KODI ZGJEDHOR | Partitë: “Duhet”, “së shpejti”, “do të hapim debat”…

    I gjithë muaji janar kaloi në konkluzionet se grupet e punës duhet të diskutojnë ndryshimet në Kodin Zgjedhor. “Duhet”, “së shpejti”, “do të hapim debat”, janë vetëm disa nga refrenet e përsëritura që po humbin durimin e partive më të vogla, të cilat kërkojnë të ndryshojnë numrin e njësive zgjedhore nga gjashtë në një, me model proporcional dhe pa një prag zgjedhor. Aq më tepër që propozimi i tyre ka një vit të tërë në parlament. Është vënë në rend dite në seancën e caktuar për 18 maj të vitit të kaluar, por debati nuk ka nisur deri më sot. Partitë më të vogla njoftuan muajin e kaluar se presin që debati për ndryshimet në Kodin Zgjedhor të nisë deri në fund të janarit dhe duke qenë se asgjë nuk është realizuar deri më tani, frikësohen se shkurti do të kalojë njëjtë.

    DEBAT PARA KAMERAVE

    “Propozimi për ndryshim të rregullave zgjedhore është në procedurë parlamentare nga marsi i vitit të kaluar, me të cilën propozohet që Maqedonia e Veriut të ketë një njësi zgjedhore, me model proporcional pa prag zgjedhor”, thotë lideri i LD, Pavle Trajanov. Edhe pse propozimin atëherë publikisht e pranoi edhe LSDM, sipas Trajanov, qëndrimi ishte krejtësisht ndryshe. “LSDM me disa deklarata e mbështeti propozimin Maqedonia e Veriut të jetë një njësi zgjedhore, edhe me qëndrimin e shprehur publikisht të Zoran Zaevit, por në të njëjtën kohë Qeveria e udhëhequr nga Zaev ka paraqitur mendim negativ në Parlament për propozim-ligjin për ndryshimin e Kodit Zgjedhor. Ajo tregon jokonsistencën e qëndrimeve të shprehura publikisht dhe angazhimin e tyre të vërtetë. Tani po përballemi me një situatë të njëjtë. LSDM mbështet Maqedonia e Veriut të jetë një njësi zgjedhore, por kërkon formimin e grupeve punuese, që të ketë konsensus, që të mund të diskutojmë deri në vitin 2024”, thotë Trajanov.

    I pyetur nëse është problem të diskutohet dhe nëse duhet një vit, por për të arritur një zgjidhje të mirë, Trajanov thotë se nuk është problem, por është e rendit që procesi të fillojë një herë. “Ja, edhe një herë apelojë, le të fillojë një debat në Komisionin për Sistemin Politik dhe Marrëdhëniet mes Komuniteteve, pas së cilës do të organizojmë një debat publik, në të cilin do të ftojmë të gjitha partitë parlamentare dhe joparlamentare, OSBE/ODIHR, ekspertët, OJQ-të dhe mediat, dhe ne do të përballemi me argumentet. Debati duhet të bëhet në shtëpinë e demokracisë dhe para kamerave dhe jo mes liderëve të katër partive, të cilët bien dakord për avantazhet sistematike të tyre – të kenë 90% të hapësirës mediatike, financat e reklamave dhe të ngjashme. Një njësi zgjedhore dhe fshirja e avantazheve sistematike do të demokratizojë Maqedoninë, do të çmontojë pozitën monopole të katër partive dhe do të forcojë përgjegjësinë në vend”, thotë kreu i Lidhjes Demokratike, Pavle Trajanov. Ai beson se tre muaj janë koha optimale për të bërë ndryshime rrënjësore në rregullat zgjedhore, të cilat do të ofrojnë kushte për konkurrencë të barabartë politike.

    GJASHTË JANË PAK, TETË MJAFTUESHËM

    Për ndryshimin e rregullores zgjedhore duhen dy kushte: së pari konsensusi i partive politike dhe së dyti, sipas standardeve ndërkombëtare të zgjedhjeve dhe rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it, këto ndryshime duhet të përfundojnë një vit para zgjedhjeve. Megjithatë, aktualisht nuk ka konsensus mes palëve për çështjen e një njësie zgjedhore. Ndërsa për partitë më të vogla gjashtë zona janë shumë, Aleanca për Shqiptarët mendon se nevojiten tetë, aq sa është numri i rajoneve planore në vend. “Ne besojmë se sistemi aktual zgjedhor nuk respekton parimin universal të barazisë së votës dhe nuk përfaqëson në mënyrë të drejtë vullnetin e popullit të shprehur në zgjedhje, për shkak të problemeve të vazhdueshme me pabarazinë e votuesve ndërmjet njësive zgjedhore”, thonë nga Aleanca për Shqiptarët. Nga kjo parti thanë se do të përkushtohen në tre kërkesa thelbësore: ndarjen e vendit në 8 njësi sipas kufijve rajonalë, secila me një numër të ndryshueshëm deputetësh në varësi të numrit të votuesve, organizimin e zgjedhjeve me lista të hapura, garantimin dhe zgjerimin e të drejtës së votës së mërgimtarëve, të cilët duhet të votojnë për listat që udhëhiqen në njësinë zgjedhore në të cilën kanë vendbanim të përhershëm në vend.

    Në debatet e mëparshme për këtë çështje, BDI ka mbajtur qëndrim për tre njësi zgjedhore. VMRO-DPMNE mbështet modelin zgjedhor për një njësi zgjedhore dhe është e hapur për të diskutuar se cili duhet të jetë pragu zgjedhor në rast të ndryshimit të mundshëm të modelit. Sipas kryetares së RDM, Maja Moraçanin, e cila është një nga propozuesit e ndryshimeve në Ligjin Zgjedhor, megjithëse propozimi parashikon një njësi të vetme zgjedhore pa prag, ata janë të hapur për debat për këtë çështje. “Duhet të diskutohet pragu dhe për këtë është mirë që të hapet një debat në Parlament për këtë Projektligj dhe të gjitha partitë politike të shprehin qëndrimin e tyre dhe në fund të sjellin zgjidhjen më të përshtatshme. Ne jemi gjithmonë të hapur për diskutim”, tha Moraçanin pas takimit për këtë temë me përfaqësuesit e grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së.

    QENDRIME PA KONSENSUS

    Në dhjetë vitet e fundit janë bërë 32 ndryshime në Kodin Zgjedhor, pa asnjë debat publik: 22 ndryshime në Kodin Zgjedhor, 4 ndryshime janë bërë në bazë të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, dy ndryshime janë rezultat i prolongimit të afateve për mbajtjen e zgjedhjeve dhe 4 amendamente janë bërë për shkak të korrigjimeve të neneve të caktuara në rregullore. “Kodi Zgjedhor gjithmonë miratohet me konsensus”, tha kryeministri Dimitar Kovaçevski.

    “VMRO-DPMNE doli me propozimin e saj se si duhet të duket një njësi zgjedhore, por partneri i saj i koalicionit Aleanca kishte një qëndrim tjetër për këtë çështje”, tha Kovacevski. Ai iu referua edhe propozimit të VMRO-DPMNE-së për uljen e numrit të deputetëve në Parlament nga 120 në 90. “Sa i përket kërkesave për ndryshimin e Kushtetutës dhe për ndryshimin e numrit të deputetëve, partitë e tjera politike dolën menjëherë me kërkesa, që do të thotë se për kërkesa të tilla duhet të ulen dhe të diskutohet me të gjitha partitë. Është një proces që zgjat shumë dhe për të cilin duhet hapur një procedurë që më pas kalon nëpër filtrat e institucioneve të ndryshme në vend dhe përmes një procesi konsultativ”, tha kryeministri.

    Në opinion ka dyshime se qëndrimet e partive të mëdha janë vetëm një mashtrim që çon në pandryshueshmëri të garantuar të asaj që kërkojnë partitë e vogla. Duke qenë se disa në mënyrë deklarative janë gjithmonë “për” një njësi zgjedhore dhe partnerët e tyre “kundër”, nuk ka konsensus për këtë çështje. Për momentin, një debat i hapur mund të jetë vetëm pasqyra që do të tregojë saktësisht se kush për çfarë përkushtohet. /Koha.mk/

    Lajmi Paraprak

    Sali: Të udhëheqësh me shëndetësinë në kohë pandemie, kërkon guxim dhe kapacitet

    Lajmi i rradhës

    BALLKANI NË TIKTOK – Kambana alarmi mbi qasjen e fëmijëve në aplikacion

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë