13 VITET E PRITJES PËR ÇARSHINË! | As ligji nuk i mbron dot monumentet

    Çarshia e vjetër e Shkupit / Fotografia: Ramadan Abdiu

    Një ligj me mangësi në formulim, një plan urbanistik që nuk u hartua kurrë, një program pesë vjeçar që nuk u bë, një studim që nuk është aprovuar… Këto janë disa nga konstatimet që rreken të sqarojnë se edhe pse kanë kaluar mbi 13 vjet, Çarshia e Shkupit nuk ka një Programi për mbrojtjen, konservimin dhe revitalizimin. Në ndërkohë, kaosi urbanistik vazhdon në zonën për të cilën në vitin 2008 hyri në fuqi ligji që e shpallte monument kulture. Një kompleks monumental i klasifikuar si trashëgimi kulturore e një rëndësie të veçantë, nënkategoria – me rëndësi të jashtëzakonshme, nën kompetencat e komunave Çair dhe Qendër sa i takon përgjegjësisë dhe marrjes së masave për mirëmbajtjen, ruajtjen dhe përdorimin e duhur, së bashku me Qendrën e Konservimit Shkup në aspektin konservues.

    Konkretisht një raport i Revizionit Shtetëror lidhur me Trashëgiminë e sjell sërish në vëmendje neglizhencën institucionale për programin revitalizues që duhej të ishte shpallur gjashtë muaj pas miratimit të ligjit. Programi duhej të ishte përfunduar gjatë mandatit të Këshillit të krijuar enkas për këtë punë, por nuk ndodhi as me formimin e Këshillit të dytë dy vjet më parë. Ky i fundit ka deklaruar se ka hartuar një studim i cili nuk është aprovuar dhe miratuar ende nga Qeveria.

    “Në bazë të intervistave të bëra me persona kompetentë,revizioni ka konstatuar se arsyeja kryesore për mosrealizimin e Programit për rivitalizimin është se në hapësirën ku shtrihet Çarshia nuk është miratuar plan urbanistik (PDU) për sipërfaqen në tërësi, në bazë të bazave mbrojtëse konservuese të përgatitura nga IN QK Shkup me masa të lejuara dhe kufizuese për secilën pjesë përbërëse individuale të monumentit në tërësi. Shkak për situatat e përmendura është edhe mungesa e një metodologjie për krijimin dhe zbatimin e planit dhe programit. Kushtet e deklaruara ndikojnë negativisht në mbrojtjen, rregullimin, ruajtjen e përhershme të vlerave kulturore dhe autenticitetit, mundësinë e rivitalizimit dhe shfrytëzimit racional të Çarshisë së Vjetër të Shkupit dhe të zonave të kontaktit të tij në zonat e kontaktit”, thuhet në raport.

    Pavarësisht kësaj, përgjegjësia gjatë këtyre viteve kufizohet vetëm në konstatime për neglizhenca institucionale, mosrespektime të afateve ligjore, përmbushje detyrimesh… deri edhe në përkufizime ligjore të cunguara. “Ligji parashikon që plani miratohet nga subjekti i përcaktuar me aktin për mbrojtjen e pronës, por nuk ka përcaktim të qartë dhe të saktë të subjektit përgjegjës për menaxhimin e monumentit, për këtë arsye nuk është miratuar; me qëllim që Çarshia t’i shërbejë nevojave kulturore, shkencore, arsimore, estetike, ekonomike, turistike dhe të tjera të qytetarëve, ndër të tjera u konstatua se mungon plani për menaxhimin e kompleksit në tërësi, masat dhe aktivitetet për mbrojtjen, plani për zbatimin e planit me implikimet financiare të nevojshme për zbatimin e tij, subjektet dhe mënyra e zbatimit të planit”, konstatojnë revizorët.

    VETËM 18 PËR QIND E TRASHËGIMISË ËSHTË E REVALORIZUAR

    Nga gjithsej 1292 monumente kulture vetëm 233 prej tyre janë revalorizuar, që do të thotë së vetëm 18 për qind prej tyre kanë arritur të klasifikohen dhe të kategorizohen sipas rëndësisë që kanë. Procesi duhej të përfundonte të paktën në vitin 2009, tre vjet pas miratimit të Klasifikimit nacional. Sipas raportit të revizionit nga katër institucionet që merren me këtë punë vetëm Enti dhe Muzeu i Ohrit ka realizuar në pjesën më të madhe obligimin, duke revalorizuar 80 për qind të pasurive (191), Qendra e Konservimit Shkup 34 për qind, Qendra Nacionale e Konservimit 29 për qind të monumenteve (gjithsej 95) dhe Enti dhe Muzeu i Prilepit vetëm 6 për qind (gjithsej 16). Si “monumente të një rëndësie të veçantë” në nënkategori të ndryshme Drejtoria e Mbrojtjes së trashëgimisë kulturore që nga viti 2017 e deri në 2021 ka arritur të shpallë Xhaminë e Larme në Tetovë (2017), Kishën Shën Gjorgji në Nagoriçan (2017), Shtëpinë e Llazar Liçenovskit në Shkup (2017), Manastiri Shën Andrea në Saraj-Matkë (2018), Lokalitetit arkeologjik Heraklea në Manastir (2018), Akuaduktin në Shkup (2021). /koha/

    Lajmi Paraprak

    Mungojnë ilaçet në barnatoret dhe klinikat e Kumanovës

    Lajmi i rradhës

    INFLACIONI, BRENGA MË E MADHE: Telashet nuk kanë të sosur

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë