Konkurset për psikolog, defektolog dhe logoped nuk arritën të plotësojnë numrin e nevojshëm në shkolla

    Logopedi, defektologu dhe psikologu si funksione të rëndësishme për arsimin inkluziv në çerdhe dhe shkolla mungojnë në shumë prej tyre. Konkurset e shpallura nga shkollat për këto tre detyra nuk arritën të plotësojnë numrin e nevojshëm në institucionet e arsimore. Logopedja, Sara Nuredin Ramadani tha se është shqetësues numri i fëmijëve, posaçërisht të moshës parashkollore të cilët kanë nevojë për shërbime nga logopedi.

    “Logopedi do të kishtë ndihmuar fëmijën në trajtim individual që ai të formon fjali, të thotë fjalë dhe pastaj në shoqëri më fëmijët e tjerë ai të din të ndërvepron dhe të din se si të komunikon me fëmijët e tjerë. Nëse komunikimi dhe ndërveprimi është I dobët atëherë fëmija nuk do të ketë vetëbesim, do të largohet, do të mbyllet në vete dhe nuk do të bashkohet me fëmijët e tjerë. Pasojat janë se fëmijët kanë koncentrim të ulët, në komunikim janë shumë të dobët, nuk mund të komunikojnë dhe nuk mund të formojnë fjali në përputhshmëri më moshën që kanë, nuk kuptojnë pyetje, nuk bëjnë pyetje”, tha Sara Nuredin Ramadani, logopede.

    Mes tjerash, misioni i psikologut ndihmon fëmijën në tejkalimin e gjendjeve dhe situatave psikoemocinale, tejkalimin e frikës, ankthit dhe pasigurisë në situata e momente të caktuara. Sipas psikologes Hatixhe Sefa çerdhet dhe shkollat me numër të madh të fëmijëve madje duhet të kenë më shumë psikologë të angazhuar.

    “Një psikolog me një numër aq të madh të nxënësve apo të fëmijëve parashkollor është I pamjaftueshëm sepse me siguri përgjatë atij procesi paraqitet nevoja, përveç vlerësimit të fëmijëve edhe për këshillim të prindërve, udhëzime të ndryshme poashtu edhe për trajtim psikologjik individual. Kohën e fundit është me të vërtet shqetësues fakti që në rritje e sipër, në numër më të madh është prania e fëmijëve me çrregullimin e spektrit të autizmit. Mos të harrojmë ta themi që trajtimi individual në moshën e hershme luan rolin kyç”, deklaroi Hatixhe Sefa, psikologe.

    Florenta Xhaferi kujtoi prindërit se defektologu duhet kontaktuar nëse fëmija ka çrregullime të sistemit muskuloskeletal, çrregullime në zhvillimin e aparatit vizual ose dëgjimor dhe të tjera.

    “Nëse një fëmijë ka disleksi ose disgrafi punohet në atë pjesë me metoda të ndryshme që ti lehtësohet puna ose procesi i mësimit. Përdoren metoda të ndryshme që ti lehtësohet mësimi.
    Komunikimi është marrëdhënie, për të qenë komplet komunikim duhet të jetë marrëdhënie, duhet që fëmija të ketë një person para. Prej atij personi të mësoj e të shoh artikulimin e saktë të fjalëve, të dalloj emocionet që i shfaq personi para e këto janë mungesë te pjesa e teknologjisë ose videot që shohin fëmijët zakonisht dhe kjo automatikisht shkakton një problematike që në fillimet e komunikimit ku komunikimi më s’është marrëdhënie”, shtoi Florenta Xhaferi, defektologe.

    Mungesa e këtyre shërbimeve nëpër çerdhe dhe shkolla për fëmijët që kanë pengesa të ndryshme në zhvillim detyron prindërit të kërkojnë zgjidhje në institucione private, kostoja e të cilave nuk është e përballueshme për të gjithë. Si pasojë një pjesë e fëmijëve me probleme në zhvillim nuk marrin asnjëherë trajtimin e nevojshëm. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Autobusët privat përsëri nga sot do të fillojnë me protesta

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë