Dy problemet themelore të arsimit të lartë publik në Kosovë

    Arsimi i lartë është bërë një temë mjaft e përfolur në diskutimet publike. Duke anashkaluar llafet që përlavdërojnë ose kritikojnë universitetet në Kosovë, është një çështje specifike që ka mbizotëruar në debatin publik rreth arsimit të lartë, ajo e mungesës ose numrit të vogël të publikimeve shkencore të profesorëve universitarë. Ky konsiderohet një ndër problemet më të mëdha të arsimit të lartë në Kosovë. Ky konstatim është marrë si bazë për të orientuar edhe politikat universitare të avancimit të mësimdhënësve universitarë në thirrje akademike.

    Problemi i arsimit të lartë reduktohet sipas këtij skenari: “Kemi problem me arsimin e lartë”, vëren me plot të drejtë një i informuar. “Problemi me arsimin e lartë është se profesorët nuk kanë botime shkencore në periodikë të listuar në indekse të caktuara”, thotë një i ngutur. “Le të botojnë profesorët në periodikë ndërkombëtarë të indeksuar, se ndryshe nuk avancohen në thirrje akademike”, thonë me tendencë qeveritë dhe udhëheqësit e universiteteve.

    Si profesor universitar, dua të ofroj kontributin tim në debatin për problemet e arsimit të lartë, duke vënë në pah mangësitë e kësaj pikëpamjeje dhe përdorimin tendencioz të saj. E kuptoj mirë rëndësinë e botimit në periodikë që dorëshkrimet i shqyrtojnë sipas standardeve rigoroze profesionale para se t’i botojnë ato. E kuptoj, gjithashtu, rëndësinë e madhe që universitetet tona të botojnë në periodikë ndërkombëtarë, në mënyrë që të bëhen pjesë e diskutimeve dhe rrjedhave shkencore globale.

    Megjithëkëtë, nga puna si pedagog në Universitetin e Prishtinës (UP), kam mësuar se ky pretendim nuk prek thelbin e problemeve më të thella dhe urgjente të arsimit të lartë në vendin tonë, andaj si i tillë është pretendim i kotë dhe madje tendencioz. Problemet në universitete publike e private janë të ngjashme, megjithatë në këtë shkrim do të ndaj përvojën time personale në UP.

    Problemi themelor i universiteteve në Kosovë është mungesa e dy elementeve themelore që e përbëjnë një universitet: 1) librat shkencorë dhe 2) kërkimet shkencore. Librat shkencorë nuk mbështeten, ndërsa kërkimet shkencore mbështeten jo mjaftueshëm.

    Prandaj shtrohet pyetja, si mund të ketë studime të larta pa literaturë dhe pa kërkime shkencore?! Si mund të meritojë emrin “universitet” një bina që nuk boton libra dhe nuk kryen kërkime shkencore?!

    Pa literaturë shkencore, të përkthyer ose autoriale, dhe pa kërkim shkencor, universiteti degradohet në shkollë të mesme, duke kërcënuar kësisoj edhe vetë idenë e universitetit. Arsyeja është e thjeshtë: nuk mund të ketë studime të larta me libra leximi, me një a dy tekste mësimore përmbledhëse për një lëndë ose, për më keq, vetëm shënime përmbledhëse a pika nga prezantimet në Power Point. Tjetra, dhe po kaq thelbësore, pa komponentin e kërkimit shkencor universiteti nuk mund të prodhojë dije, por vetëm ta bartë dijen e vjetër ose ekzistuese, që buron nga universitetet dhe komunitetet e tjera akademike te studentët e tij.

    Me gjithë problemet ekzistuese, nuk ka pasur ndonjë nismë serioze nga institucionet përkatëse për ta ndryshuar këtë qasje. Cila qeveri, cili ministër, cili deputet, cili politikan deri më tani ka ngritur zërin përnjëmend për këtë problem, ose është angazhuar për ta mbështetur librin shkencor ose kërkimin shkencor?!

    Është e kuptueshme se politikanët nuk kanë interes politik t’i rreken rrugës së gjatë e të vështirë të mbështetjes së librit dhe kërkimit shkencor, për faktin se rezultatet nuk shihen menjëherë (çfarëdo politike në sistemin arsimor jep rezultate vetëm pas dekadash), rrjedhimisht nuk gjenerojnë vota.

    Mirëpo, për të pasur standard universitar, dikush duhet të nisë ndryshimin e kësaj gjendjeje dhe të hedhë farën që të mund ta korrin brezat e ardhshëm. Dhe prej ku tjetër përveç universiteteve duhet të vijë një kërkesë e tillë? Por cili udhëheqës i universitetit tha, përnjëmend dhe me ngulm, se na duhet literaturë, na duhen përkthime, botime autoriale, si dhe infrastrukturë, kushte, kohë, energji, ndërlidhje, organizim e financim të kërkimit shkencor?!

    E meta e të qenit mësimdhënës në UP është se duhet ligjëruar shumë, të mbahen provime shumë dhe të mentorohen shumë punime të studentëve. Veç këtyre, edhe të botosh ndonjë artikull shkencor, me çdo kusht në periodikë shkencorë të listuar në indekse të caktuara. Kur do të kujtohen udhëheqësit e universiteteve që për të botuar libra dhe artikuj në periodikë shkencorë, duhen kërkime shkencore, komunikim me komunitetin e jashtëm akademik, si dhe kohë e energji e kursyer nga mësimdhënia dhe vlerësimi i studentëve?!

    Derisa kjo pyetje të mbetet retorike, botimi shkencor i profesorëve të universiteteve tona metet një mashtrim që përgjegjësit, nga qeveritë që shkojnë e vijnë e deri te drejtuesit universitarë, shtiren se po mërziten për të, sa herë që u duhet ta heqin përgjegjësinë prej vetes, e ta hedhin te hallkat më të ulëta të zinxhirit të përgjegjësisë, domethënë te profesorët “dembelë dhe injorantë”, të cilët “nuk botojnë jashtë vendit”.

    Por, si mund të presë botime shkencore një universitet që i ngarkon profesorët e tij me përgatitjen e syllabuseve dhe ligjëratave për një dyzinë lëndësh universitare (për shumicën e të cilave nuk ka literaturë as në gjuhën amtare, as në lingua francan e shkencave në bibliotekën e tij), që i ngarkon me qindra orë ligjërata dhe me vlerësim të mijëra punimeve e testeve të studentëve në vit?!

    Nuk do mend që, në mungesë të rezultateve dhe gjetjeve nga kërkimi shkencor, që — në rastin më të mirë — ekziston vetëm në deklarata e premtime elektorale të politikanëve, mundësitë për të botuar diçka me vlerë janë të kufizuara.

    Nëse drejtuesve të shtetit dhe të UP-së u bën për arsimin e lartë, do të mendonin për reforma e mbështetje të ndjeshme, jo vetëm me qasje ndëshkuese (duke mos i promovuar mësimdhënësit universitarë në thirje akademike), por edhe me qasje afirmuese. Kjo mund të bëhet përmes përkrahjes së profesorëve, mbështetjes së nevojave të tyre për zhvillim profesional, gjallërimit të politikave të rekrutimit të profesorëve të rinj, krijimit të kushteve për hulumtime dhe botime shkencore dhe mbështetjes së tyre, duke investuar në qendra, institute dhe programe hulumtuese e botuese, duke ndihmuar lidhjet dhe bashkëpunimit me universitetet dhe institucionet akademike në botë, mes të tjerash. /Sbunker/

    Lajmi Paraprak

    Zyrtare: Antonio Rudiger, lojtar i ri i Real Madridit

    Lajmi i rradhës

    Ku i merr paratë BDI në kohë krize për koncertin mijëra eurosh?!

    Lajme tjera

    Gorilla

    BEN ANDONI Eksperimenti social që lid het me këtë subjekt nuk ka aq lidhje me gorillën, por me…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë