Kreditë nuk ndalen, bankat në RMV nuk kanë krizë!

    Të dhënat e fundit të Bankës Qendrore tregojnë se vazhdon të rritet borxhi i qytetarëve ndaj bankave. Bile në muajin shkurt të këtij viti po shënojnë rritje prej 12.3 për qind kreditë banesore në raport me muajin shkurt të vitit të kaluar. Rritje të mëtejshme me 6.3 për qind shënojnë edhe kreditë konsumatore. Me fjalë të tjera nuk ka krizë për kreditë, ndërsa qytetarët në mënyrë masovike po hyjnë në huamarrje të reja për të blerë banesa dhe për të kapërcyer hendekun midis të ardhurave mujore dhe harxhimeve që nuk plotësohen nga pagat e rregullta.

    Bile edhe pasojat negative të pandemisë ndaj ekonomisë së bashku me luftën në Ukrainë dhe tronditjet që shkaktoi kriza energjetike, nuk kanë ndalur kreditimin e qytetarëve, por përkundrazi kanë rritur atë.

    Kreditimi për kreditë konsumatore është rritur nga afër 1.5 miliard euro në shkurt të vitit 2020 në mbi 1.8 miliard euro në shkurt të këtij viti. Gjithashtu rritje të madhe kanë shënuar edhe kreditë banesore në këtë periudhë trevjeçare nga afër 854 milionë euro në mbi një miliardë e 240 milionë euro.

    Eksperti ekonomik Neritan Turkeshi thotë se rritja e kredive për amvisëritë mund të shqyrtohet në më shumë aspekte.

    “Rritja e borxheve të qytetarëve ndaj bankave tregon se në këtë kohë krize është vështirë të mbijetohet pa hyrje në borxh qoftë për kredi konsumatore, minuse në kartelë apo me hyrjen në borxhe përmes kredive të shpejta. Në të njëjtën kohë bankat preferojnë të kreditojnë qytetarët më shumë në raport me biznesin për shkak se bëhet fjalë për shuma më të vogla të kredive tek të cilat ekziston rreziku më i vogël i mos kthimit të tyre. Bankat gjithashtu kanë tepricë mjetesh që duhet ti plasojnë diku me qëllim që të realizojnë të ardhura”, shton Turkeshi.

    Kreditë banesore po rriten edhe si rrjedhojë e zgjidhjes së çështjes banesore të më shumë familjeve që arrijnë të grumbullojnë një pjesë të parave të gatshme për blerjen e banesës, ndërsa pjesën tjetër e financojnë me kredi për 20 apo më shumë vite si dhe përcaktimit të tyre të paguajnë këstet mujore në banka në vend të qirasë mujore. Njëherësh edhe ardhja në Shkup e banorëve nga e gjithë Maqedonia dhe mos zhvillimi i barabartë rajonal ka ndikuar në rritjen e kredive banesore, konstaton Turkeshi.

    Sipas tij në aspektin e vendit rritja e kreditimit si banesore ashtu edhe konsumator e rrit edhe konsumin apo edhe blerjen e mobiljeve, pajisjeve të ndryshme, aparateve shtëpiake, e kështu me radhë që në mënyrë të drejtpërdrejtë ndikon edhe në rritjen ekonomike, andaj është për tu përshëndetur një politikë e tillë e bankave që vazhdojnë me trendin e rritjes së kreditimit të popullatës. Gjithashtu, kreditë për banesa të bankave janë relativisht të sigurta sepse janë të siguruara nga apartamenti që financojnë, shton ai.

    Nga ana tjetër, në kohët e fundit nuk ka të ndalur as ndërtimi në vend si rrjedhojë edhe e nevojës së qytetarëve që tepricën e të hollave të investojnë në patundshmëri për të mos humbur vleftën paraja në një kohë të inflacionit dhe paqartë sive ekonomike. Edhe kërkesa në rritje së bashku me rritjen e kostos së materialeve ndërtimore dhe mungesës së fuqisë punëtore, ka rritur çmimet e një metri katror për 20 deri në 30 për qind, sidomos në Shkup.

    Në mungesë të ndonjë mënyre tjetër të investimit, blerja e patundshmërive vlerësohet si më e sigurt si në periudhën e tanishme ashtu edhe për atë të ardhshme. Në periudhën e fundit kemi edhe një trend të blerjes së banesës që shikohet si mjet investimi që do të kthejë të hollat me kalimin e kohës.

    “Qytetarët që kanë para të gatshme i investojnë ato në blerjen e apartamenteve për t’i dhënë më pas me qira. Ata udhëhiqen nga logjika se është më mirë të investosh paratë në prona të paluajtshme sesa t’i mbash në bankë, sepse interesat e depozitave të kursimeve kanë rënë”, thotë Nikolla Vellkovski njohës i ndërtimtarisë.

    Sipas tij, qytetarët preferojnë të investojnë paratë e tyre në diçka që është më e sigurt dhe që mund tu sigurojë atyre një kthim më të shpejtë të investimit. Për këtë arsye është rritur kërkesa në treg dhe çmimi për metër katror, shton ai.

    Nga shtëpia konsulente “Forton”, vlerësojnë se edhe pse me një shkallë relativisht të ulët të kthimit nga investimi në krahasim me format e tjera të investimit, investimi në blerjen e banesave akoma paraqet formën më të sigurt dhe më tërheqëse të investimit për qytetarët e Maqedonisë së Veriut.

    Nga atje shtojnë se në periudhën 2019-2022 shënohet rritje e çmimit të banesave, mirëpo që ka ndodhur jo me të njëjtën shkallë në komuna të ndryshme. Shtrenjtimi i banesave në periudhën e kaluar vjen si rrjedhojë e shtrenjtimit të materialeve të ndërtimit dhe për shkak të disbalansit apo mungesës së balancit në ofertë dhe kërkesë. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Arsimi në RMV, i cunguar!

    Lajmi i rradhës

    Uzurpime dhe ndërtime pa leje në Dibër!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë