Institucionet i ikin përgjegjësisë për keqpërdorimin e balancuesit

    Asnjë institucion shtetëror nuk e merr përsipër “fajin” përse etnitetet e tjera punësohen në emër të shqiptarëve. Rasti i fundit u evidentua në Agjencinë e Aviacionit Civil, kur shtetasi Sasho Novkoski, maqedonas, më 14 shtator u punësua duke u deklaruar si shqiptar. Drejtori i kësaj agjencie Tomisllav Tuntev tha se nuk kanë kriter etnitetin por kualifikimet në vendin e punës, që në këtë rast është kërkuar Këshilltarë/Inspektorit për operacionet të fluturimeve civile në trafikun ajror.

    “Aspak nuk është e rëndësishme përkatësia etnike, ju kur hyni në aeroplan nuk pyesni nëse piloti është maqedonas, shqiptar, vlleh apo turk. Na intereson ti ketë kualifikimet me të gjitha certifikatat për siguri dhe licencat sipas rregullave ndërkombëtare dhe kjo është më e rëndësishmja për trafikun ajror. Nga 71 të punësuar me orar të plotë, 16 janë shqiptarë që nënkupton 23%, ka edhe turq, serb, boshnjak, romë”, tha Tomisllav Tuntev, Drejtor i Agjencisë së Aviacionit Civil.

    Sipas ligjit, konkursin për nëpunës shtetëror dhe administratë publike e shpall Agjencia e Administratës në bazë të kërkesave të një institucioni përkatës me kualifikimet adekuate për punë. Kurse, kushtin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat e shton Ministra e Shoqërisë Informative dhe Administratës, duke e praktikuar mekanizmin e balancuesit. Nga Agjencia Administratës thonë se kanë vepruar sipas ligjit.

    “Nuk kemi të drejtë ligjore të ja mohojmë ndonjë qytetari se si të shprehet për përkatësinë etnike. Me ligjet aktuale, nuk ka asnjë pengesë formale juridike që mund të ndaloj këtë fenomen. Mekanizmi i balancuesit është vendosur për rregullimin e numrit të punësuarve në një institucion shtetëror për të pasur një përfaqësim të drejtë dhe adekuat, i cili duhet të respektohet në të gjitha konkurset publike”, thonë nga Agjencia e Administratës.

    Keqpërdorimi i balancuesit është bërë ndër vite, pothuajse në të gjitha institucionet shtetërore kur bëhet fjalë për vendet e rezervuara për shqiptarët dhe të tjerët. Shfrytëzimi i vakumit ligjor, ka bërë që as në certifikatat e lindjes as në dokumentet personale të mos evidentohet grafa etnike, gjë që secili që synon për të marr hise nga pozitat e punës së shqiptarëve, shkon në notar dhe deklarohet si i tillë. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Ndryshimet në Kodin Penal nuk e shpëtojnë Gruevskin në rastin “Titanik”

    Lajmi i rradhës

    Kërkim falja nuk të amniston o Valon Syla!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë