INVESTIMET E HUAJA NË FOKUS! Akuza të ndërsjellta pozitë-opozitë

    Investimet e huaja të drejtpërdrejta kanë qenë temë përplasjesh midis LSDM-së në pushtet dhe VMRO-DPMNE-së opozitare. Kjo e fundit ka akuzuar pushtetin se në pesë vitet e fundit po mungojnë politikat për tërheqjen e investimeve të reja të huaja.

    “Mungon strategjia për tërheqjen e investimeve, askush nuk e di nëse dikush punon në këtë fushë. Maqedonia prej vitesh nuk ka një politikëbërës për investimet e huaja direkte. Por pavarësisht kësaj situate, ne dëgjojmë shpalljen e koncepteve të reja, politikave të reja dhe si gjithmonë, ato janë me mungesa shumë të mëdha dhe joreale”, thotë Marija Miteva nga VMRO-DMPNE.

    Ajo shtron edhe pyetjen pse të gjitha investimet e huaja marrin ndihmë individuale shtetërore, ndërsa ato vendore po marrin sipas skemës së ndihmës shtetërore. Për më tepër pyet edhe pse në zona ka ende vetëm një kompani vendore e cila ka investuar më parë, edhe pas më shumë se pesë vitesh së ndryshimit të pushtetit.

    Nga Drejtoria e Zonave Ekonomike thonë se “KIEL”, është kompania e parë që tashmë punon në vend dhe bëhet pjesë e familjes zonave dhe që nuk do të përdorë stimuj tatimorë, por ka vendosur të përdorë shërbime nga shteti dhe mbështetje në infrastrukturë dhe tokë.

    “Kjo është një konfirmim që me modelin e funksionimit të zonave që kemi ngritur, kompanitë njohin tek ne një partner të vërtetë. Ky është një moment historik shumë domethënës jo vetëm në funksionimin e zonave por edhe në përgjithësi në nxitjen e investimeve. Ky model që zhvilluam për Kilin është një hap shumë i rëndësishëm përpara edhe për kompanitë vendore. Kjo nënkupton edhe barazimin praktik të kushteve të investimit në zona për kompanitë vendase dhe të huaja”, thotë drejtori i Zonave Industriale, Jovan Despotovski.

    Nga ana tjetër, nga VMRO shtrojnë edhe çështjen se cila është strategjia për tërheqjen e investimeve të huaja, kush i tërheq konkretisht investime të reja, si dhe ku? Cilët janë sektorët me prioritet dhe cili kuadër ka njohuritë dhe përvojën në to për të analizuar dhe përzgjedhur kompanitë e targetuara dhe më pas për të joshur menaxhmentin e këtyre kompanive. Ata theksojnë edhe raportin e Revizorit shtetëror ku theksohet se tërheqja e investitorëve të huaj është ende e shpërndarë në disa organe shtetërore, ndonëse disa herë është paralajmëruar sistemi një sportel dhe me një ndalesë, i cili ende nuk është definuar. Raporti thekson edhe mungesën e miratimit të strategjisë për investimet e huaja, si dhe vonesën e miratimit të programit trevjeçar investues për periudhën 2022-2024.

    Nga Drejtoria e Zonave teknologjike-industriale thonë se punët po ecin mirë në raport me investitorët e huaj që po shënojnë rezultate të mira. Duke shtuar se që nga fillimi i vitit janë realizuar investime prej 370 milionë euro, deri në fund të muajit tetor nga zonat kemi 3.1 miliardë euro eksport që është për 26 për qind më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar dhe paraqet nivelin më të lartë deri tani.

    “Që nga fillimi I vitit kemi 2000 punësime të reja në zonat, me çka për herë të parë është rritur numri i punonjësve në 16 mijë. Sipas analizave të rregullta mujore, kjo është një rritje prej 16 për qind për një vit”, thotë drejtori i Zonave industriale, Jovan Despotovski.

    Sipas tij, me konceptin e ri, kontratat e investimeve të kompanive tashmë përfshijnë lidhjen e një pjese të subvencioneve me një dinamikë të caktuar të rritjes së pagave. Andaj pres që rritja e pagave të vazhdojë nga viti 2021, kur pagat në zona për herë të parë e tejkaluan mesataren shtetërore.

    Nga Drejtoria e Zonave theksojnë se Maqedonia e Veriut më nuk është vend i fuqisë së lirë punëtore, por vend me kapacitete dhe kushte për investime të mëdha. Për më tepër, jo vetëm se po rriten pagat e punonjësve në zona, por edhe rriten të ardhurat në arkën e shtetit me afër 2 miliardë denarë vetëm në vitin 2021 për kontributet dhe tatimin personal në të ardhura, që për tre herë e tejkalon nivelin e përkrahjes shtetërore të paguar për kompanitë.

    Gjithashtu për më pak se dy vite janë nënshkruar marrëveshje për investime të reja me vlerë prej mbi 620 milionë euro që është për mbi dy të tretat se vëllimi I realizuar në dekadën e kaluar. Dy të tretat e këtyre investimeve po investojnë për herë të parë në vend duke hapur 5000 vende të reja pune.

    Ndryshe, subvencionimi i investitorëve të huaj hasi në zëra kritik nga biznesi vendor dhe ekonomistët për shkak se u ofruan benefite të mëdha për investimet në zonat teknologjike të orientuara në eksport, karshi kompanive vendore. Si dobësi për kompanitë vendore është theksuar mos orientimi i dobët ndaj eksportit dhe bashkëpunimi i ngadalshëm edhe si furnizues me investitorët e huaj. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Mlladen Çadikovski, edhe një mandat në krye të ShGM-së

    Lajmi i rradhës

    KRIZA EKONOMIKE | Gastronomët në RMV përballen me vështirësi të shumta

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë