NDËRMJET TRADICIONALES DHE DIGJITALIZIMIT | Sa jemi të gatshëm për reforma në arsim?

    Fëmijët dhe të rinjtë kalojnë gjithnjë e më shumë kohë në telefona, tableta dhe kompjuterë, lexojnë gjithnjë e më pak libra në formë të shtypur. Çdo herë e më shumë flitet për përfshirjen e tabletave dhe kompjuterëve në procesin arsimor. Megjithatë, lind pyetja nëse mësuesit, nxënësit dhe prindërit janë gati për transformimin digjital të arsimit. A ka shteti një strategji dhe cilat janë sfidat më të mëdha me të cilat përballet sistemi kur bëhet fjalë për digjitalizimin e shërbimeve dhe programeve arsimore?

    Sipas ministrit të Arsimit dhe Shkencës (MASH), Jeton Shaqiri, arsimi sot duhet t’i përgatisë fëmijët dhe të rinjtë për një të ardhme të bazuar në teknologjinë digjitale. Për MASH-in, pandemia ishte shtysa për përshpejtimin e digjitalizimit. Me prezantimin e platformës kombëtare për mësimin në distancë, e cila u përditësua në vitin 2015, u bë e mundur të kalohet me sukses pamundësia e mësimdhënies me praninë fizike.

    “Me konceptin e ri për arsimin fillor, digjitalizimi në arsim është ngritur në një nivel më të lartë, duke iu afruar tendencave globale të arsimit cilësor. Nga fillimi i këtij viti shkollor janë në përdorim materialet e reja mësimore digjitale, në përputhje me kurikulat e reja për klasën e katërt. Në vitin e ardhshëm shkollor do të përdoren materiale ndërvepruese nga nxënësit e klasës së pestë dhe prezantimi me faza është në përputhje me zhvillimin e aftësive për aplikimin e teknologjisë informatike dhe mjeteve elektronike. Dhe në klasa po prezantojmë teknologjinë moderne të IT-së, tabelat interaktive dhe mjete të tjera që mundësojnë mësimdhënie më të mirë”, tha Shaqiri.

    Ai theksoi se sistemet arsimore, studentët e të cilëve arrijnë rezultate të larta në testet ndërkombëtare janë ato ku teknologjia e informacionit dhe komunikimit përdoret masivisht në procesin arsimor. Qëllimi i Ministrisë së Arsimit dhe Kulturës është të rrisë cilësinë e arsimit, të krijojë studentë të motivuar, me aftësi të mira informatike, të arsimuar dhe të përgatitur mirë për të hyrë në fushën e arsimit akademik.

    TEKNOLOGJIA NUK DO TË THOTË SE SJELLË REZULTATE EFEKTIVE

    Ndërsa njohësit e fushës së arsimit në vend thonë se vetë modeli i arsimit digjital, pa tekste shkollore, ishte ide e gabuar. Sipas deklarimeve të tyre që bëjnë vazhdimisht, kopjimi i modeleve të tilla si ai finlandez nuk do të thotë se do të sjellë rezultate efektive në fusha të tjera. Në vendin tonë, ajo reformë shkaktoi një problem të përgjithshëm në sistemin arsimor, ku prej disa vitesh nxënësit nuk kanë tekste, por jo për funksionalitetin, por për mosfunksionimin e modelit.

    Numri më i madh i arsimtarëve në vendin tonë janë kundër digjitalizimit në shkolla. Sipas tyre, me avancimin e digjitalizimit së shpejti nuk do të jetë e nevojshme as për praninë e arsimtarëve në shkolla.

    “Kam 20 vite arsimtarë, por po shoh që viteve të fundit ka ndryshuar shumë procesi i mësimdhënies. Unë dhe kolegët e mi, dimë më mirë ta bëjnë dallimin mes tabletit dhe librit, ku përpos dëmeve që vinë digjitalizimi, me avancimin e tyre së shpejti nuk do jetë nevoja e pranive të arsimtarëve në shkolla, sepse do të zëvendësohen. Vështirësitë e digjitalizimit u panë gjatë pandemisë, shpresoj që të mbesim tek lapsi dhe libri, sepse një vendi të varfër si ne na pasuron vetëm arsimi tradicional”, deklaroi për KOHA, Adem Saliji, arsimtar në shkollën fillore “25 maji” në Hasanbeg.

    TEKNOLOGJIA HOV QË NUK NDALET

    Edhe pse një numër i konsiderueshëm është kundër digjitalizimit dhe përfshirjes së teknologjisë në arsimin fillor dhe të mesëm, nga ana tjetër, të rinjtë dhe gjenerata e re e profesorëve dhe mësimdhënësve promovojnë këtë metodë të arsimit. Sipas tyre, të qenurit në trend me zhvillimet teknologjike botërore është arritje më e madhe dhe kjo do t`i ndihmoj më së shumti nxënësit që në të ardhmen të kenë rezultate më të mira në testime ndërkombëtare por edhe të jenë të përgatitur për sfidat e reja në të ardhmen.

    Ardian Deari profesor i gjuhës angleze si dhe programer në kompaninë Moodle, në prononcimin për gazetën KOHA, e filloi me një fjalë të urtë popullore e cila thotë ‘Nëse nuk i mund dot, atëherë, bashkohu me ta!’.

    “Teknologjia dhe përdorimi i saj nga nxënësit e fëmijët është me një hov të madh e të pandalshëm. Mendoj që secila shkollë herët apo vonë është mirë të filloj me procesin e digjitalizimit për shembull zbatimin e platformave si moodle, google classroom etj, me qëllim që testimet e kuizet të bëhen më interesante”, shtoi ai.

    Ndryshe, Suedia ka realizuar një ”surprizë” për fëmijët që janë kthyer në bankat e shkollave. Në vend të tabletave të prezantuara vitet e fundit, në tavolina gjetën libra letre, fletore, fletë letre dhe stilolapsa që përdornin prindërit e tyre, shkruan “Il Messaggero”. Ajo që e bindi ministren ishin rezultatet e “Progress in International Reading Literacy Study” (PIRLS), një sondazh ndërkombëtar që përsëritet çdo 5 vjet dhe që mat aftësinë lexuese të nxënësve nga mosha nëntë deri në dhjetë vjeç.

    Një nga arsyet, sipas ekspertëve, do të kishte qenë pikërisht përdorimi i tepruar i mjeteve digjitale që lënë më pak kohë për reflektim dhe nevoja për ta bërë të vetën dijen me ngadalësinë që kërkon ky proces mendor.

    Lajmi Paraprak

    Sa rroga duhet të harxhojë një qytetar në RMV për iPhone 15

    Lajmi i rradhës

    KOMUNAT DERI NË FYT ME BORXHE | Shlyerja e borxhit me fletëobligacione nuk i zhbllokon komunat

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë