Kandidati bullgar për president është arrestuar për një sulm në një qendër të komunitetit LGBT

    Në Bullgari, një kandidat nacionalist i krahut të djathtë për zgjedhjet presidenciale që mbahen këtë muaj (nëntor, 2021) është arrestuar dhe akuzuar për një sulm në një qendër të komunitetit LGBT (homoseksual, lesbike, biseksual dhe transgjinor) në Sofje.

    Boyan Rasate u ndalua nga policia dhe ai po përballet me akuzat për huliganizëm dhe përfshirje në dhunë, tha në një deklaratë më 3 nëntor Zyra e Prokurorit në Sofje.

    Ndjekjes penale iu hap rruga pasi disa ditë më parë atij iu hoq imuniteti ligjor si kandidat presidencial.

    Për të dyja veprat penale parashihet dënim me burgim. Bullgaria është vend anëtar i Bashkimit Evropian. Prokurorët thanë se 50-vjeçari, Rasate, nuk e ka pranuar fajësinë.

    Si ndodhi ngjarja?

    Më 30 tetor, një grup prej rreth 10 personash sulmuan dhe vandalizuan Rainbow Hub, një qendër për organizimin e ngjarjeve të lidhura me komunitetin LGBT në qendër të Sofjes.

    Fondacioni Bilitis që merret me drejtimin e kësaj qendre akuzoi Rasate se drejtoi sulmin.

    Qendra është e vendosur në një bllok apartamentesh në kryeqytetin bullgar, dhe më 30 tetor kishte organizuar një ceremoni, kur grupi hyri brenda dhe filluan të shkatërronte çdo gjë që i dilte përpara.

    Mobilje të shkatërruara, disa prej tyre të lyera me ngjyrë të zezë, shihen të shpërndara në këtë qendër, pas incidentit.

    Rasate akuzohet gjithashtu se ka goditur me grusht njërën prej grave brenda qendrës në momentin e sulmit, si dhe ka mbajtur një thikë.

    “Në mënyrë që t’i ndaloj ata të hyjnë fillova të bërtas: Jo! Ai (Rasate) më goditi dhe vazhdoi të hynte brenda. Të tjerët e ndiqnin”, tha për Shërbimin Bullgar të Radios Evropa e Lirë, aktivistja e kësaj qendreje, Gloriya Filipova.

    Një grup prej disa personash ishin mbledhur në qendrën Rainbow Hub në orën 17:00 më 30 tetor për atë që Fondacioni Bilitis e përshkroi më vonë si një “mbledhje trans-komunitare”.

    Rreth gjysmë ore pasi filloi takimi, ra zilja e derës, tregon Filipova.

    “Një vajzë shkoi ta hapte. Edhe unë shkova te dera për të parë se kush ishte. Ndërsa po afrohesha, një grup burrash tashmë po hynin brenda”, tha ajo.

    Shumë shpejt ajo e kuptoi se Rasate po e drejtonte bandën.

    Ata filluan menjëherë të thyenin mobiljet, të rrokullisnin tavolina dhe karrige, të ngjyrosnin nëpër mure, si dhe të thyenin një kompjuter që përdorej për të transmetuar online ceremoninë.

    Gjatë kaosit disa anëtarë të komunitetit LGBT, që ishin brenda qendrës, arritën të dilnin jashtë.

    “Por, shumica prej nesh ishim shtangur dhe prisnim që të përfundonte”, rrëfen Filipova.

    Pasi përfunduan vandalizimin e qendrës, sulmuesit filluan të largohen, por jo edhe kandidati për president i Bullgarisë.

    “Ai u ndal para meje. Kjo më frikësoi sepse ai më kishte goditur një herë dhe nuk e dija nëse do të më godiste përsëri”, tha Filipova.

    “I thashë, pasi e bëtë këtë mund të largoheni? Ai tha: “Jo, kam akoma një punë dhe nxori një thikë”, thotë ajo.

    Komuniteti ndërkombëtar e dënon sulmin

    Sulmi në Rainbow Hub është dënuar jo vetëm në të gjithë spektrin politik bullgar, por edhe nga disa ambasada në Sofje, duke përfshirë atë të Shteteve të Bashkuara, Mbretërisë së Bashkuar dhe Francës.

    Më 1 nëntor, ambasadorët vizituan Rainbow Hub. Ata thanë se vizita bëhet “për të shprehur solidaritetin me miqtë dhe partnerët tanë pas këtij sulmi të pakuptimtë”.

    Organizata Joqeveritare ILGA-Europe, e cila mbron interesat e komunitetit LGBT, e dënoi sulmin dhe u kërkoi autoriteteve bullgare “të dënojnë publikisht sulmet, të hetojnë dhe të sanksionojnë sulmuesit”.

    Ky sulm ka hedhur dritë mbi mungesën e tolerancës ndaj komunitetit LGBT në Bullgari.

    Më herët, Fondacioni Bilitis kishte njoftuar se ka paraqitur në Ministrinë e Drejtësisë në Bullgari një peticion me më shumë se 8 mijë nënshkrime përmes së cilit kërkohej që të përfshihen në Kodin Penal krimet e urrejtjes bazuar në orientimin seksual dhe identitetin gjinor.

    Më 27 tetor, Gjykata Kushtetuese bullgare vendosi se fjala “gjini” zbatohet vetëm në “kuptimin biologjik”, duke zhgënjyer ata që besojnë se fjala duhet të ketë një përkufizim më të gjerë.

    I lindur si Bojan Stankov, Rasate është themeluesi i Bashkimit Kombëtar Bullgar (BNS), por nuk e drejton më.

    Ai njihet për retorikën e tij kundër komunitetit LGBT dhe migrantëve.

    Pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ia hoqi mundësinë e kandidimit në zgjedhje, Rasate tha se nuk është e rëndësishme nëse ai ka imunitet ose jo për të kandiduar por, sipas tij, e rëndësishme është që Bullgaria nuk është shtet ku sundon ligji.

    “Unë besoj se Bullgaria nuk është një shtet ligjor dhe ajo që kemi këtu në vend të gjyqësorit është drejtësia në rrugë. Pavarësisht nëse funksionon në këtë apo atë drejtim, gjithsesi është drejtësi e rrugës. Por, ka diçka më të rëndësishme që dua të them për imunitetin tim. Nuk është aq e rëndësishme nëse kam apo nuk kam imunitet. Gjëja më e rëndësishme është imuniteti që gëzojnë ende njerëzit që po përhapin propagandë të pedofilisë mes adoleshentëve”, tha ai.

    Në një postim në Twitter, Komisionarja e Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut, Dunja Mijatoviq, u kërkoi autoriteteve bullgare që të kryejnë një hetim të shpejtë për sulmin kundër Rainbow Hub, duke e quajtur atë “një shembull tjetër shqetësues të kërcënimeve në rritje kundër OJQ-ve që punojnë për të drejta për komunitetin LGBTI”.

    Organizata ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, Amnesty International, tha përmes një deklarate se autoritetet bullgare tani duhet të ndryshojnë ligjin dhe të përfshijnë dhunën homofobike si krim të urrejtjes.

    Me Kodin Penal të Bullgarisë krimet e urrejtjes trajtohen si akte huliganizmi.

    “Nuk ka dyshim se sulmi në Qendrën Komunitare Rainbow Hub ishte i motivuar nga urrejtja dhe ky incident i tmerrshëm ka nxjerrë në sipërfaqe mangësitë e sistemit të drejtësisë në Bullgari”, tha grupi i të drejtave të njeriut me qendër në Londër. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Bekteshi thotë se nëse vendi shkon në zgjedhje BDI do të ketë 18 deputetë

    Lajmi i rradhës

    ‘Të vetmet pasuri që kishin shqiptarët ishin patriotizmi dhe mençuria e tyre’

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë