Kasami: aktualisht nuk ka partner të besueshëm në Bullgari për ndryshimet kushtetuese

    Duke pasur parasysh se në Bullgari janë planifikuar zgjedhje të reja të parakohshme parlamentare dhe se atje funksionon një qeveri teknike, aktualisht nuk ka me kë të diskutohet çështja e ndryshimeve kushtetuese dhe vazhdimi i procesit të integrimit evropian. Këtë vlerësim e dha sot në Tetovë kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, gjatë një takimi me gazetarët, përcjell Nistori.

    “Qeveria është e përkushtuar t’i realizojë të gjitha detyrimet e ndërmarra në fushën e integrimit evropian sa më shpejt që të jetë e mundur. Sa u përket ndryshimeve kushtetuese, bëhet fjalë për një çështje më komplekse, sepse kërkon një dialog më intensiv si me Brukselin, ashtu edhe me Sofjen. Ne e dimë se për momentin në Sofje po përgatiten për zgjedhje të reja, ndaj, për fat të keq, nuk kemi një partner të besueshëm me të cilin të diskutojmë se çfarë do të ndodhë pas ndryshimeve kushtetuese. Ajo që është thelbësore për Maqedoninë është pikërisht ajo që do të ndodhë pas këtyre ndryshimeve, pra jo vetëm ndryshimet kushtetuese dhe përfshirja e komunitetit bullgar në Kushtetutë”, deklaroi Kasami.

    I pyetur nga gazetarët nëse koalicioni VLEN do të shndërrohet në një parti politike, siç është paralajmëruar, Kasami u përgjigj se bëhet fjalë për një proces kompleks, që kërkon një zgjidhje po aq komplekse, pasi në të janë të përfshira disa parti dhe lëvizje politike.

    “Ne dëshirojmë që koncepti i ri i organizimit të VLEN-it të përfshijë të gjitha strukturat politike ekzistuese, por njëkohësisht kjo strukturë të jetë e hapur edhe për të gjithë aktorët e tjerë politikë dhe shoqërorë që janë të interesuar të bëhen pjesë e kësaj lëvizje politike. Po punojmë intensivisht çdo ditë për të gjetur një zgjidhje kreative, e cila jo vetëm do ta organizojë VLEN-in brenda kornizës së subjekteve që aktualisht janë pjesë e saj, por do të shërbejë edhe si hapje për të gjithë ata që në të ardhmen do të dëshironin t’i bashkohen VLEN-it”, shtoi Kasami.

    Ai këto komente i bëri pas mbajtjes së takimit të parë informues për vitin 2026 me gazetarët në Tetovë, në cilësinë e kryetarit të komunës, së bashku me drejtuesit e sektorëve dhe drejtorët e ndërmarrjeve publike, ku u diskutua për gjendjen në komunë. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    E kultivon të menduarit shkolla shqiptare?

    Lajmi i rradhës

    MPB godet shoferët me xhama të errësuar ilegalisht: 101 gjoba në janar

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë