’ na bëjnë të jemi të shqetësuar për emërimin e tij. Në këtë pikë kritike për Kosovën dhe procesin e statusit, vendimi i Cërvenkovskit që që Inteligjencën ta drejtojë njeriu me përvojë të gjatë pune me Beogradin dhe me qëndrime pro-serbe, ngrenë shqetësime. Ne do t’i monitorojnë nga afër veprimet e Dimovskit në pozitën e tij të re”, shkruan Milovanoviq

    Testi i ADN-së që vërteton se Neshat Dautovski, pa shtetësi, është djali i Naser Dautovskit dhe Zirafete Murtezanit.

    FAMILJA E “PADUKSHME” NË SYTË E ASK-së

    Se ASK e Viktor Dimovskit ka shkelë mbi çdo të drejtë njerëzore, tregon rasti i familjes Dautovski nga Shkupi. Neshat (Dautovski) Murtezani, 25-vjeçar, bashkë me vëllezërit e tij, Enisin dhe Ejupin, motrën Enisa dhe nënën Zyrafete Murtezani, edhe pse kanë lindur dhe janë rritur në Shkup, ende nuk mundë ta gëzojnë të drejtën e marrjes së shtetësisë. Neshat Dautovski thotë për gazetën KOHA se probleme me shtetësinë kanë madje që nga lindja e nënës së tij. Ai tregon se nëna i ka lindur në Bllacë të Shkupit, por në atë kohë nuk është regjistruar në librin e të lindurve. Dhe, përveç nënës, tashmë pa shtetësi janë edhe djemtë e vajza.

    Bashkë me vëllezërit dhe motrën, Neshati tregon se i kanë kryer të gjithë obligimet që ju është kërkuar nga autoritetet shtetërore, por asnjëherë nuk kanë marrë përgjigje pozitive. Madje e kanë bërë edhe testin e ADN-së në Akademinë e Shkencave të Maqedonisë, kërkesë e autoriteteve për të dëshmuar se vërtetë janë fëmijët e Naser Dautovskit, babait të tyre, i vetmi në familje që posedon shtetësi të Maqedonisë. Por, edhe pse testi i ADN-së e ka vërtetuar atësinë e vëllezërve dhe motrës së tij, një gjë e tillë përsëri nuk ka qenë e mjaftueshme për ASK-në për të dhënë përgjigje pozitive për shtetësi. Aktualisht, se ka lindur, ka jetuar dhe jeton në Maqedoni, Dautovski e ka vetëm dëftesën e shkollës fillore dhe faturat tjera që ai paguan njëjtë sikurse të gjithë shtetasit tjerë të vendit.

    Dëftesa e klasës së katër e Neshatit e shkollës fillore të Studeniçanit

    “Shkollën fillore e kam kryer në fshatin Studeniçan të Shkupit edhe pse kam banuar në Komunën e Çairit. Nuk më është mundësuar ta kryej shkollën në Çair për shkak mungesës së dokumentacioneve. Për këtë arsyeje është dashur të shkoj në shkollën ‘Naim Frashëri’ në Studeniçan. Ky shtet nuk më ka ofruar asgjë, mu ka mohuar edhe e drejta e shkollimit pasi nuk kam pasur mundësi të vazhdoj më shumë se deri në shkollën e mesme. Tani më mohohet edhe e drejta e punës, me një fjalë më mohohet edhe e drejta për jetë, pasi nëse ndodhë ndonjë problem shëndetësor – gjithçka duhet ta paguaj privat”, thotë për KOHA i mllefosur Neshati.

    JETOI MË SHUMË VITE SESA DIMOVSKI NË MAQEDONI, POR VDIQ PA SHTETËSI

    Behije M. është gruaja që në fshatin Sllupçan të Komunës së Likovës, jetoi për më shumë se 67 vjet. E lindur në Miratoc të Luginës së Preshevës, ajo ishte e martuar në Sllupçan, por që nuk arriti të marrë shtetësinë e Maqedonisë asnjëherë. Vdiq para një viti, ndërsa përgjigjet e ASK-së, e më herët të Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim, ishin negative. “Nuk e njeh sa duhet gjuhën maqedonase”, ishte arsyetimi i refuzimit të fundit për shtetësi. Trajtimet shëndetësore familja e Behijes në të shumtën e rasteve i paguante dyfish – privat, ndërsa për çdo vit, edhe pse në moshë te thyer, duhej të nxirrte një “thes” me dokumente në Serbi për të “merituar” lejen për vendqëndrim të përkohshëm në Maqedoni. Jetoi gati 88 vjet në Maqedoni, më shumë sesa Viktor Dimovski që jeton në Maqedoni, por vdiq pa shtetësi.

    TALLJA E DIMOVSKIT ME DEPUTETËT SHQIPTARË

    Se me të vërtetë Dimovski nuk i përgjigjet asnjë institucioni, tregon guximi i tij që të pengojë edhe punën e deputetëve, të zgjedhur drejtpërdrejt me votat e qytetarëve. Asnjë deputetë shqiptarë – anëtarë i Komisionit parlamentar për mbikëqyrjen e punës së ASK-së dhe të AZ-së, nuk e kanë certifikatën e sigurisë, që lëshohet nga vet Dimovski. Elmi Aziri, deputet i Aleancës për Shqiptarët dhe  Vjollca Ademi e BDI-së, dy vite pas përzgjedhjes si deputetë dhe dy vite pas emërimit anëtar i Komisionit që kontrollon punën e ASK-së, nuk kanë certifikata të sigurisë. Edhe dy zëvendësit e tyre, deputeti Bajram Kadria i BDI-së dhe Artina Qazimi e ASH-së, poashtu nuk kanë certifikata sigurie dhe normalisht, nuk mund të marrin pjesë në mbledhjet e Komisionit parlamentar kur diskutohet puna e ASK-së. Certifikatë sigurie nuk i ishte dhënë as deputetit të BESËS, Bastri Bajrami, poashtu anëtarë i këtij Komisioni parlamentar.

    Në një pres konferencë para gazetarëve, ish-kryeministri Zoran Zaev kishte deklaruar se nuk ka pasur njohuri se pse deputetët shqiptarë – anëtarë të Komisionit për mbikëqyrje të punës së ASK-së, nuk kanë certifikatë sigurie. Madje, kishte premtuar se do të bisedojë më Dimovskin, por që sot e kësaj dite, deputetët shqiptarë nuk i kanë marrë akoma certifikatat e sigurisë. Mbledhjet, Komisioni parlamentar për mbikëqyrje të punës së ASK-së i mban pa deputetët shqiptarë, pasi këta të fundit nuk lejohen të kenë qasje në raportet sekrete të ASK-së.

    Edhe javën e ardhshme, Viktor Dimovski për katër vite nis punën si ambasador, megjithatë e la ASK-në me mijëra lëndë të paproceduara, madje një pjesë e tyre që datojnë edhe nga ish DSK-ja e cila deri para 3 vitesh, funksiononte në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Pasardhësin e Dimovskit pa dyshim se e pret punë e madhe: përveç shtetësisë, duhet ta rregullojë edhe përfaqësimin e drejtë dhe adekuat në ASK. Sesa do të realizohen pritjet e shqiptarëve dhe të BDI-së, mbetet për t’u parë. Viktor Dimovski, në vend që të përgjigjet për shkeljet e tij, ashtu sikurse herët e tjera gjatë gjithë karrierës së tij, edhe sot shpërblehet me post ambasadori. /Kohamk/

    Lajmi Paraprak

    Banka Botërore thirrje qeverisë shqiptare: Mos prekni sektorët e arsimit dhe shëndetësisë

    Lajmi i rradhës

    Ukraina është Palestina, jo Izraeli

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë