Kolomina: RMV kontribuon për sigurinë në nivel rajonal

    Maqedonia e Veriut që nga anëtarësimi i saj në NATO i konfirmon përpjekjet e saj për respektimin e vlerave që i promovon dhe i përfaqëson Aleanca. Është një anëtare e respektuar e cila kontribuon për sigurinë në nivel rajonal, por edhe një aleat i përkushtuar që i respekton qëllimet dhe vlerat e përbashkëta. Këtë mes tjerash, e deklaroi Zëvendësndihmës Sekretari i Përgjithshëm për Çështje Politike dhe Politikë të Sigurisë së NATO-s Përfaqësues Special i Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s për Kaukazin dhe Azinë Qendrore Havier Kolomina, në konferencën e sotme për shtyp pas takimit me shefin e diplomacisë së Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, përcjell Nistori.

    Në fokus të takimit ishte situata e sigurisë në Ballkanin Perëndimor, gjatë së cilës u konstatua nevoja e veprimit të sinkronizuar të NATO-s dhe BE-së në hapësirat tona, me qëllim të përshpejtimit të proceseve të integrimit euroatlantik. Sipas bashkëbiseduesve, ky hap është kyç për forcimin e stabilitetit rajonal, njëherazi do të parandalojë veprimet e vendeve të treta në rajonin tonë. Në këtë kontekst, Osmani konfirmoi përkushtimin e fortë të Maqedonisë së Veriut ndaj politikës së dyerve të hapura të NATO-s.

    “E theksova edhe rolin e Maqedonisë së Veriut si kryesues aktual i SHBA-Karta e Adriatikut, ose e njohur si A5, në drejtim të inkurajimit të integrimit euroatlantik të vendeve të rajonit dhe ruajtjes së sigurisë rajonale. Ne, si kryesues, në koordinim të ngushtë me vendet anëtare, vendosëm bazën për krijimin e një Koncepti të ri Strategjik të A5, qëllimi kryesor i të cilit është forcimi i bashkëpunimit të vendeve të Kartës që janë anëtare të NATO-s, dhe ofruam mundësi për angazhim më të madh dhe afrim me vlerat e Aleancës së vendeve nga A5 që nuk janë anëtare të NATO-s”, tha Osmani.

    Tema të ngjashme u diskutuan edhe në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit, i cili u mbajtë më 1 nëntor.

    Për sa i përket situatës së sigurisë në vend, u vlerësua se është stabile dhe se nuk ka të dhëna për rrezikim të mundshëm të saj.

    Si anëtare e NATO-s, Republika e Maqedonisë së Veriut është në koordinim të rregullt me ​​Aleancën dhe aleatët lidhur me aktivitetet e ndërmarra për forcimin e sigurisë në zonën euroatlantike.

    Në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit u konstatua nevoja që institucionet kompetente të vazhdojnë të monitorojnë situatën dhe të përgatisin skenarë të mundshëm sipas zhvillimit të ngjarjeve, me qëllim të ndërmarrjes në kohë të masave dhe aktiviteteve në kompetencë të tyre.

    Lajmi Paraprak

    Shqipëri, si u gjet foshnja e porsalindur e braktisur në parkingun nëntokësor!

    Lajmi i rradhës

    SHPËTON EDHE MERKO | I vjetërsohen lëndët, Qeveria distancohet nga situata

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë