KOMISIONI EUROPIAN I JEP NOTË TË DOBËT RMV PËR EKONOMINË

    Maqedonia e Veriut ka arritur një progres të caktuar, dhe është në një nivel të mirë të përgatitjes për zhvillimin e një ekonomi funksionale tregu. Mirëpo në vitin 2022, ekonomia ishte rëndë e goditur nga pasojat e luftës së agresionit të Rusisë kundër Ukrainës, e cila në mënyrë të konsiderueshme ngadalësoi rikuperimin ekonomik pas COVID-19. Njëherësh pavarësisht vendosjes së rregullave fiskale dhe forcimit të qëndrueshmërisë fiskale, progresi ka qenë i ngadaltë në zbatimin e masave më të gjera për përmirësimin e menaxhimit të investimeve publike.

    Më fjalë tjera një pjesë e madhe e vërejtjeve po përsëriten nga vitet e kaluara. Tregu i punës ka shënuar një përmirësim, por mbeten problemet strukturore, duke përfshirë papunësinë e lartë dhe afatgjate të të rinjve së bashku me një hendek të madh gjinor. Mjedisi i biznesit vazhdoi të pengohej nga përmasat e mëdha të ekonomisë informale, progresit të ngadaltë në riorganizimin e tarifave parafiskale dhe regjimit jo transparent dhe joefikas të ndihmës shtetërore.​ Për sektorin e bankave, konstatohet se është treguar i qëndrueshëm përgjatë krizës.

    Raporti progresi për Maqedoninë gjithashtu thekson se vendi ka bërë përparim të caktuar dhe është në mënyrë të moderuar i përgatitur për të përballuar presioni konkurrues dhe forcat e tregut brenda BE-së. I ngjashëm apo mesatar është edhe aftësia e ekonomisë së vendit lidhur me aftësinë për të marrë përsipër detyrimet e anëtarësimit në shumicën e fushave, si lëvizja e lirë e mallrave, shërbimeve dhe kapitalit, pronësia intelektuale, politika e konkurrencës, shërbimet financiare dhe mbrojtja dhe shëndeti i konsumatorëve. Vendi ka arritur një nivel të mirë të përgatitjes për të drejtën e shoqërive tregtare, megjithëse është ende në një fazë të hershme për lirinë e lëvizjes për punëtorët.

    Vlerësohet pjesëmarrja e produkteve me vlerë të lartë në eksport. Ka pasur përparim të mëtejshëm në përmirësimin e arsimit profesional, por edhe më tej vazhdon të ketë mungesa të mëdha të shkathtësive në krahasim me fuqinë punëtore, që nënkupton kalim të gjatë nga shkolla në punë. Të gjitha këto, të shoqëruara me boshllëqe të mëdha në Infrastrukturën e transportit dhe energjisë, investimet e ulëta dhe financimin e ulët të inovacionit, janë duke kufizuar rritjen e mundshme.

    Digjitalizimi i ekonomisë po përparon, mirëpo konkurrueshmëria e bizneseve vendore mund të përmirësohet përmes një oferte më të gjerë të shërbimeve elektronike për opinionin. Më tej raporti tregon progresin e pamjaftueshëm që kanë të bëjë me ekonominë gri, edhe pse është vënë re impulsi që në këtë domen mund të ofrojë koordinimi nga ana Ministrisë së Financave si dhe miratimi i strategjisë 2023- 2027 për formalizimin e ekonomisë informale përmes një plan veprimi.

    ​Në përgjithësi, Maqedonia e Veriut është e përgatitur mesatarisht në shumicën e zonave të mbuluara nga klasteri 3 mbi konkurrencën dhe rritjen gjithëpërfshirëse, duke përfshirë transformimin digjital dhe median,tatimet, politikat sociale dhe punësimin, si dhe politika e sipërmarrjeve dhe ato industriale. Vendi është mes një niveli të moderuar dhe të mirë përgatitjeje në politikat e ekonomisë dhe politikat monetare. Nevojiten më shumë përpjekje, veçanërisht në fushat ku është bërë përparim i kufizuar, si p.sh. transformimi digjital dhe mediat, bashkimi doganor, arsimi dhe kultura. Vlerësimi i gatishmërisë së moderuar është dhënë edhe në fushën e burimeve dhe bujqësisë, ndërsa për mjedisin dhe ndryshimet klimatike vendi është vlerësuar me një “nivel të caktuar përgatitjeje”.

    Komisioni Evropian thekson se disa rekomandime nga Raporti i vitit të kaluar nuk janë zbatuar plotësisht dhe për këtë arsye vazhdojnë të zbatohen. Edhe këtë herë rekomandohet që Maqedonia e Veriut të sigurojë transferimin e regjistrit të fermave dhe sistemit të identifikimit të parcelave të tokës në Agjencinë e Pagesave, të miratojë një kornizë legjislative për përafrim të mëtejshëm me ligjin e BE-së në fusha të tilla si pagesat mbështetëse apo subvencionet, organizimi i tregut të përbashkët dhe shërbimet këshillimore për fermat, si dhe për të përmirësuar kapacitetin administrativ për IPARD në mënyrë që të zbatohet në mënyrë sa më efikase Programi IPARD 3.

    Për sa i përket zhvillimit rural, është bërë progres i mirë në përthithjen e fondeve të BE-së në kuadër të IPARD 2. Deri në fund të vitit 2022, pagesat kanë arritur në rreth 42 milionë euro. Është thelbësore të mos vonohen fondet e mbetura IPARD 2 dhe të mbështetet zbatimi i fondeve IPARD 3, të cilave u është dhënë besimi nga Komisioni Evropian. Duhet të forcohet edhe kapaciteti administrativ për realizimin e IPARD.  Edhe sa i përket transportit, Maqedonia e Veriut është mesatarisht e përgatitur për tu anëtarësuar në BE. Në raport theksohet se organet inspektuese sektoriale ende nuk kanë kapacitetet e nevojshme administrative dhe operacionale dhe se nuk ka asnjë angazhim politik për realizimin e reformave të nevojshme sektoriale hekurudhore.

    Rekomandimet nga viti paraprak, siç thuhet në raport, nuk janë zbatuar dhe mbeten në fuqi. Maqedonia e Veriut është mesatarisht e përgatitur në fushën e energjisë. Njëfarë progresi është arritur në ndërlidhjet rajonale për gazin dhe energjinë e rinovueshme, me investime në centralet diellore, por rekomandimet e vitit të kaluar nuk janë zbatuar plotësisht, thekson Komisioni Evropian (KE) në Raportin për progresin e vendit në vitin 2023.  

    Në pjesën e energjisë elektrike, kujtohet se po ndërtohet linja e re e interkonjeksionit të transmetimit të energjisë 400 kilovolt me ​​Shqipërinë, se tregu i energjisë elektrike është krijuar për një ditë më parë dhe se formimi i tregut gjatë ditës është ende në proces. Përqindja e burimeve të rinovueshme të energjisë në konsumin bruto të energjisë finale për vitin 2022, siç tregohet, është 18.8 për qind dhe investimet në hidrocentrale duhet të jenë në përputhje me legjislacionin përkatës mjedisor. KE thekson se kriza energjetike tregoi se vendi duhet të përshpejtojë kalimin drejt energjisë së gjelbër dhe të reduktojë varësinë nga gazi dhe qymyri. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Salloneve të dasmave në Dibër mund t’u vendoset taksë

    Lajmi i rradhës

    RMV, si ndikon divorci te fëmijët?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë