Kriza në RMV ka rritur kërkesën për kreditë e shpejta

    Kriza që ka shkaktuar pandemia si dhe kriza energjetike ka rritur kërkesën për kreditë e shpejta. Edhe procedura e shpejtë dhe e thjeshtë e miratimit të tyre bën që ato të jenë tërheqëse për qytetarët.

    “Keni nevojë për para për vetëm disa minuta. Mund të fitoni kredi prej aprovon kredi në kesh prej 2.000 deri 100.000 denarë për personat mbi 18 vjeç, vetëm me letërnjoftim! Lojë shpërblyese për të fituar një aparat të kafes”. Këto janë vetëm një pjesë e ofertës së kredive së shpejta që ofrohen nga dhjetëra shoqëri financiare të regjistruara në vend. Ato jo vetëm që reklamohen në rrjetet sociale, por ofrohen edhe përmes ekraneve televizive.

    Gjithashtu, qytetarët që nuk ju arrijnë pagat apo pensionet që humbin garën me shtrenjtimin e madh të çmimeve, po kërkojnë zgjidhje edhe përmes këtyre zgjidhjeve të shpejta. Sipas llogaritjes në ueb faqet e disa nga kompanive që ofrojnë kredi të shpejta për një shumë prej afër 104 mijë denarë, kësti mujor i kthimit është afër 4300 denarë. Harxhimet administrative janë afër 8000 denarë, kompensimi është 26 mijë denarë dhe kamata është afër 9000 denarë. Një kompani tjetër për një huazim prej 30 mijë denarë në një afat kthimi prej gjashtë muajsh nevojitet që për çdo muaj të kthehen nga 5655 denarë me një kamatë prej 9 për qind.

    Nga Organizata e Konsumatorëve disa herë kanë paralajmëruar për kujdes nga harxhimet shtesë, ndërsa në publikimin “Kuadri ligjor dhe format institucionale për mbrojtjen e konsumatorëve në shërbimet financiare”, thonë se edhe Komisioni Evropian ka paralajmëruar për probleme me kreditë e vogla dhe të shpejta.

    Rezultatet e hulumtimit të Komisionit Evropian tregojnë se probleme më të mëdha shkaktohen nga: kreditë e vogla dhe të shpejta që mund të jenë shumë të shtrenjta dhe që nuk i nënshtrohen regjimit të Direktivës, veçanërisht ato kredi të dhëna nga institucionet jo bankare.

    Edhe ekspertët ekonomik thonë se duhet të bëhet kujdes me harxhimet e ndryshme që merren gjatë kredive të shpejta. Në kohë krizash, këto kredi mundësojnë që qytetarët të marrin borxh që nuk mund të marrin në banka. Njëherësh kemi edhe qasjen më se agresive për tërheqjen e popullatës së prekshme dhe ngarkesën nga harxhimet shtesë që e përcjellin këtë lloj kredie si harxhimet e ndryshme përfshi edhe ato për vonesën e pagesës.“Këto harxhime shtesë ka mundësi që për një kohë të shkurtër edhe të tejkalojnë borxhin kryesor që mund të rrisë koston për popullatën vullnerabël që shpesh merr këtë kredi dhe mund të rrisë edhe varfërinë e tyre. Andaj shtrohet edhe çështja e një mbikëqyrje më të madhe të tyre”, thekson eksperti Borçe Trenovski. Sipas tij, nuk ka dilemë se kompanitë në sektorin e financave edhe duhet të bëjnë garë për klientë dhe të kenë edhe fitime, por megjithatë nevojitet një kontroll më i madh i punës së tyre se në çfarë kushtesh i ofrojnë shërbime e tyre, si mbrohet huamarrësi gjatë marrjes së kredive, dhe kështu me radhë.

    Në ndërkohë të dhënat tregojnë se kontrollet e realizuara ndaj kompanive që ofrojnë shërbime të tilla, tek disa prej tyre janë konstatuar parregullsi, për çka janë shqiptuar edhe dënime.

    Nga Ministria e Financave thonë se gjatë vitit të kaluar janë kryer inspektime në terren në 16 kompani financiare dhe në 10 prej tyre janë konstatuar parregullsi. Tetë nga kompanitë financiare në të cilat janë konstatuar parregullsi duhet të paguajnë gjobë në shumën totale prej 16 mijë euro.

    Në dy shoqëri financiare janë shqiptuar masa-urdhër për heqjen e parregullsive, ndërsa për tetë kompani ku janë konstatuar parregullsi janë shqiptuar gjithsej 13 gjoba në vlerë të përgjithshme prej 16.000 euro dhe 20 masa për heqjen e parregullsi, thonë nga Ministria e Financave.
    Gjobat janë shqiptuar në bazë të Ligjit për mbrojtje të konsumatorëve gjatë nënshkrimit të marrëveshjeve për kredi konsumatore.
    Në rrjedhë e sipër është edhe ndryshimi i Ligjit për shoqëri financiare që duhet të rrisë edhe më tej mbrojtjen e qytetarëve që përdorin shërbimet e këtyre kompanive financiare si dhe rrisë besimin në këto kompani. “Objektivi kryesor i ndryshimeve është që shoqëritë financiare të përfaqësojnë institucionet financiare që ofrojnë alternativë ndaj punës së bankave dhe jo vetëm shoqëritë që ofrojnë kredi afatshkurtra për popullatën duke forcuar kuadrin rregullator për funksionimin e shoqërive financiare duke rritur mbrojtjen e qytetarëve shfrytëzues të kredisë, rregullimi i aktivitetit financiar-faktoring dhe rregullimi i mbikëqyrjes ndaj shoqërive financiare”, thuhet në Propozim ligjin e dorëzuar në Parlament.

    Ndryshimet u miratuan nga qeveria në dhjetor të vitit të kaluar dhe janë dorëzuar në Parlament në fund të muajit janar për procedurë të mëtejshme dhe miratim nga ana e deputetëve.

    Me ndryshimet ligjore që do të hynë në fuqi në muajt në vijim, shfuqizohet mundësia e marrjes së një kredie për mbylljen e një kredie që vjen për pagesë në të njëjtën shoqëri financiare. Shoqëria financiare nuk do të jetë në gjendje të lidhë një marrëveshje kredie konsumatore nëse kostot që nuk përfshihen në normën vjetore të kostove totale kalojnë 60 për qind të shumës së kredisë së miratuar.

    Përcaktohet edhe shuma maksimale e të gjitha kostove që lidhen me kredinë dhe tarifat i referohen të gjitha kostove që konsumatori i paguan ose ka detyrimin të paguajë gjatë gjithë periudhës së vlefshmërisë së kontratës, të cilat rrjedhin ose lidhen në ndonjë mënyrë me kontratë për kredinë konsumatore ose shërbime të ngjashme. Bastoret dhe të ngjashme nuk do të mund të ofrojnë kredi.

    Rritet edhe mbikëqyrja e shoqërive financiare, ndërsa për mos respektimin e dispozitave ligjore parashikohen gjoba prej 8.000 deri 10.000 euro. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Ndërkombëtarët rrisin presionin ndaj Shkupit për ndryshimet kushtetuese

    Lajmi i rradhës

    Superjahti i krijuar për të qenë “praktikisht i padukshëm”

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë