Improvizime, justifikime dhe arsyetime nga komunat në RMV për (mos) hapjen e qendrave rinore

    Zbatimi i Ligjit për Pjesëmarrjen e të Rinjve dhe Politikat e të Rinjve i miratuar në janar të vitit 2020 po shkon shumë ngadalë. Edhe pse është krijuar me qëllim përmirësimin e jetës dhe pozitës së të rinjve në vend nëpërmjet krijimit të qendrave rinore, këshillave rinore lokale, zyrave dhe shërbimeve të tjera për të rinjtë në nivel lokal dhe kombëtar, zbatimi i ligjit karakterizohet me afate të skaduara dhe institucione të pa interesuara, shkruan Meta.mk.

    Sipas Raportit të monitorimit të zbatimit të Ligjit për Politikat e të Rinjve dhe Politikave të të Rinjve të Këshillit Rinor Kombëtar të Maqedonisë (KRKМ), aktualisht në vendin tonë funksionojnë gjashtë qendra rinore komunale funksionale, dhe atë në: Kumanovë, Veles, Ohër, Probishtip dhe Manastir. Përveç këtyre, në fazë fillestare të punës është qendra rinore në Likovë, me një organizim tashmë të përzgjedhur dhe një kontratë të nënshkruar.

    Komunat kanë afat deri në vitin 2025 që të hapin të paktën një qendër rinore, por këtë detyrim deri më tani e kanë përmbushur vetëm 9 përqind e tyre.

    Nga Këshilli Rinor Kombëtar i Maqedonisë, i cili për të dytin vit me radhë po monitoron zbatimin e Ligjit për Pjesëmarrjen e të Rinjve dhe Politikat e të Rinjve, thonë se edhe atje ku ka qendra rinore, shumica e tyre ende nuk kanë programe për punë, e as nuk marrin mjete nga buxhetet komunale.

    “Sa i përket mënyrës se si funksionojnë qendrat rinore, hulumtimi tregoi se deri më tani vetëm 3 qendra rinore kanë programet e tyre të punës, ndërsa në 2 qendra përgatitja e programeve është në vijim e sipër. Pastaj, në disa nga komunat qendrat rinore funksionojnë me përkrahje të donatorëve, por pa marrë mjete financiare nga komuna”, thanë për Meta.mk nga KRKM.

    Nga KRKM janë decid se komunat duhet të fokusohen më shumë në zbatimin e këtij obligimi ligjor.

    “Ajo që thekson KRKM-ja përmes monitorimit të zbatimit të Ligjit për Pjesëmarrjen e të Rinjve dhe Politikat e të Rinjve, por edhe përmes komunikimit të përditshëm me të rinjtë, organizatat rinore dhe komunat, është se hapja e qendrës rinore nga komunat shpeshherë perceptohet si një investim i madh për të cilin përdoret narrative se komuna nuk ka buxhet të mjaftueshëm, edhe pse vetë ligji parashikon ndarjen e 0.1% të buxhetit vjetor të komunës për zbatimin e ligjit”, thonë nga Këshilli Rinor Kombëtar.

    Nga atje thonë se, sipas të dhënave të fituara, pasqyra reale është se do të shkelet afati i përcaktuar ligjor dhe në periudhën kohore të mbetur nuk do mund të bëhet hapja e qendrave funksionale rinore në të gjitha komunat.

    Procedura për hapjen e qendrave rinore dhe sigurimin e cilësisë së tyre është përcaktuar shtesë me Rregulloren për Standardet e Cilësisë së Qendrave Rinore, e cila është miratuar nga Agjencia e Rinisë dhe Sportit (ARS), ndërsa është hartuar bashkë me Unionin për Punë Rinore (UPR).

    Qendrat rinore themelohen nga komunat që miratojnë vendimin për themelimin e tyre, ndajnë hapësira, bëjnë ​​shpalljen e thirrjes për organizatat që do të menaxhojnë qendrën dhe nënshkruajnë kontratën, por janë përgjegjëse edhe për sigurimin e burimeve financiare për funksionimin normal të qendrës.

    Edhe nga Unioni për Punë Rinore zbatimin e ligjit për të rinjtë e vlerësojnë si “shumë të ngadaltë”. Nga atje thonë se komunat në vend që t’u japin prioritet të rinjve, gjejnë arsyetime dhe justifikime.

    “Mendoj se nuk është me vend zgjatja dhe improvizimet, gjetja e justifikimeve dhe arsyetimeve, në vend që t’u jepet njëherë prioritet të rinjve! Paratë që duhet të ndahen çdo vit janë shumë të vogla në raport me rezultatet. Unë, po të isha kryetar komune do të hiqja dorë nga një festival apo nga asfaltimi i 2-3 rrugicave në favor të një Qendre rinore – një hapësirë ​​për të rinjtë që do të jetë në dispozicion të tyre çdo ditë, ku do të kenë edukim, informacion, mbështetje për zhvillimin e tyre, ku do të gjejnë ndihmë për zbatimin e iniciativave të tyre. Në vend që të shpreh pakënaqësi për sjelljen ose pasivitetin e të rinjve, apo eksodin e tyre masiv, do të përpiqesha t’u ofroj atyre më shumë mundësi në vend,” thotë Dragana Mitroviq nga Unioni për Punë Rinore.

    Nga KRKM shtojnë se organizatat lokale rinore janë një partner kyç për funksionimin e suksesshëm të qendrave rinore.

    “Për shkak se punojnë me të rinjtë në komunën e tyre, i njohin nevojat e të rinjve në komunë, por edhe të rinjtë besojnë në punën dhe aktivitetet e tyre, gjë që mund të ndikojë shumë në cilësinë e punës së qendrës rinore. Përveç kësaj, shumica e organizatave rinore janë të hapura për bashkëpunim dhe të gatshme për të menaxhuar një qendër rinore dhe shpesh janë të zëshme në iniciativat e tyre duke theksuar nevojën për hapjen e një qendre funksionale rinore në komunën ku veprojnë. Partneritetet ndërmjet komunave dhe organizatave rinore në lidhje me zbatimin e qendrave rinore paraqesin një model se si mund të forcohet besimi ndërmjet të rinjve dhe institucioneve”, thonë nga KRKM.

    Duke e kuptuar urgjencën dhe rëndësinë e qendrave rinore, tek të rinjtë ka shpresë që Strategjia Kombëtare për Rininë 2023-2027, për të cilën ata thonë se duhet të miratohet së shpejti, do t’u përgjigjet sfidave dhe do të ofrojë plane të qarta veprimi për ta përshpejtuar themelimin e këtyre qendrave në mbarë vendin.

    Nga UPR thonë se hapja e një qendre rinore do të sjellë ndryshime pozitive në çdo komunitet dhe për këtë arsye është e nevojshme që komunat ta përmbushin sa më shpejt këtë detyrim ligjor.

    “Imagjinoni sikur në çdo komunë të kemi të paktën një qendër rinore – një hapësirë ​​të sigurt, të aksesueshme për të gjithë të rinjtë në komunë, ku do të ketë të paktën një punëtor/e rinor/e (një person i kualifikuar – i aftë për të edukuar, informuar, mentoruar, mbështetur, planifikuar dhe organizuar evente), e ku për çdo ditë vijnë të paktën nga 10 të rinj. A mendoni se do të ketë ndikim në pjesëmarrjen e të rinjve, ngritjen e kapaciteteve, inkurajimin e kreativitetit, të menduarit kritik dhe aktivizimin e të rinjve? Jam absolutisht e sigurt se puna e vazhdueshme e Qendrave Rinore do të sjellë ndryshime pozitive në çdo komunitet”, thotë Mitroviq nga Unioni për Punë Rinore.

    Ajo gjithashtu komentoi se miratimi i Ligjit për Pjesëmarrjen e të Rinjve dhe Politikat e të Rinjve ka ndikuar edhe në njohjen e punës rinore, por se edhe këtu ka shumë punë për të bërë.

    Përndryshe, në raportin e monitorimit të zbatimit të Ligjit për Pjesëmarrjen e të Rinjve dhe Politikat e të Rinjve është theksuar se nuk janë përmbushur edhe obligimet e tjera ligjore. Kështu, ende nuk është themeluar Kuvendi Kombëtar për të Rinjtë dhe Organi Këshillimor Kombëtar për Politikat Rinore, ndërkohë që këshillat rinorë lokalë ekzistojnë vetëm në 19 komuna.

    Vetëm një komunë ka themeluar ashtu siç duhet një zyrë për të rinjtë, ndërsa shtatë komuna kanë miratuar një strategji lokale për rininë.

    Ndryshe, numri i të rinjve në Maqedoninë e Veriut është zvogëluar për gjashtë përqind në mes të dy regjistrimeve të popullsisë nga viti 2002 deri në vitin 2021, thuhet në analizën me emrin “Rinia dhe Regjistrimi” e cila u promovua në kuadër të konferencës “Kushtet rinore dhe financimi i politikave rinore në Maqedoninë e Veriut”, organizuar nga Fondacioni për Demokraci Westminister (VFD).

    Lajmi Paraprak

    Ambasada e Gjermanisë në Shkup me njoftim të rëndësishëm për aplikuesit e vizave

    Lajmi i rradhës

    PThP nuk e përjashton mundësinë e ndjekjes penale të Ramiz Merkos

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë