Kosova me projektligj për sanksione ndaj shkelësve të huaj të të drejtave të njeriut

    Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin për sanksionet e shënjestruara kundër shkelësve të huaj të të drejtave të njeriut, që ka për synim avancimin e sanksioneve ndërkombëtare, apo siç njihet ndryshe, Akti Magnitsky.

    Kosova ka miratuar më 2020 Akti Magnitsky, duke u bërë shteti i parë në rajon që miraton një legjislacion të tillë.

    Në mbledhjen e Qeverisë të mbajtur më 20 korrik, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se me këtë projektligj mbështetet demokracia, sundimi i ligjit dhe respektimi i të drejtave të njeriut në përputhje me parimet e të drejtës ndërkombëtare.

    Ndërkaq, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, sqaroi disa prej çështjeve më të rëndësishme të këtij projektligji dhe shtoi me këtë legjislacion, shteti rreshtohet përkrah shteteve demokratike që kanë në fuqi legjislacion të ngjashëm.

    “Disa prej çështjet më të rëndësishme që i trajton Projektligji për sanksionet e shënjestruara kundër shkelësve të huaj të të drejtave të njeriut janë si vijon: Përcaktimi i kritereve dhe procedurës për vendosjen dhe heqjen e sanksioneve të shënjestruara kundër shkelësve të huaj të të drejtave të njeriut dhe kryerësve të huaj të veprave të rënda të korrupsionit; janë vendosur llojet e sanksioneve të shënjestruara të cilat iu vendosen shkelësve të huaj të të drejtave të njeriut dhe kryerësve të huaj të veprave të rënda të korrupsionit; është siguruar mjeti juridik si dhe të drejtat procedurale për personin e shënjestruar; janë përcaktuar dispozitat ndëshkimore për subjektet të cilat nuk veprojnë përkitazi me obligimet e përcaktuara me këtë ligj”, tha Haxhiu.

    Akti Global i Përgjegjshmërisë për të Drejtat e Njeriut, i njohur si Akti Magnitsky, përfshin sanksionet e qeverive ndaj individëve të huaj që kanë kryer shkelje të të drejtave të njeriut ose janë të përfshirë në korrupsion. Ky legjislacion derivon nga Akti Magnitsky, që fillimisht ishte miratuar më 2012 në Shtetet e Bashkuara, pas ekzekutimit të Sergei Magnitsky, në vitin 2009 në Rusi.

    Që atëherë, shumë shtete perëndimore, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Kanadanë dhe Bashkimin Evropian, kanë miratuar legjislacion të ngjashëm. /REL/

    Lajmi Paraprak

    VMRO-DPMNE i kërkon përgjegjësi Filipçes për rastin “Zhan Mitrev”

    Lajmi i rradhës

    Rusia mbetet furnizuesja më e madhe e naftës në Kinë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë