Ashensorët për Spitalin e Tetovës, para Vitit të Ri?!

    Ashensorët e Spitalit të Tetovës do të jenë plotësisht funksional para Vitit të Ri. Kështu thotë ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti, i cili bëri me dije se puna e ashensorëve do të rregullohej më herët nëse nuk do të ishin stërzgjatur procedurat burokratike të përpilimit të dokumentacionit të nevojshëm.

    “Procedurat janë në proces, duhet të presim edhe dy muaj përafërsisht. Pra, këta nuk janë punë për të cilët vendos unë apo që varen prej meje. Megjithatë mendojmë se para Vitit të Ri ashensorët do të jenë të montuar në vend”, tha ministri Mexhiti, ndërsa informoi se së bashku me drejtorin e ri të Spitalit Klinik të Tetovës, Ilir Demiri, po bëjnë çmos që sa më shpejtë të zgjidhin këtë problem të kamotshëm me ashensorët.

    Numri një i dikasterit të Shëndetësisë ka bërë të ditur se edhe pse disa ashensorë janë dërguar për riparim, megjithatë kjo nuk jep shpresë se ata do të punojnë gjatë kohë, prandaj nevojiten ashensorë të ri. Vjetërsia e tyre është shumë e madhe prandaj edhe mirëmbajtja kushton shumë.

    “Gjithsesi procesi është në prokurim. E dini, sepse e kam deklaruar që në fillim se këta janë procedura që unë nuk i lakmoj shumë. Janë procedura burokratike, por sido që të jetë, ashensorët e vjetër ishin të pariparueshëm. Ne dërguam disa ekipe servisimi, por nuk arritëm dot t’i shpëtojmë. Me ardhjen e kolegut tim shumë të respektuar, doktor Ilirit si drejtor i Spitalit Klinik të Tetovës, ai i riparoi disa dhe i ka servisuar, por kjo nuk do të thotë se këto ashensorë kanë një jetëgjatësi për shkak të vjetërisë”, tha ministri i Shëndetësisë.

    Nga 12 ashensorë në hapësirat e Spitalit Klinik të Tetovës, pesë janë jofunksional. Sipas informacioneve jozyrtare, tenderi për ndërrimin e pesë ashensorëve është në procedurë, ndërsa po pritet afati i ankesave nga firmat që kanë aplikuar. Në dokumentacion mësohet se qëndron neni që parasheh se nga marrja e tenderit e deri në përfundim, kompania fituese do të ketë 1 muaj afat për përshtatjen dhe montimin e 5 ashensorëve. Problemi me ashensorët në Spitalin Klinik të Tetovës është i kahershëm. Shpeshherë ka patur ankesa se për shkak të mos funksionimit të tyre, qytetarët janë keqtrajtuar duke u ngjitur shkallëve me familjarët e tyre të sëmurë. /koha/

    Lajmi Paraprak

    GJERMANI, NA PRIT SE ERDHËM! Shifra të frikshme të shpërnguljeve

    Lajmi i rradhës

    Komunat në RMV me borxhe dhe pak investime

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë