Superjahti i krijuar për të qenë “praktikisht i padukshëm”

    Zakonisht është e vështirë të mos vërehet një superjaht, por ky koncept i ri nga Jozeph Forakis Design, në fakt është krijuar për t’u ‘zhdukur’.

    I përshkruar si “praktikisht i padukshëm”, si në dizajn ashtu edhe në ndikimin mjedisor, koncepti 88 metra i gjatë Pegasus do të jetë superjahti i parë i printuar 3D në botë, sipas projektuesit, raporton CNN.

    Anija e madhe do të ketë “krahë” me xhama që do të pasqyrojnë rrethinën e saj në përpjekje për t’i mundësuar asaj të përshtatet me ambientin.

    Superstruktura e superjahtit do të pajiset me panele diellore që do të fuqizojnë elektrolizuesit, të cilët do të nxjerrin hidrogjenin nga uji i detit.

    Hidrogjeni më pas do të shndërrohet në energji elektrike, e cila ruhet në bateritë litium-jon që mund të përdoren për të fuqizuar sistemet operative dhe pajisjet, transmeton Telegrafi.

    Koncepti Pegasus do të prodhojë zero emetime të gazeve dhe sipas Forakis, ai këtë model e kishte ëndërruar ndërsa e vizitonte një plazh në Greqi.

    “Unë u frymëzova për të krijuar një jaht sa më afër detit dhe natyrës”, thotë ai.

    “Doja të nderoja natyrën duke u përzier në të, duke u bërë praktikisht e padukshme”, shtoi Forakis.

    Zero emetime

    Ai vazhdon të shpjegojë se superjahti do të ndërtohet duke përdorur printim robotik 3D “për të krijuar një kornizë rrjete që integron të dy – trupin dhe superstrukturën”, e cila do të kërkojë “më pak energji, materiale, mbeturina, hapësirë dhe kohë” sesa një anije tradicionale.

    Sa i përket pjesës së brendshme, Pegasus do të ketë pajisje të ndryshme, duke përfshirë një pishinë të stilit akuarium. Ekziston edhe një vaskë e madhe me ujë të nxehtë dhe ballkone të palosshme.

    Karakteristika e brendshme është “Pema e Jetës”, e cila shtrihet në të katër kuvertat dhe është e lidhur me një shkallë spirale. Në thelb, shërben si një kopsht hidroponik, i cili na furnizon me ushqime të freskëta dhe për pastrimin e ajrit.

    Pra, cilat janë shanset që koncepti Pegasus të bëhet realitet në një të ardhme jo shumë të largët?

    Sipas ekipit të Jozeph Forakis Design, projekti është zhvilluar sipas një filozofie, “fakt shkencor, jo trillim” ndërsa teknologjitë kryesore të kërkuara për ta sjellë atë në jetë do të kërkojnë “evolucion të mëtejshëm” për ta ndërtuar atë.

    Dizajn inovativ

    Forkais vlerëson se koncepti do të marrë pesë deri në shtatë vjet kohë për t’u ndërtuar dhe shpreson që të prezantohet deri në vitin 2030.

    “Tani është koha për hapa të guximshëm drejt të ardhmes sonë të qëndrueshme kolektive”, shton Forakis.

    “Pegasus është një vizion i guximshëm, por i arritshëm për të ardhmen e afërt të industrisë së superjahteve, ku njeriu dhe makina jetojnë në harmoni me natyrën në vend që ta konkurrojnë apo kompromentojnë atë”, pohoi ai.

    Gjersa studioja e dizajnit me sa duket ka marrë tashmë “disa” oferta serioze nga blerësit, Pegasus aktualisht mbetet vetëm një koncept në letër.

    Koncepti inovativ është një nga sërë modelesh të reja emocionuese të superjahteve që janë prezantuar muajt e fundit.

    Në fillim të këtij viti, studio italiane, Lazzarini Design Studio prezantoi Plectrum, një anije “fluturuese” 74 metra e gjatë që mund të ngrihet mbi sipërfaqen e ujit.

    Ndërkohë, studio spanjolle Rodriguez Design prezantoi kohët e fundit Catalina-n, një koncept superjaht me pesë kuverta dhe në sy bie një vaskë gjigante.

    Lajmi Paraprak

    Kriza në RMV ka rritur kërkesën për kreditë e shpejta

    Lajmi i rradhës

    Mos e kapni në këtë mënyrë beben, gjëja më e rëndësishme është të vendosni duart në këto dy vende

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë