Karburante më të lira për shoferët

    Pas disa viteve stresuese për vozitësit me çmime që kanë arritur edhe mbi 100 denarë për një litër karburant, sivjet pritet të paguhen karburante më të lira në pompat e benzinës. Këtë do ta mundësojë naftësjellësi Shkup-Selanik që së fundmi mori licencën për të punuar dhe mundësinë që të jetë në funksion, pas 11 vitesh ndërprerje. Naftësjellësi është ndërtuar në vitin 2002, me qëllim që të lidhë rafineritë e Selanikut me rafinerinë e kompanisë OKTA në Shkup, e cila u ble nga “Hellenic Petroleum” në vitin 1998. Transporti i naftës dhe derivateve të naftës në vend përmes naftësjellësit Selanik-Shkup ishte ndërprerë në vitin 2013 për shkak të punës që nuk sillte fitim.

    Paraprakisht, ky projekt ishte planifikuar ekskluzivisht për transferimin e naftës bruto dhe tani me ndryshimet e fundit të Ligjit për Energjinë do të mundësohet bartja e derivateve të naftës përmes tij.

    Kapaciteti i këtij gypi është 2.5 milionë tonë në vit , ndërsa sasia e shpërndarjes do të varet nga nevojat e vendit. Por tani, në vend të naftës, do të shpërndahet produkti i gatshëm, gjegjësisht naftë, sepse rafineria e Shkupit nuk punon me kapacitete përpunuese si rrjedhojë e humbjeve. Në vitin 2013 u konsiderua joprofitabile që OKTA të vazhdonte si rafineri, dhe në vend të kësaj u vendos që objektet të përdoreshin si një qendër rajonale furnizimi për Ballkanin Perëndimor për të transportuar produktet më bashkëkohore dhe më të pastra. Tani po ndryshon edhe terminologjia, në vend të naftësjellës do të ketë emërtimin ku tubacion produkti dhe me këtë po ndryshon edhe emri i shoqërisë tregtare.

    PAVARËSIA ENERGJETIKE

    Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi thekson se vënia në punë e këtij tubacioni është në fazën përfundimtare. Qëllimi fillestar i naftësjellësit, ishte transferimi i naftës bruto dhe tani, me ndryshimet e fundit në Ligjin për Energjinë, do të bëhet i mundur transferimi i karburantit dizel përmes tij.

    “Ky vit është shumë i rëndësishëm për ne sepse që nga pavarësia e vendit e deri më sot, për herë të parë do të jemi plotësisht të pavarur nga pjesa lindore në furnizimin me energji, veçanërisht në pjesën e gazit natyror. Pas vitit 1991 e deri më sot vendi ynë ishte i varur nga pjesa lindore për furnizim me energji. Nga ky vit ne nuk do të jemi të varur nga asnjë vend, do të vendosim vetë sipas parimeve të konkurrencës dhe mundësive shtesë në fushën e furnizimit me energji, të cilat do të rrisin sigurinë e vendit tonë dhe do të përshpejtojnë integrimin në BE”, thekson Bekteshi.

    Nga pala greke thonë se mund të garantojnë furnizim të pandërprerë me naftë për Maqedoninë. Kompania greke “Hellenic Petroleum”, e cila është pronare e OKTA, zotëron 80 për qind të tubacionit dhe 20 për qind është në pronësi të Maqedonisë. Plani i biznesmenëve grekë është që ky tubacion nafte të punojë për të paktën 25 vjet.

    “Gjëja më e rëndësishme është mbrojtja e sigurisë energjetike dhe se ka mjaftueshëm në rajonin e gjerë të Ballkanit. Zgjedhja e dukshme është transportimi i naftës në këtë mënyrë, në vend të trenave dhe qindra cisternave në rrugë. Kanë qenë të shumta rastet kur faktorët e jashtëm kanë sjellë ndërprerjen e furnizimit të pandërprerë të tregut të vendit fqinj”, thotë Andreas Siamisis drejtor i “Hellenic Energy”.

    ULJE E KOSTOS

    Nga Komisioni Rregullator i Energjetikës, thonë se funksionalizimit të gypit Shkup-Selanik, ulja e çmimit të derivateve do të jetë e pashmangshme dhe do të ketë ndikim pozitiv edhe në mjedis.

    “Shpenzimet për transport, të cilat i kemi llogaritur deri më tani në çmim, do të duhet të zvogëlohen sepse tani do të përdoret kjo linjë transporti”, thotë numri një i Komisionit, Marko Bislimovski. Naftësjellësi është ndërtuar në vitin 2002, me qëllim që të lidhë rafineritë e Selanikut me rafinerinë e kompanisë OKTA në Shkup, e cila u ble nga Hellenic Petroleum në vitin 1998. Një “gjemb” për rihapjen e gazsjellësit 213 km të gjatë është kompensimi i kërkuar nga ELPE nga shteti i Maqedonisë së Veriut, në kuadër të shkeljes së detyrimeve kontraktuale.

    Pra shteti akoma i ka borxh prej 25 milionë euro kompanisë Hellenic Petroleum për shkak të mosrespektimit të marrëveshjes së shitblerjes së rafinerisë së Shkupit. Konform marrëveshjes për çdo vit, shteti ishte i obliguar për blerjen e 500 mijë ton mazut nga pala greke, ndërsa nevojat e shtetit ishin shumë më të vogla . Kontrata përfundoi në vitin 2019, por borxhi mbeti.

    Plani i rihapjes parashikon përmirësimin e tubacionit gazsjellësit, për transportin e produkteve të rafinuara në Maqedoninë e Veriut, i çili do të magazinohet në ish-rafinerinë OKTA, e cila ndërkohë është shndërruar në depo. Që nga viti 2013, Maqedonia e Veriut furnizohet me karburant përmes transportit rrugor , dhe me pasojë kostot e karburantit janë të larta. Me rihapjen e naftësjellësit, Maqedonia e Veriut do të mund të furnizohej me karburant të cilësisë së lartë dhe me kosto më të ulët. Në të njëjtën kohë, “Hellenik Energy” mund të shfrytëzojë objektet e OKTA-s si qendër për trajtimin e karburanteve në rajonin e gjerë dhe kryesisht drejt Kosovës dhe Serbisë. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Sinoptikët në RMV parashikojnë që në pranverë të rikthehet i ftohti

    Lajmi i rradhës

    Lloga: ASh e vetme do të marrë gjashtë deputetë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë