MËSIMI ONLINE DHE SFIDAT E MATURANTËVE NË TETOVË (VIDEO)

    Gazetare | Aleina Arsllani

    Maturantët në mbarë Maqedoninë e Veriut ditë më parë iu nënshtruan provimit të parë shtetëror në gjuhën amtare. Duke konsideruar se po të njëjtët, një pjesë të madhe të shkollimit të mesëm e mbaruan nëpërmjet mësimin online, ata për Nistori deklaruan se ndihen të cunguar dhe jo mjaftueshëm të përgatitur për studimet e mëtutjeshme, shkruan Nistori.

    Nistori vizitoi maturantët e gjimnazit “Kiril Pejçinoviq” në Tetovë, të cilët ndanë me ne eksperiencën e tyre me mësimin online si dhe planet për studimet universitare. Nga të intervistuarit, por edhe me nxënësit të cilët biseduam në prapaskenë, verejtëm që Informatika si drejtim ishte më i preferuari, shkak kjo i integrimit të madh të teknologjisë në përditshmërinë tonë.

    Enes Asani, maturant i gjimnazit “Kiril Pejçinoviq” deklaroi se edhe pse kanë kryer një pjesë të gjimnazit online, ata janë përsëri mjaftueshëm të përgatitur, duke e ditur se në cilën shkollë kanë qenë dhe janë munduar të kompenzojnë me lexime shtesë.

    Diellza Behadini u shpreh: “Mësimi online dhe pandemia na kanë dëmtuar shumë gjatë procesit mësimor, por nxënësit e mirë që kemi qenë jemi munduar vetë dhe me ndihmën e profesorëve të mësojmë për drejtimin çka do e vazhdojmë”, duke shtuar se në Tetovë ka shumë pak mundësi për të zgjedhur më shumë drejtime në universitet.

    Fëllënza Aliji deklaroi për Nistori: “Edhe nëse s’jemi të përgatitur mjaftueshëm, besoj se do kemi mirëkuptim edhe nga ana e profesorëve në fakultet”.

    Pandemia dhe gjithë rrethanat kanë shkaktuar probleme në vetëbesimin e nxënësve dhe gatishmërisë së tyre për të ardhmen. Anisa Bexheti thotë “Kam qenë pak e shqetësuar se çfarë do të bëj në studime, duke e pasur parasyshë se sa ka ndikuar tek unë personalisht pandemia”.

    Hafsa Ibishi, maturante e po të njëjtit gjimnaz thotë se: “Mësimi online ka qenë një sfidë në vete dhe mjaft e lodhshme dhe jo me aq rezultate të mira”. Nga kjo kuptuam se edhe vetë maturantët nuk kanë arritur të korrin suksesin e dëshiruar gjatë kësaj periudhe.

    Nga ana tjeter Aleina Arsllani potencoi se ndihen të cunguar nga periudha e mësimit online. Ajo deklaroi: “Nuk e patëm suksesin e njëjtë gjatë mësimit online, siç e kishim dy vitet e para kur ishim me prezencë fizike”.

    Profesoresha e muzikës, Fjolla Lena Elmazi për Nistori thotë se, mësimi online në periudhën e pandemisë ishte dështim total dhe kjo pati pasoja edhe te maturantët e atyre viteve që ishin në prag të regjistrimit në universitet.

    “Gjatë kohës së pandemisë, pala më e dëmtuar ishin nxënësit, konkretisht maturantët. U përballën me një situatë të vështirë dhe kaotike, sepse mbyllja e shkollave nuk krijoi probleme vetëm për prindërit dhe nxënësit, por edhe për vetë sistemin arsimor. Mësimi online në periudhën e pandemisë ishte dështim total dhe kjo pati pasoja edhe te maturantët e atyre viteve që ishin në prag të regjistrimit në universitet. Një pjesë e madhe e materialit nuk u përvetësua si duhet në relacion mësues-nxënës, domethënë përthithja e njësive mësimore nuk u bë si duhet, duke u nisur nga problemet teknike e deri te vështirësia e ligjërimit. Shpresoj që nxënësit, maturantët e ardhshëm të mos e kenë fatin e njëjtë, siç ndodhi vitet e kaluara.” – deklaron Fjolla Lena Elmazi, profesoreshë në shkollën shtetërore të Muzikës, e cila ishte testatore në gjimnazin “Kiril Pejçinoviq”.

    Ushtruesja e detyrës drejtoreshë në gjimnaz, Hatije Etemi për Nistori deklaron se “Pas fillimit me mësim fizik, ta kompenzojmë atë pjesë të cilën nxënësit e kanë pasur mangësi gjatë realizimit të vitit që ka qenë online”. Edhe profesoresha Lulzime Xhelili Lazami u shpreh se pas periudhës famëkeqe të pandemisë është dashur dyfish punë për të arritur nivelin e dëshiruar. “Procesi i mësimdhënies dhe mësim nxënies në fakt është nje proces mjaft i ndërlikuar dhe mësimi online ishte më tepër i komplikuar. Megjithatë shkolla jonë si institucion duke pasur parasyshë ndërlikimin e procesit online u angazhua edhe dyfish.” – shtoi ndër të tjera Xhelili.

    Sipas të dhënave të Qendrës Shtetërore të Provimeve (QDF), në testin e gjuhës maqedonase janë regjistruar 11 060 maturantë, për gjuhën shqipe 4308 dhe për gjuhën turke 313.

    Këtë vit për provimin e maturës kanë aplikuar 15.899 nxënës që kanë mbaruar shkollën e mesme, i cili është kusht për t’u regjistruar në fakultet. Prej tyre 7135 janë të shkollave të mesme, 8504 nga shkollat ​​profesionale dhe 260 nga shkollat ​​artistike.

    Provimi i dytë i jashtëm do të jepet më datë 13 qershor në orën 10:00. Është zgjedhur nga studentët, ndërsa këtë vit më të aplikuarit për testin e gjuhës angleze – 14 320 kandidatë. 1231 do të marrë matematikë, 118 do të marrë gjermanisht, 30 do të marrë frëngjisht, 10 do të marrë rusisht, 15 do të marrë filozofi dhe 100 do të marrë estetikë. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Rryma në Maqedoni do të shtrenjtohet sërish!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë