Komunat ballafaqohen me mungesë të stafit në kopshte

    Disa në pension e disa me dorëheqje bën që në vetëm 2 vite një nga kopshtet e Shtipit të humb gjithsej 15 punëtorë, dhe i njëjti kopsht për shkak të këtyre problemeve u detyrua që në shtator të pres 200 fëmijë më pak se kapaciteti në dispozicion. Kryetari i Komunës së Shtipit, Ivan Jordanov tha se rreth këtij problemi është informuar edhe MPPS-ja por që nga atje nuk ka leje për plotësimin e pozitave të lira. Sipas tij bëhet fjalë për inate politike pasi siç thotë ai, në 2 vitet e fundit në të gjitha kopshtet ku kryetarët dhe drejtorët janë zyrtarë të VMRO-DPMNE-së, MPPS nuk e ka respektuar ligjin për dhënien e pëlqimit për të plotësuar qindra pozita tashmë të lira për kujdestare dhe edukatore.

    “Bëhet fjalë për rrezikimin e procesit edukativo-përkujdesës në kopshte. Këtë përveç si kryetar komune po e përcjell edhe si prind”, tha kryetari i kësaj komune.

    Situatë e tillë paraqitet edhe në komunat e tjera lindore. Kryetarët e komunave të Karbincit, Sveti Nikollës, dhe Zërnovcit, theksojnë se deri diku arrijnë që të punësojnë përmes angazhimit të punës përgjithësisht të dobishme, por kjo është një zgjidhje e përkohshme. Sipas tyre, ata kanë kërkuar persona me licencë si dhe drejtorë me provim menaxhues, por nuk i është lejuar punësim i tillë.

    Sipas kryetarit të Karbincit Viktor Paunov, po bëjnë të pamundur pranimin e kuadrove të reja të cilët nevojiten për shkak të vendeve të lira të punës.

    “Nga ana tjetër, ata që duan të hyjnë në provim për të marrë licenca për kujdestar, edukatorë, e madje edhe në provimin menaxhues për drejtor, pengohen duke mos u thirrur për të qenë pjesë e provimit”, theksoi Paunov.

    Të njëjtën e thotë edhe kryetari i komunës së Sveti Nikollës, Dejan Vlladev.

    “Në komunën tonë pozitat e lira për punësim i plotësojmë nëpërmjet Agjencisë për Punësim, me të cilën i plotësojmë me kontrata. Ata kujdestarë nuk janë të siguruar, por kanë vetëm një kontratë të mjerueshme prej 12.000 denarë”, tha Vlladev.

    Në komunën e Zërnovcit sipas kryetarit të saj, në këto dy vite janë dy kujdestare të cilët janë kursantë me kushte të plotësuara për tu bërë kujdestare. Sipas Borçe Kocev disa herë është dërguar kërkesë në MPPS por nga atje është pritur në heshtje.

    Kryetari i Shtipit theksoi se nëse ende nuk ka përgjigje nga Ministria, kryetarët së bashku më zëvendësdrejtorët dhe prindërit do të dalin në protesta, ku do të shprehin pakënaqësitë e tyre për qëndrimin e qeverisë, e cila sipas tij, ka kaluar çdo kufi të tolerancës. /koha/

    Lajmi Paraprak

    A duhet vërtet ta detyroni beben të gogësijë kur e ushqeni?

    Lajmi i rradhës

    Për çfarë e fitoi çmimin Nobel, Ferid Murad

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë