Kërçovë / Teknologjia, shkak pse të rinjtë nuk lexojnë shumë!

    Thuhet se librin nuk mund ta zëvendësojë asgjë, por interesimi i qytetarëve të Maqedonisë për lexim, sidomos tek të rinjtë, është shumë i ulët. Faji kryesor për këtë është teknologjia.

    Në qytetin e Kërçovës biblioteka ka shumë literaturë dhe romane, thotë drejtoresha e Shtëpisë së Kulturës, Albulena Demiri Zendeli, por thotë edhe se leximi tek të rinjtë është në rënie.

    “Leximi i librave po shuhet, sidomos tek të rinjtë për shkak të përdorimit të teknologjisë dhe shpesh përdorin edhe leximin online. Leximi i librave këtu në bibliotekën tonë është më interesant për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme për shkak të literaturës që u japin mësuesit dhe marrin atë literaturë që e konsiderojnë të nevojshme”, thotë Demiri Zendeli.

    E të njëjtin mendim e ka edhe profesori Adem Xheladini. Ai thotë se teknologjia po ul interesin për të lexuar.

    “Lexohet, por për fat të keq me aplikimin e teknologjisë, libri si qenie fizike ka humbur pak nga vetja, tani njerëzit gjithnjë e më shumë orientohen drejt teknologjisë dhe portaleve që i prezantojnë me gjithçka, por asgjë nuk e zëvendëson librin. Do të thosha sepse ndjesia është ndryshe – tha Xheladini.

    Shkrimtarja Mihrije Vrangalla beson se njerëzit lexojnë në Kërçovë, pavarësisht nëse lexohet në internet apo duke shfletuar librin.

    “Në Kërçovë ka njerëz që shkruajnë shumë, edhe autorë të vjetër edhe më të rinj, por ka edhe lexues, edhe pse disa nuk thonë se lexojnë, por besoj se në çdo shtëpi të Kërçovës ka libra në rafte”, tha Vrangalla.

    Sa i përket çmimeve të librave, ato variojnë nga 200 denarë e lart.

    Lajmi Paraprak

    PINA: Fotografitë e gazetarëve shpërndahen në rrjetet sociale me qëllim diskreditimin e tyre

    Lajmi i rradhës

    Miratohet paketa kundër krizës në vend

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë