Inflacioni vështirë gjen ilaç

    Të dhënat për muajin maj tregojnë se në tërë rajonin dhe në Evropë po shënohet inflacion i lartë. Në Maqedoninë e Veriut në muajin qershor është shënuar inflacion rekord prej 14.5 për qind, pas shifrave të larta prej atij prej 11.9 për qind në muajin maj. Qytetarët po i vërejnë për çdo ditë në portofolin e tyre shtrenjtimet e ndryshme si ato të shtrenjtimit të biletave për shembull Shkup-Tetovë në 200 denarë, që vetëm para disa vitesh kushtonin 100 denarë, rritjen e bukës në 45 denarë, të vajit për ngrënie prej 60-70 në mbi 150 denarë, të rrymës prej 7.4 për qind në faturën e korrikut që do të paguhet në gusht, si dhe shtrenjtimin e caktuar edhe me vendosjen e tarifave, të benzinës dhe naftës nga 50-60 denarë në 100 denarë e kështu me radhë. Ekzekutivi në vend në muajt e kaluar subvencionoi rrymën dhe derdhi me qindra miliona euro për të stabilizuar ngrohjen në Shkup dhe mbajtur nën kontroll koston e energjisë për amvisëritë, ngriu çmimet dhe marzhat, ndërsa pritet të realizohet edhe pakoja më e re e ndihmave ekonomike me vlerë prej mbi 70 milionë euro.

    Në Shqipëri, inflacioni ka kapërcyer në qershor në 7.4 për qind si niveli më i lartë i 20 viteve të fundit, duke dëshmuar se rritja e fortë e çmimeve nuk ka të ndalur. Ushqimet dhe transporti janë dy grupet kryesorë që kanë shkaktuar rritjen e inflacionit. Kjo për shkak të shumë produkteve ushqimore që i importojmë, si dhe karburanteve, që gjithashtu sigurohen nga importi. Në Kosovë, norma vjetore e inflacionit e matur në muajin qershor 2022 në krahasim me muajin qershor 2021, ka shkuar në 14.1 për qind. Produktet që janë shtrenjtuar më së shumti janë buka, drithërat, mishi, pemët dhe karburantet.

    Çmimet e bukës, drithërave, mishit, pemëve dhe karburanteve veç për muajin qershor janë rritur dukshëm krahasuar me muajin paraprak të këtij viti. Në zonën e euros, apo në shtetet evropiane që përdorin euron, inflacioni në muajin qershor ka arritur në 8.6 për qind. Në Kroaci gjithashtu inflacioni ka arritur në shifrat dyshifrore prej 10.8 për qind, ndërsa të ngjashme kanë qenë të dhënat për inflacionin në Serbi me 10-11 për qind për muajt qershor dhe korrik.

    Në Bosnje e Hercegovinë gjithashtu është shënuar rekord inflacioni prej 14.4 për qind në muajin maj, ndërsa në Mal të zi shkalla e inflacionit ka arritur në 11.7 për qind. Situata e rritjes së çmimeve vijon tashmë prej shumë muajsh dhe ka qenë më e ndjeshme pas muajit shkurt, kur nisi edhe lufta në Ukrainë. Inflacioni i lartë është një ndër shqetësimet kryesore të ekonomisë së Maqedonisë së Veriut dhe jo vetëm.

    Trendi i shtrenjtimeve filloi me fillimin e pandemisë dhe ndërprerjen e zinxhirit të furnizimeve dhe ndërprerjes së përkohshme të një pjesë të prodhimit në Kinë, mirëpo tronditja më e madhe erdhi me krizën energjetike dhe luftën në Ukrainë. Ekonomia e Maqedonisë së Veriut si e hapur edhe e varur me të madhe nga importi, gjendet nën një goditje serioze nga inflacioni, andaj ekspertët sugjerojnë që ekzekutivi dhe Banka Popullore duhet të bashkë veprojnë për të zbutur rritjen e çmimeve. “Rritja e çmimeve është një fenomen botëror që nuk mund t’i ikë as një ekonomi e vogël dhe e hapur si e jona, ku përskaj luftës në Ukrainë dhe rritjes së energjenseve që shtrenjtojnë edhe çmimet e prodhimeve tjera, ka ndikuar vendosja e sasive të mëdha të të hollave në botë në krizën e shkaktuar nga pandemia, për të zbutur efektet e krizës që shkaktoi ajo, që po krijojnë presion ndaj kërkesës dhe tani duhet të tërhiqen. Andaj edhe po rriten shkallët e kamatës për të tërhequr paratë”, thotë ish kreu i Bankës Popullore, Ljubo Trpevski. Ai përshëndet kursimet e paralajmëruara qeveritare, mirëpo shton se nuk nevojitet tani masa populiste, por duhet të shpëtohet ekonomia dhe me aq sa mundet të zbutet rritja e çmimeve që dominohet nga faktorët e jashtëm dhe ku nuk mund të ndikohet. Andaj nevojitet që të ulen shpenzimet joproduktive dhe të intervenohet në ato sektorë që mund të sjellin rritje ekonomike.

    Nga Banka Popullore thonë se për shkak të rritjes së çmimeve të produkteve bazë në bursat botërore dhe ndërprerjeve në zinxhirët e furnizimit, të cilat ndikojnë edhe në llojet e tjera të produkteve, inflacioni vazhdon të shfaqë tendenca rritëse, si në nivel global, ashtu edhe në ekonominë tonë, e cila në masë të madhe varet nga importet. Duke marrë parasysh lëvizjet inflacioniste, si dhe lëvizjet e tregut valutor, Banka Popullore vazhdimisht përdor të gjitha instrumentet në dispozicion për menaxhimin e likuiditetit dhe ndikimin e normave të interesit.

    Banka Popullore, vijon me normalizimin gradual të politikës monetare për ruajtjen e stabilitetit afatmesëm të çmimeve, nëpërmjet rritjes së mëtejshme të normës bazë të interesit. Në mbledhjen e fundit të Komitetit për politikë operative monetare u vendos rritja e mëtejshme e interesit të bonove të thesarit me 0.5 pikë për qind, në nivelin 2.5 për qind. Oferta e bonove të thesarit në ankandin e rregullt nuk ka ndryshuar dhe arrin në 10 miliardë denarë. Pritet që rritja e deritanishme e normave të interesit, së bashku me ndryshimet e bëra në normat e heqjes mënjanë të rezervave të detyrueshme në valutë vendase dhe të huaja, të vazhdojë të ndikojë në politikën e interesit të bankave duke nxitur kursimet në monedhën vendore. Gjatë marrjes së këtij vendimi vendimit, janë marrë parasysh veçanërisht zhvillimet e fundit të inflacionit. Në periudhën janar – qershor 2022, norma vjetore e inflacionit është mesatarisht 10 për qind, që është më shumë krahasuar me parashikimet e fundit. Pjesa më e madhe e inflacionit të brendshëm është rezultat i presionit nga çmimet e importit të ushqimeve dhe energjisë elektrike, të cilat deri tani janë duke u rritur më shumë se sa pritej. Këto presione kalojnë shpejt në çmimet e produkteve dhe shërbimeve të tjera dhe nxisin më tej pritjet inflacioniste.

    Të dhënat dhe pritshmëritë më të fundit në tregjet botërore tregojnë për një lehtësim gradual të presioneve mbi çmimet. Përkatësisht, për herë të parë pas një kohe, pritjet për çmimet e ushqimeve janë rishikuar në rënie. Në të njëjtën kohë, si çmimet e naftës ashtu edhe ato të ushqimeve pritet të stabilizohen në gjysmën e dytë të vitit 2022 dhe më pas të ulen. Megjithatë, pasiguria e lëvizjeve të ardhshme të çmimeve të energjisë dhe ushqimeve është theksuar nga zhvillimet ushtarake në Ukrainë.

    Në përgjithësi, rreziqet për kontekstin e përgjithshëm makroekonomik janë ende të theksuara dhe lidhen kryesisht me mjedisin e jashtëm. Rreziku kryesor vazhdon të jetë pasiguria në lidhje me rrjedhën dhe kohëzgjatjen e konfliktit ushtarak midis Rusisë dhe Ukrainës dhe ndikimin e tij në çmimet dhe aktivitetin ekonomik në nivel global. Rreziqet e pandemisë Kovid-19, e cila ende nuk ka përfunduar, nuk duhet të anashkalohen. Në kushte të tilla del edhe më shumë nevoja për politika të brendshme të kujdesshme. Banka Popullore monitoron nga afër të dhënat makroekonomike dhe rreziqet që lidhen me to dhe do të vazhdojë të veprojë duke përdorur të gjitha instrumentet në dispozicion, për të ruajtur stabilitetin e kursit të këmbimit dhe stabilitetin afatmesëm të çmimeve.

    Ekspertët presin që gradualisht edhe masat e Bankës Qendrore për rritjen e shkallës së kamatës referente të ulin paratë në qarkullim, të kufizojnë konsumin dhe pjesërisht edhe të ulin çmimet, por që do zgjasë si proces. Vlerësohet se edhe ngrirja e çmimeve mund të ketë vetëm një efekt afatshkurtër, dhe mund të sjellë mungesë në treg të prodhimeve që ju kufizohen çmimet, andaj preferohet mbulimi i dallimit të çmimeve nga ana e qeverisë apo edhe import nga jashtë. Ekzekutivi duhet të mendojë edhe për heqjen dorë nga një pjesë e tatimit të vlerës së shtuar, akcizave dhe të ngjashme si efekte që më shpejt do të targetojnë uljen e inflacionit, mirëpo problem në këtë drejtim janë edhe të hyrat dhe të dalat e planifikuara në arkën e shtetit që duhet të kompensohen prej tjetër kund, si dhe ngushtimi i hapësirës fiskale apo i mundësisë së hyrjes në borxhe të reja. /Kohamk/

    Lajmi Paraprak

    Vetëm dy policë hetojnë përdhunimet e kohës së luftës

    Lajmi i rradhës

    A do të organizohet referendum kundër propozimit francez?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë