Kasami: Tetova do të jetë më e pastër / Mbeturinat në qytet do t’i menaxhojë kompania sllovene (Video)

    Komuna e Tetovës ka nënshkruar marrëveshje për partneritet publik-privat (PPP) me kompaninë sllovene të grupacionit “Saubermacher”, për menaxhimin e mbeturinave në qytet.

    Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, pas nënshkrimit të marrëveshjes tha se me këtë Tetova do të jetë qytet më i pastër, ndërsa premtoi se nuk do të ketë rritje të çmimit të cilin qytetarët e paguajnë për menaxhimin e mbeturinave.

    “Ndërmarrja private do të punojë për menaxhimin e mbeturinave komunale, mirëmbajtja e hapësirave publike mbetet nën menaxhimin e ndërmarrjes komunale. Marrëveshja përfshinë grumbullimin, transportimin dhe deponimin e mbeturinave komunale. Bëhet fjalë për marrëveshje gjithëpërfshirëse për gjithë Komunën e Tetovës, jo vetëm për qytetin”.

    “Nga momenti i marrjes nën menaxhimin nga partneri privat, do të largohet deponia lokale e transferstacionit, do të operojnë në kuadër të lokacionit që është paraparë për trajtimin e mbeturinave në fshatin Falisht. Në fazën e parë do të bëhet stacion transit, ndërsa në fazën tjetër jemi dakorduar që të punohet edhe në selektimin e mbeturinave”, tha mes tjerash Kasami.

    Ai shtoi se partneri privat do të jetë përgjegjës për grumbullimin, transportimin, trajtimin dhe deponimin e mbeturinave, ndërsa komuna do të jetë përgjegjëse për pastërtinë e hapësirave publike.

    Ndërsa përfaqësuesi i kompanisë sllovene, Andreas Opelt, u shpreh optimist se ky projekt i tyre do të jetë i suksesshëm për shkak të përvojës së tyre në këtë fushë.

    “Kemi punuar me 20 qytete në shtete të ndryshme dhe me disa prej tyre kemi filluar para 20-30 viteve më parë. Kemi përvojë si ta bëjmë punën dhe t’i bëjmë qytetarët tuaj të kënaqur. E dijmë se është sfidë këtu, por kemi përvojë për ta përfunduar këtë projekt dhe të përfitojnë qytetarët e këtij vendi”, tha Andreas Opelt.

    Saubermaher është kompani ndërkombëtare, veprimtaria kryesore e së cilës është menaxhimi dhe riciklimi i mbeturinave me qendër në Feldkirhen, pranë Grazit. Kompania familjare u themelua në vitin 1979, nga Hans dhe Margret Roth, dhe është një partner kompetent për rreth 1,600 komuna dhe mbi 42,000 biznese. Kompania aktualisht ka më shumë se 3,600 punonjës në shtatë vende.

    Lajmi Paraprak

    Studimi: Puna fleksibile përmirëson ndjeshëm shëndetin e zemrës

    Lajmi i rradhës

    OEMVP: Masat që po ndërmerr Qeveria nuk e ulin inflacionin, i njëjti ka arritur në 9.5%

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë