Kriza energjetike, “zhdukja” e deputetit dhe dështimi i votëbesimit ndaj Qeverisë – ngjarjet e javës në Maqedoni

    Këtë javë që po e lëmë pas, në Maqedoni janë zhvilluar ngjarje politike, të cilat nuk mbahen mend viteve të fundit. Sigurisht që ajo më kryesorja ishte iniciativa për votëbesim ndaj Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, e cila dështoi. Por ajo që zgjoi më shumë interes në opinion ishte ndryshimi i vendimit në momentin e fundit të deputetit Kastriot Rexhepi, i cili vendosi të mos votojë për rrëzimin e Qeverisë, shkruan Nistori.

    Javën e kaluar gjithashtu u shpall gjendje krize në sektorin energjetik në Maqedoni. Të gjitha këto zhvillime, Nistori ua sjell të përmbledhura në një vend.

    Partitë opozitare dorëzuan në Kuvend mocionin për rrëzimin e Qeverisë

    Partia opozitare maqedonase, VMRO-DPMNE, të hënën, më 8 nëntor dorëzoi në Kuvend nismën për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, duke theksuar se kjo nismë ka mbështetjen e 61 deputetëve. Aleksandar Nikollovski nga kjo parti, tha se nisma për rrëzimin e qeverisë së kryeministrit Zoran Zaev është mbështetur nga deputetët e VMRO-DPMNE-së, Lëvizjes Besa, koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa dhe partia “E Majta”. Por, pas dorëzimit të mocionit, deputeti i Alternativës, Skender Rexhepi Zejdi, tha se ai nuk është pjesë e kësaj nisme, pasi në të bën pjesë edhe partia “E Majta”, parti e cila sipas tij, është deklaruar se është anti-perëndimore. Kërkesa e Skender Rexhepit, u pranua dhe deputetët e partisë “E Majta” u larguan nga lista për rrëzimin e Qeverisë, e cila sërish e përditësuar u dorëzua në Kuvend. Pas pranimit të iniciativës, kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi, seancën për të e caktoi për të enjten (11 nëntor) në ora 11:00.

    Qeveria e Maqedonisë shpalli gjendje krize në sektorin energjetik

    Me rekomandimin e Ministrisë së Ekonomisë, Qeveria e Maqedonisë së Veriut të martën (11 nëntor) shpalli gjendje krize në sektorin energjetik, në kohëzgjatje prej 30 ditëve.

    Nga Qeveria e RMV-së thanë se me shpalljen e gjendjes së krizës, nuk do të ketë masa kufizuese që do të ndikojnë negativisht te qytetarët. Qeveria, kriza shpallet me të vetmin qëllim që të mund të injektohen mjete buxhetore, drejtpërdrejt në kompanitë energjetike në vend, duke përfshirë këtu Elektranat e Maqedonisë dhe MEPSO-në për të rritë likuiditetin e tyre. Gjendja e krizës parasheh edhe shkyçjen e të gjitha reklamave ndriçuese. Ndriçimi i rrugëve, shesheve dhe objekteve me karakter publik do të ulet në nivelin minimal, aq sa mos rrezikohet siguria. Po ashtu parashihet ndalimi i përdorimit të energjisë elektrike për ngrohje plotësuese të objekteve zyrtare dhe atyre afariste. Teksa Maqedonia e Veriut po përballet me krizë energjetike, për shkak të problemeve teknike, javën e kaluar pati ndërprerje disaditore të prodhimit të energjisë elektrike në termocentralin e Manastirit. Ekspertët thonë se përderisa shteti mbetet i varur nga tregu i jashtëm sa i përket rrymës, do të jetë edhe më vështirë që të menaxhohet kriza energjetike.

    Seanca për rrëzimin e Qeverisë dhe “zhdukja” e deputetit Kastriot Rexhepi

    Para mbajtjes së seancës ditën e enjte, të gjithë deputetët e shumicës së re në Kuvend u shprehën të bindur se do të votohet interpelanca ndaj Qeverisë së Zaevit. Por e njëjta dështoi, pasi nuk kishte kuorum për mbajtjen e saj dhe votimin e mosbesimit. Të enjten në sallë ishin 60 deputetë të partive VMRO-DPMNE, koalicionit ASH/AAA, Lëvizjes Besa dhe partisë “E Majta”, ndërsa ai që mungoi për të arritur numrat e nevojshëm për rrëzimin e Qeverisë ishte deputeti i Lëvizjes Besa, Kastriot Rexhepi. Pak para orës 11:00 ai u deklarua nëpërmjet rrjeteve sociale, se nuk do të merr pjesë në seancë, me arsyetimin se vendit nuk i duhet krizë e re dhe se shteti duhet të vazhdojë rrugën drejt euro-integrimeve.

    Deputeti i lëvizjes BESA, Kastriot Rexhepi gjithashtu tha se nuk ka dalë në opinion për shkak të kërcënimeve nga individë të caktuar, por pa saktësuar se nga kush kanë ardhur ato.

    “Siguria dhe stabiliteti i vendit, paqja dhe mirëqenia e popullit tonë, definitivisht duhet të jetë gjëja më e rëndësishme për të gjithë ne kryetari Billall Kasami dhe të tjerët nuk kanë nevojë të shqetësohen për mua. Jam në vend të sigurt, jam në anën e duhur, jam me shqiptarët dhe gjithë qytetarët e vendit të cilët dëshirojnë paqe, liri, demokraci. Jam me BE-në, NATO-n dhe jo me qarqet antishqiptare Këtë e thëmë me ndërgjegje të plotë dhe sapo te kalojnë disa rreziqe nga kërcënimet e disa individëve do të paraqitem për të sqaruar të gjithë”, ka thënë Rexhepi përmes një postimi në rrjetin social Facebook.

    Dyshime rreth ndryshimit të qëndrimit të deputetit Kastriot Rexhepi, ngritën të gjitha partitë e shumicës së re, ndërsa kryetari i Lëvizjes Besa Bilall Kasami, e raportoi si të humbur deputetin Kastriot Rexhepi.

    “Nuk kam asnjë komunikim me deputetin. Kam dyshime të bazuara se deputeti mund të jetë i ndaluar përkundër vullnetit të tij. Ai pa vullnet e ka këtë qëndrim. Mbetem pas këtij qëndrimi gjithnjë derisa ai vetë nuk e pohon gojarisht. Nuk kemi informata se ku gjendet. Herën e fundit kemi komunikuar gjatë ditës së djeshme, dhe nuk kam pasur ndonjë sinjal që ai do të vepronte ndryshe”, tha Kasami ditën e enjte.

    Por Rexhepi e përgënjeshtroi atë me anë të një video në Facebook, ku tha se është mirë me shëndet dhe se nuk është i kidnapuar. Kastriot Rexhepi, gjithashtu për nesër (e hënë, 15 nëntor) ka paralajmëruar paraqitje publike dhe sqarim të të gjithë asaj që ndodhi ditën e enjte.

    Çfarë parasheh Kushtetuta për mocionin?

    Sipas Kushtetutës, votëbesimi ndaj qeverisë duhet të përfundojë në të njëjtën ditë. Nëse opozita siguron 61 vota kundër kabinetit të kryeministrit (Zaevit), atëherë qeveria është e detyruar të japë dorëheqje brenda 24 orëve, pas çka fillon afati dhjetëditor për presidentin e shtetit (në këtë rast Stevo Pendarovski), që t’ua japë mandatin për formimin e qeverisë së re partive që do të konfirmojë se kanë të paktën 61 deputetë në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut. Nga ana tjetër, nëse opozita nuk arrin të rrëzojë qeverinë, atëherë në 90 ditët e ardhshme nuk do të mund të paraqesë mocion të ri mosbesimi ndaj qeverisë, nëse së paku 61 deputetë nuk paraqesin iniciativë. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Pocesta për votimin në Dibër: Vërsulja e gjithë Qeverisë na bënë të dyshojmë

    Lajmi i rradhës

    Shumicën e komunave në Kosovë i fiton PDK-ja

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë