Ibraimi: Ndikimi rus është ndërprerë, por Maqedonia duhet të ketë kujdes nga mediumet të cilat i ka financuar Rusia

    Dje në Tetovë u promovua libri “Ndikimi i Rusisë në Ballkanin Perëndimor” i studiuesit të gjeopolitikës, Selim Ibraimi. Të pranishëm ishin publicistë, profesorë dhe gazetarë. Folës të librit ishin Zhelal Zejneli dhe Abdulla Mehmeti. Fjalë rasti pati edhe publicisti Bardhyl Zaimi. Libri u vlerësua si i rëndësishëm për fushën e gjeopolitikës, në të cilin autori Selim Ibraimi identifikon vazhdimisht në librat e tij ndikimin, interesin dhe planet ruse për rajonin e Ballkanit Perëndimor, shkruan Nistori.

    Sipas profesorit të shkencave politike Etem Aziri, libri ofron një analizë të thuktë dhe shumë komplekse krahasimore të pozicioneve amerikane dhe atyre ruse në Ballkanin Perëndimor, duke analizuar edhe burimet e shtrirjes së influencës ruse në këtë pjesë të botës, përfshirë këtu edhe fushatat e dezinformimit si dhe tendencat suptile për shfrytëzim të konflikteve të “ngrira” si platformë për realizim të interesave strategjike.

    “Dr. Selim Ibraimi bën përpjekje serioze ta identifikon qartë interesin dhe planet ruse për rajonin e Ballkanit Perëndimor, por mbi të gjitha t’i identifikon metodat e veprimit të Rusisë drejt realizimit të qëllimeve qofshin ata qëllime afat shkurta, qëllime afat mesme ose qëllime afat gjata. Jo rastësisht ai është përcaktuar që ndikimin rus në Ballkanin Perëndimor ta analizon prej më shumë këndë vështrimeve që ta bind publikun e këtyre shtete se ndikimi i Rusisë ka një të kaluar historike, ka të tashmen dhe me siguri do të ketë edhe një të ardhme. Jo rastësisht autori në shqyrtimet përfundimtare jep edhe disa vlersime si duhet të veprojnë shtetet e Ballkanit Perendimor që ta parandalojnë ose minimizojnë ndikimin rus në vendet e tyre. Libri ”Ndikimi i Rusisë në Ballkanin Perëndimor” në përgjithsi shikuar është ndarë në dy tërësi, dy pjesë që ndërlidhen fuqimisht me njëra tjetrën dhe paraqesin një tërësi logjike. Pjesa e parë ka të bëjë me aspektin teorik ndërsa pjesa e dytë me aspektin empirik. Libri përcillet me një bibliografi tepër të pasur kryesisht të autorëve të jashtëm që ndikon në rritjen e cilësisë të problematikës që trajtohet e cila vetvetiu është interesante dhe sfiduese.” – shkruan recenzenti i librit, Etem Aziri.

    “Studimi “Ndikimi i Rusisë në Ballkanin Perëndimor” është ndër librat më të rëndësishëm në fushën e gjeopolitikës sa i përket rajonit të Ballkanit Perëndimor në vitet e fundit. Federata Ruse është ndër aktorët kryesorë në këtë rajon dhe aspektet e politikës së saj duhet të hulumtohen nga këndvështrime të ndryshme. Dr. Selim Ibraimi prezanton një hulumtim origjinal që trajton tema senzitive dhe vendimtare për zhvillimin e gjithanshëm të Ballkanit në përgjithësi, sepse këto tema prekin në mënyrë serioze edhe vendet e tjera ballkanike, si edhe komunitetitn euroatlantik. Autori i ka trajtuar të gjitha aspektet e ndikimit rus në Ballkan, strategjitë dhe instrumentet e këtij ndikimi. Paraqitja e retrospektivës historike për shfaqjen dhe rritjen e interesimit rus ndaj Ballkanit dhe të projekteve të ndryshme ruse për përfshirjen e kësaj zone në “sferën ruse” ndihmojnë kuptimin e politikës së tanishme të Moskës ndaj rajonit. Analiza e propagandës ruse tregon veglat e “fuqisë së butë” dhe operacionet hibride ruse. Me shumë rëndësi janë analizat e rolit të energjisë dhe të armatimeve në strategjinë ruse për Ballkanin. Pikërisht me këto instrumente Rusia e shtrin më se shumti ndikimin e saj në Ballkan.” – shkruan recenzenti prof. Dr. Anton Pançev.

    Sipas autorit të librit, Selim Ibraimi, libri ka një përmbajte të theksuar mbi informacionin rus, pra propagandën ruse, e cila nuk përfshin veç pjesën informative.

    “Libri përfshin një periudhë 15-vjeçare që nga viti 2008 kur pas refuzimit të NATO-s për të anëtarësuar Maqedoninë në Aleancë, fillon një ndikim i zbehtë dhe pastaj zhvillohet në forma të ndryshme, duke u manifestuar në politikë, ekonomi dhe në shoqërinë civile, duke përfshirë edhe pjesën akademike. Libri gjithashtu ka një përmbajte të theksuar mbi informacionin rus, pra propagandën ruse, e cila nuk përfshin veç pjesën informative, por edhe operacionet intelegjente të Rusisë siç ka qenë në Mal të Zi, gjithashtu në Maqedoni gjatë vitit 2017 kur intelegjenca serbe dhe ruse ndikuan në trazirat e brendshme në Maqedoni.” – thekson Ibraimi për Nistori.

    Por a vazhdon ndikimi rus në Maqedoninë e Veriut apo pas konfliktit Rusi – Ukrainë, ndikimi ka pësuar rënie?

    “Ndikimi është ndërprerë. Tani duhet të kemi kujdes, pra Qeveria, MPB, Agjencitë e zbulimit të kenë parasysh aktivitete në aspektin, pra të Ambasadave, përfaqësimeve diplomatike dhe kontakteve të drejtpërdrejta të diplomacisë ruse në Maqedoni. Pra, në partitë politike dhe në disa mediume të cilat i kanë financuar ata.” – thekson Ibraimi.

    Sipa publicistit Xhelal Zejnelit, libri vjen pikërisht në periudhën invazive të Rusisë. Ky libër është aktual dhe flet për pasojat e rënda të popujve në Ballkan, në veçanti për shqiptarët. Pra ndikimi rus, sipas Zejnelit vjen konkretisht nga Serbia dhe Aleksandar Vuçiq.

    Publicisti Abdulla Mehmeti librin e vlerësoi si të rëndësishëm në kohë politike të cilët e jetojnë popujt e Ballkanit Perëndimor. Në këtë libër, Abdullai tha se përfshin dokumente, opinione të studiuesve, diplomatëve, studimeve mediatike. Ndikimi i Rusisë, sipas tij, mbetet një ndër pikat më të ndjeshme të qytetërimit të sotëm të botës.

    Edhe publicisti Bardhyl Zaimi duke folur mbi librin shton se me këtë libër kalohet në atë që mund ta quajmë studim. Vlera e këtij libri sjell një palet të gjërë referencash, të cilat vijnë nga studime të thella që i ka kryer studiuesi Selim Ibraimi. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    MËSIMI ONLINE DHE SFIDAT E MATURANTËVE NË TETOVË (VIDEO)

    Lajmi i rradhës

    Maqedonia refuzon për shfrytëzimin e hapësirës ajrore për fluturimin e Lavrovit në Beograd

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë