Komunat në RMV me borxhe dhe pak investime

    Nivel të ulët të investimeve, zhytje në borxhe dhe bllokim i llogarive. Kjo ishte ndër të tjerash ecuria e punës së një pjesë të konsiderueshme të komunave në vend në vitin e kaluar. Bile viti 2022 shënohet niveli më i ulët i mundshëm i investimeve komunale për shkaqe objektive dhe subjektive, thonë nga Ministria e Pushtetit Lokal. Komunat kanë një miliard denarë më shumë shpenzime energjetike vetëm në nëntë muajt e parë të vitit, ndërsa borxhet i kanë rritur për 800 milionë denarë shtesë. Në anën tjetër, investimet kapitale janë ulur për gati dy miliardë denarë.

    Në të gjitha komunat në vend, shpenzimet totale për energji në periudhën janar-shtator 2022, në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, janë rritur për një miliard denarë, që në krahasim me të hyrat e përgjithshme, të cilat arrijnë në rreth 40 miliardë denarë. paraqet një kosto të madhe, thekson ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Risto Penov.

    “Komunat e transferuan këtë kosto në ulje të investimeve kapitale dhe kjo i rrit kostot edhe më shumë. Po ashtu, sipas analizës, me 800 milionë denarë shtesë komunat i kanë rritur borxhet dhe i kanë ngritur në nivelin prej 4,2 miliardë denarë, që është më shumë se 10 për qind në raport me 40 miliardë të hyra”, shton ai.

    Në shkaqet objektive të rritjes së borxheve është edhe kriza energjetike, që vjen pas krizës së shkaktuar nga pandemia që gjithashtu ka çrregulluar rrjedhat ekonomike. Mirëpo nga ana tjetër po shënohet edhe rritje e pagave si dhe të kostos për marrëveshjet kontraktuese. “Rënie më e madhe e investimeve kapitale shënohet në Shkup, ku nuk ka pasur as rritje të borxheve. Përderisa komuna e Karposhit është e para për uljen e borxheve. Kjo flet për një menaxhment të dobët në komuna si të kryetarëve të komunave ashtu edhe të Këshillave Komunal dhe menaxhmentit komunal”, thonë nga kjo ministri. Të dhënat gjithashtu tregojnë se në fund të vitit të kaluar bile 14 komuna kanë pasur llogari të bllokuara.

    Shuma e përgjithshme e urdhrave për përmbarim të dorëzuar në Ministrinë e Financave është 1.5 miliard denarë, që paraqet 37 për qind nga gjithsej obligimet e raportuara të komunave, prej të cilave në vitin 2022 janë paguar vetëm mjete në vlerë prej rreth 186 milionë denarë. Nga shuma e mbetur për përmbarim, 1.3 miliard denarë, apo 77 për qind janë në bazë të pjesë s kryesore të borxhit, 18 për qind në bazë të kamatës dhe 5 për qind janë për shpenzime të tjera, që tregon përqindje të lartë të borxhit të komunave në kushtet kur realizimi i të hyrave regjistrohet një trend në rënie.

    “Deri në periudhën e auditimit asnjë komunë nuk është shpallur e paqëndrueshme financiarisht, për këtë arsye komunat mund të gjenerojnë detyrime të reja në baza të ndryshme dhe të fillojnë projekte të reja kapitale, të cilat nga ana tjetër do të ndikonin në përkeqësimin e likuiditetit të tyre dhe gjendjen e përgjithshme financiare në të ardhmen. Kështu ekziston mundësia e nevojës shtesë për ndarjen e mjeteve nga Buxheti si mbështetje financiare për të njëjtin dhe derdhje e mjeteve buxhetore”, theksojnë auditorët.

    Për tejkalimin e situatave të konstatuara jepen rekomandime për marrjen e masave dhe aktiviteteve të nevojshme nga personat dhe institucionet kompetente. Gjithashtu të hyrat vetanake të komunave po zvogëlohen dhe nuk mjaftojnë për të krijuar politika efikase në nivel lokal, tregon analiza nga Enti Shtetëror i Auditimit i cili ka bërë auditimin se sa me sukses punojnë komunat duke u mbështetur vetëm në të hyrat e veta.

    “Në totalin e të ardhurave të realizuara të komunave, me peshën më të madhe prej 50 për qind e zënë fondet e marra nga pushteti qendror në bazë të bllok-granteve për financimin e shpenzimeve korrente dhe pagave e të punësuarve në fushën e arsimit, mbrojtjes së fëmijëve, kulturës dhe mbrojtjes nga zjarri. Gjithashtu 38 për qind janë të hyra vetanake, 6 për qind janë të hyra nga tatimi i transferuar dhe 2 për qind janë të hyra nga veprimtari vetëfinancuese”, thuhet në Raport.

    Me auditimin e kryer, auditorët kanë fituar siguri të arsyeshme se të hyrat vetanake të realizuara të komunave kanë shënuar rënie për 15.2 për qind në vitin 2022, në krahasim me vitin paraprak dhe shuma e tyre prej 8 mijë denarë për kokë banori nuk është e mjaftueshme për krijimin e politikave efikase në mënyrë që për ofrimin e shërbimeve cilësore për qytetarët.

    “Në totalin e të ardhurave të realizuara të komunave, me peshën më të madhe prej 50 për qind e zënë fondet e marra nga pushteti qendror në bazë të bllok-dotacioneve për financimin e shpenzimeve korrente dhe pagave”, tregon analiza e Revizorëve.

    “Në Maqedoni të gjitha komunat kanë kompetenca të njëjta, në kushte të kapaciteteve të ndryshme gjeografike, demografike dhe socio-ekonomike. Masat e marra në drejtim të rritjes së të hyrave vetanake të komunave paraqesin bazë solide për gjendjen më të mirë financiare të tyre, por ende nuk mjaftojnë për të kryer me sukses përgjegjësitë e tyre ligjore. Për këto arsye, një pjesë e kompetencave financohen përmes dotacioneve nga qeveria qendrore dhe donacioneve të dhëna nga burime ndërkombëtare”, konkludojnë auditorët. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Ashensorët për Spitalin e Tetovës, para Vitit të Ri?!

    Lajmi i rradhës

    Çerdhja e Dibrës e ngushtë për fëmijët

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë