A do të lëvizë më shpejt Bashkimi Europian?

    LEONIDHA MËRTIRI

    Tri ditë më parë, Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, gjatë një konference shtypi në Pallatin Elysse, kërkoi “riangazhim” dhe “riinvestim” të Bashkimit Europian në Ballkanin Perëndimor, për t’u prerë rrugën tensioneve në rajon dhe ndërhyrjeve që i shërbejnë destabilizimit në kontinentin tonë. Madje, sipas tij, gjatë Presidencës Franceze të BE-së do të zhvillohet dhe një konferencë për Ballkanin Perëndimor.

    Po përse është lënë rajoni ynë në gjendjen që është sot? Që të përsëriten kështu po ato fraza “për të qartësuar perspektivën europiane” të vendeve të këtij rajoni, siç nënvizoi sërish zoti Macron? Dhe një muaj e gjysmë më parë ishin po krerët e Bashkimit Europian në Samitin e Sllovenisë, që nga njëra anë i vërtiteshin parafabrikatit të njohur për më shumë mbështetje të Ballkanit Perëndimor në rrugën e integrimit të tij në BE dhe nga ana tjetër, kurrfarë parashikimi apo kufiri për realizimin e objektivit në këtë drejtim. Kjo përsëritje e frazave të njohura i shkon më shumë për shtati Presidentit francez në këto momente:

    Së pari, Franca do të ketë presidencën e radhës së Këshillit Europian gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit të ardhshëm.

    Së dyti, mendohet që zoti Macron të kandidojë për një mandat të dytë në zgjedhjet që do të zhvillohen në prillin që vjen. Kështu, angazhimi i presidencës franceze në BE të jetë dhe një avantazh për rizgjedhjen e tij dhe jo në të kundërtën.

    Franca ka qenë nga vendet më skeptike për zgjerimin e Bashkimit Europian me vendet e Ballkanit Perëndimor. Një vit më parë, ajo ishte nga aktorët më këmbëngulës për moshapjen e negociatave për anëtarësimin në BE të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Sipas barometrit të asaj periudhe, zgjerimin e BE-së e përkrahnin 32 për qind e të intervistuarve të qytetarëve francezë, teksa 58 për qind e tyre e kundërshtonin atë. Duke mos pasur një qëndrim unik të vendeve anëtare, vetoja e Francës dhe e disa vendeve të tjera kundër fillimit të bisedimeve të mësipërme, flet qartë për mosgatishmërinë e tyre për integrimin në BE të Ballkanit Perëndimor. E rëndësishme është se çfarë do të ndryshojë ndaj këtij të fundit.

    Ajo që duhet të ndryshojë kur flasim për mbështetje të BE-së, nuk është thjesht fjala për t’i tejngopur njerëzit e këtyre vendeve me premtime boshe, për të kaluar radhën, të cilat vetëm zvarriten të lodhura nga një presidencë e radhës në tjetrën. Nëse flitet për planin ekonomik të BE-së për këtë rajon, sa ka zgjuar ai rimëkëmbjen ekonomike të tij drejt integrimit europian. Inflacioni i premtimeve nuk inkurajon, përkundrazi, lë në vendnumëro përparimin konkret të integrimit të këtyre vendeve në BE. Nëse shpalosen sebepe, si ato të Bullgarisë për Maqedoninë e Veriut, pas insistimit për ndryshimin e emrit të saj, pavarësisht ngërçit ekzistues, zhgënjimi bëhet më i madh. Nesër mund të mbijnë ngërçe të tjera. Pasiguria, zhgënjimi vinë duke u rritur. Kështu, edhe premtimet kthehen në parafabrikate, që, të tilla, kuptohet, nuk mund të jenë kurrsesi të mjaftueshme përballë plotësimit të kushteve reale për anëtarësim, të cilat nuk janë aq të lehta për vendet e Ballkanit Perëndimor. Stabilizimi i rajonit si pjesë e Europës nuk është thjesht në interes të vendeve që përfshihen në të. Kjo po se po, por edhe në interes të vendeve të BEsë. Në këtë mënyrë, edhe vende të tjera të interesuara për të, që nuk janë në BE, do të mbaheshin më larg apo me një impakt më të zbehtë ndaj qëndrimeve keqdashëse për të penguar përfshirjen e rajonit në strukturat euroatlantike, distancimin e tij nga Europa. Zbrazëtia politike dhe ekonomike, e krijuar nga BE-ja, do të mbushet nga aktorë të tjerë ndërkombëtar, si Rusia, Kina etj., mbështetur për fat të keq kjo nga tensionet etnike e sociale në vendet e rajonit, nxitur diku dhe nga pushtetet oligarkike të tyre. Pavarësisht këtyre, ritheksojmë, se Ballkani Perëndimor është i lidhur pazgjidhmërisht me Europën, lidhje që nuk mund të sfumojë kurrfarë përpjekje për interesa strategjike të dikujt jashtë rajonit, që synon izolimin prej saj.

    Pra, njerëzit kanë nevojë për një tablo me veprime reale optimiste e jo për motive që e ngujojnë Ballkanin Perëndimor me vështrimin tek e djeshmja. Situata aktuale në Bosnjë-Hercegovinë, të cilën Përfaqësuesi i Lartë Ndërkombëtar në këtë vend e shikon me rreziqe ekzistenciale, nxitur nga këmbëngulja e serbëve për shkëputjen e Republikës Serbe, mbështetur fuqimisht nga Beogradi apo situatat e provokuara prej tij ndaj Kosovës, nën diktatin e njohur kjo edhe të Rusisë, janë sfida për BEnë dhe vetë NATO-n. Këto kërkohet të lëvizin më shpejt dhe për të qënë më koherente./Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Johnson: Pushtimi i Ukrainës do të ishte gabim strategjik dhe me pasoja domethënëse nga Rusia

    Lajmi i rradhës

    Psikologjia kontribuon në zhvillimin e një shoqërie të shëndetshme

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë