Karcinomi i prostatës, mjekët në RMV: meshkujt të mos neglizhojnë kontrollet dhe analizat rutinë

    Mjekët ngrenë alarmin se karcinomi i prostatës po diagnostikohet shumë vonë te meshkujt, pasi shumica e burrave paraqiten për kontroll vetëm në stadet e avancuara, kur as ndërhyrjet nuk japin rezultatet e pritshme. Ata rekomandojnë që meshkujt e moshës së shtyrë të kryejnë rregullisht eko të traktit urinar dhe analiza për markerët tumoralë të prostatës, ndërsa ata me histori familjare të sëmundjes të fillojnë kontrollet që në moshën 45-vjeçare. Nga këto rekomandime, theksojnë mjekët, nuk janë të përjashtuar as grup moshat më të reja, të cilat gjithashtu duhet të jenë vigjilente ndaj simptomave.

    “Për fat të keq ka edhe raste të tilla kur vijnë shumë vonë..dhe janë më të komplikuara për trajtim, madje te disa as trajtimi operativ nuk kryen punë…mbase nuk kemi kulturë mjekësor të mjaftueshme në shtetin tonë”, tha Darko Markovski, urolog.

    Drejtoresha e Klinikës së Geriatrisë Lençe Neloska thotë se vetëdija tek burrat për këtë sëmundje serioze mbetet shumë e ulët, pasi ata shpesh e neglizhojnë kontrollin e rregullt mjekësor gjë që rrit rrezikun për komplikime të rënda.

    “Duhet ta ngremë vetëdijen në opinion, para së gjithash tek burrat të cilët në përgjithësi nuk duan të vijnë në kontrolle, sidomos në urolog, megjithatë kjo është mënyra e vetme ku mund të kontrollohen dhe të parandalohen në kohë pasoja katastrofale në shëndetin e tyre”, tha Lençe Neloska, drejtoreshë e Klinikës së Geriatirsë.

    Apelet vijnë me rastin e muajit të shëndetit të burrave me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit për rëndësinë e kujdesit dhe kontrolleve në kohë. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Rreziku i epidemiës së fruthit në Maqedoni për shkak të vaksinimit të ulët te të rinjtë

    Lajmi i rradhës

    Me punëdore, të mbijetuarat e dhunës në familje rinisin jetën në strehimore

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë