Kodi zgjedhor duhet të obligojë politikanët në RMV të dalin në debate

    Historikisht debatet mes politikanëve shqiptar, por edhe atyre maqedonas, mungojnë në skenën politike në vend. Vazhdimisht krerët e opozitës bëjnë thirrje për debate me kryeministrin apo kryetarin e partisë në pushtet por është partia e pushtetit ajo që çdo herë refuzon debatin publik.

    Kjo qasje cilësohet e gabuar dhe e padrejtë nga analistët dhe njohësit e zhvillimeve politike në vend. Sipas tyre, refuzimi për debate televizive nuk është kulturë demokratike dhe aspak nuk është shembull i mirë.

    Profesori universitar Qani Nuhiu, për gazetën Koha, është shprehur se kjo frikë e madhe nga ikja e debatit politik mes liderëve është një mangësi e funksionimit të demokracisë.

    “Mendoj se ballafaqimi i kandidateve dhe rivalëve politik është mirë të jetë pjesë obligative e Kodit Zgjedhor që do t’i obligonte kandidatët të dalin në ballafaqim mes vete”, potencoi Nuhiu. Ai shtoi se demokracia si sistem shoqëror dhe demokratik nuk mund të funksionoj pa ballafaqimin e ideve dhe koncepteve platformave zgjedhore dhe vizioneve për rregullimin e shoqërisë.

    “Bartësit e atyre ideve janë të obligueshëm në aspektin etik dhe praktik të funksionimit të demokracisë të ballafaqohen mes vete rreth ideve dhe platformave zgjedhore. Kjo do të ishte shumë mirë nëse vendoset si praktikë e funksionimit në të ardhmen. Debatet mes kandidateve do të ishte e dobishme për demokracinë e vendit dhe politikanët do t’i bënte më të përgjegjshëm ndaj elektoratit dhe shoqërisë në përgjithësi“ potencoi në fund Nuhiu.

    Profesori universitar Demush Bajrami, për gazetën KOHA, nga ana tjetër, tha se “filozofia” e ikjes nga debati e lidershipit dhe politikanëve, nuk përkon me nevojën elementare të të menduarit kritik modern, ku si funksion kryesor nuk do të duhej të kishte reduktimin e politikës brenda akëcilëve partiake, por duke pranuar debatin në hapësirën publike, në të cilën, bëhet i pakalueshëm opinioni publik, i cili është një katalizator shumë i rëndësishëm i zhvillimit të demokracisë.

    “Për shumë studiues të Politikologjisë dhe komunikimit politik, tema e kundërshtimit të pakalueshëm të së vërtetës dhe opinionit, është shumë hershme, mbase platonike. Në thelb, një përballje e drejtpërdrejtë mendimesh nuk mund të prodhojë as për së afërmi efektin politik nga distanca. Prandaj, debati duhet të ndodhë në kohën dhe hapësirën e njëjtë. Të ‘vërtetat’ politike duhet të ndodhin brenda procesit kompleks që lidh debatin dhe opinionin. Në një debat, ku kundërshtohen dy mendime për domethënien e politikës së palëve, atëherë mund të flasim për zhvillimin e demokracisë”, deklaroi Bajrami, profesor universitar.

    Sipas tij, debatet midis liderëve apo kandidatëve politikë janë një mundësi e mirë për formimin e opinionit publik për tema të ndryshme dhe të rëndësishme.

    “Lidershipi politik sikur harron se konkurrenca e elitave ndikon në sjelljen dhe qëndrimet e njerëzve ndaj fenomeneve e sistemeve shoqërore të një vendi. E, për më shumë, debati ndihmon votuesit për të zgjedhur midis opsioneve të ndryshme politike, duke u bazuar në fakte dhe informacione të sakta”, nënvizoi ai.

    Ai ka shtuar se për dallim nga vendet BE-së dhe SHBA-së, ku debatet janë pjesë integrale dhe e vlefshme, për fatkeq, për politikanët e këtushëm, debati vazhdon të jetë një koncept i huaj.  

    “Në mungesë argumentesh, shpesh politikanët u shmangen ballafaqimeve të drejtpërdrejta, ndërkohë që nga istikamet e tyre partiake  paraqesin “argumente të forta” ndaj kundërshtarëve të tyre. Shembuj të ndryshëm, kanë treguar se kjo ndodhë për shkak të frikës, shterpësisë dhe paaftësisë për t’u përballur me realitetin politik”, deklaroi në fund Bajrami.

    Ndryshe, kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickoski, ditë më parë për media ka deklaruar se Kovaçevski nuk duhet të fshihet dhe të ikë debati. Ai ka shfrytëzuar një prononcim para gazetarëve për t’i bërë ftesë kryeministrit për debat publik për të diskutuar për të gjithë çështjet e hapura dhe me theks të veçantë marrëveshja për Korridorin 8 dhe 10D. 

    Lajmi Paraprak

    Dibranet të painteresuara për PAP teste

    Lajmi i rradhës

    Kultura sipas “Ballkanit të Hapur”

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë