Kriza ekonomike ka thelluar varfërinë menstruale

    Përkundër nevojës esenciale dhe të pashmangshme higjienike dhe mjekësore, shteti vazhdon t’i cilësojë produktet menstruale si diçka luksoze, kështu duke i tatimuar me 15 për qind dhe kjo rrit çmimin e tyre. Kriza ekonomike dhe inflacioni kanë thelluar varfërinë menstruale, duke bë që jo të gjitha vajzat dhe gratë të kenë qasje në këto produkte jetike për ato ndërsa ndryshimet ligjore të propozuara që do të zgjidhnin këtë problem, flenë në sirtarët e Kuvendit.  Çmimet për pecetat menstruale lëvizin  nga 90 deri në 230 denarë. Teodora Milevska nga organizata joqeveritare “Tiit Int” tha se gratë për çdo muaj harxhojnë deri në 400 denarë për këto produkte.

    “Jemi të vetëdijshëm se problemi me varfërinë menstruale te ne është shumë aktual. Sipas hulumtimit nga Tiit Int dhe Reaktor, një nga tre gra të paktën një herë në jetë nuk ka pasur para për të blerë produkte menstruale ndërsa 70 për qind e të anketuarve harxhojnë deri në 400 denarë në muaj për produkte menstruale që është një shifër e lartë e cila për disa gra është e papërballueshme edhe pse produktet menstruale janë esenciale për shëndetin menstrual të grave dhe vajzave”, tha Teodora Milevska, organizata joqeveritare “Tiit Int”.

    Të dhënat e studimit tregojnë që gratë të cilat nuk kanë pasur para të blejnë produktet menstruale, kanë qenë të detyruara të improvizojnë me pëlhura, peshqirë, letër tualeti ndërsa gjysma e tyre, këtë e kanë bërë më shumë se njëherë. Sipas gjinekologëve, këto metoda kanë rezultuar me pasoja të rënda shëndetësore, deri në përjetimin e shokut toksik dhe në fund me vdekje.

    Nevojën që produktet e higjienës menstruale të tatimohen 5% dhe jo 18 për qind, ashtu si tatimohen alkooli dhe cigaret, organizatat joqeveritare për të drejtat e grave e kanë shprehur në mënyrë të vazhdueshme. Kjo kërkesë edhe pse me vonesë, u pranua nga Ministria e Financave dhe u bë pjesë e reformave tatimore, megjithatë, assesi të miratohet nga Kuvendi.

    “Ju njoftojmë se ulja e taksës për produktet menstruale nga 18% në 5% është pjesë e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për TVSH-në, i cili nga dhjetori 2022 është dërguar në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë për miratim. Zgjidhja ligjore, ndër ndryshimet e tjera, që janë pjesë e konceptit të reformës tatimore, parashikon se për shitjen e produkteve menstruale do të zbatohet norma preferenciale prej 5%, në vend të normës së mëparshme 18%. Projektligji është futur në rendin e ditës të seancës së 95-të parlamentare dhe duhet të shqyrtohet nga Komisioni për Financim dhe Buxhet, pas së cilës do të kthehet në seancë plenare për miratim.”, thonë nga Ministria e Financave.

    Ndryshe, më datë 28 maj të vitit të kaluar në Shkup shumë aktivistë protestuan në rrugë duke i kërkuar shtetit që mes tjerash, të punojë drejt zbutjes së varfërisë menstruale e cila sipas tyre, është një hap më afër barazisë gjinore. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Zendeli: Gostivari për 20 vite qeverisje të BDI-së identifikon varfëri, korrupsion dhe migrim ekstrem

    Lajmi i rradhës

    Gazi Babë, dygjuhësia nuk zbatohet ashtu siç e parashikon Ligji

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë