Ku ka gabuar Rusia gjatë 31 viteve pas shembjes së Bashkimit Sovjetik?

    Victor Davidoff
    “Moscow Times”

    Në vitin 2022, përvjetori i revolucionit fitimtar të gushtit 1991 në Rusi sjell vetëm një zhgënjim të hidhur që kalon deri në depresion. Në 31 vjet, vendi ka marrë trajektoren e paimagjinueshme nga demokracia e re në një fashizëm të plotë. Kjo pasi janë shkatërruar të gjitha mekanizmat e qeverisjes përfaqësuese.

    Rezultatet e zgjedhjeve shkruhen nga një kompjuter sipas një algoritmi të paracaktuar. Gjyqësori i pavarur është shkatërruar. Media e pavarur po ashtu. Opozitarët arrestohen dhe helmohen me armë kimike. Mbretërimi i territoreve përfshin të gjithë vendin.

    Njerëzit nxirren në gjyq vetëm pse kanë përhapur slogane si “Paqe!” apo “Jo luftës”. Ata arrestohen në rrugë edhe nëse mbajnë veshur atlete blu dhe të verdha (ngjyrat kombëtare të Ukrainës) apo nëse vendosin thonjëzat në vendin “e gabuar” në një postim të tyre në rrjetet sociale.

    As Gestapoja dhe as xhelatët stalinistë të NKVD – që ishin aq represivë sa mund ta imagjinoni – nuk mund ta kishin ëndërruar diçka të tillë. Historia e sëmundjes dhe vdekjes së demokracisë ruse është e njohur. Ajo filloi shumë përpara se koloneli i KGB-së Vladimir Putin të bëhej president i vendit në vitin 2000.

    Në fakt, edhe para se të dilte në skenë Federata Ruse. Më 1 dhjetor 1991, Këshilli i Deputetëve Popullorë të Republikës Socialiste Federative Sovjetike Ruse miratoi një moratorium 2-vjeçar për zgjedhjet. Në këtë mënyrë, parlamenti i një shteti (pjesë e Bashkimit Sovjetik) u bë parlamenti i një vendi krejtësisht tjetër (Federatës Ruse).

    Në fund të moratoriumit, parlamenti nuk donte t’i dorëzonte kompetencat e tij, dhe në tetor 1993 vendosi të shkarkonte presidentin Yeltsin. Boris Yeltsin një ish-funksionar i Partisë Komuniste, e kuptonte politikën vetëm si “çështje pushteti” (si Lenini), ndaj dërgoi tanke për të qëlluar kundër parlamentit.

    Në të njëjtën kohë, forcat centrifugale kërcënuan ta shpërbënin federatën. Republika e Çeçenisë u lirua nga qendra federale dhe krijoi forcat e saj të armatosura. Republika e pasur me naftë e Tatarstanit i imponoi Moskës një “traktat të sovranitetit”.

    Në prillin e vitit 1993, banorët e rajonit të madh, kryesisht etnik rus, Sverdlovsk, votuan për krijimin e “Republikës Ural”, miratuan një “kartë” (kushtetutë) dhe madje nxorën monedhën e tyre, “frangën e Uraleve”. Pak më vonë, 4 rajone të tjera fqinje shprehën dëshirën e tyre për t’u bashkuar me “Republikën e Uraleve”.

    Në këtë pikë Yeltsin ndoshta e kuptoi se vendi ishte në prag të kolapsit. Dhe kjo gjë nuk ishte pjesë e planeve apo ideologjisë së tij politike. Pasi qëlloi me tanke ndaj parlamentit, ai paralajmëroi Eduard Rossel, kreun e “Republikës së Uraleve”. Yeltsin e njihte mirë sepse ai kishte qenë kreu i Partisë Komuniste në Sverdlovsk Oblast, para se të shkonte në Moskë, dhe i premtoi se të nesërmen do të dërgonte tanke për të qëlluar edhe mbi të.

    Rossel e kuptoi kërcënimin dhe u nënshtrua. Presidenti i Çeçenisë, ish-gjenerali sovjetik Dzhokhar Dudayev, nuk e kuptoi kërcënimin. Ose ndoshta, ndryshe nga Rossel, i cili kishte vetëm policë të armatosur keq, Dudayev kishte nën komandën e tij mijëra burra të mirë-armatosur dhe të mirë-stërvitur.

    Ushtria ruse e kuptoi këtë shumë shpejt kur u përpoq të pushtonte kryeqytetin çeçen Grozninë dhjetorin e vitit 1994. Lufta e përgjakshme ndaj Çeçenisë gjatë viteve 1994-1995, përbënte varrin e demokracisë ruse, sepse asnjë demokraci nuk mund të ekzistojë nëse shkatërron qytete të tëra, siç po bën sot ushtria ruse në Ukrainë. Pas asaj lufte, Yeltsin-it nuk i mbeti asnjë mbështetje popullore.

    Ndaj ai u detyrua ta kërkonte atë nga ato që quhen “siloviki”, pra ushtria dhe ajo që kishte mbetur nga KGB-ja e dikurshme sovjetike. Në kohën kur u shemb BRSS, KGB-ja nuk ishte thjeshte një polici sekrete. Ajo ishte një forcë politike e fuqishme.

    Duke filluar nga viti 1967, shefi i KGB-së, Yuri Andropov, kishte infiltruar vazhdimisht punonjësit e agjencisë, burra dhe gra, në të gjitha agjencitë qeveritare, ku ata punonin si “agjentë të ndikimit” brenda shtetit të tyre. Për pasojë, deri në vitin 1991, të gjitha ministritë, korporatat e mëdha dhe monopolet u infiltruan nga punonjës të KGB-së që kishin vetëm një besnikëri: ndaj agjencisë së tyre.

    Në organizatat shtetërore, oficerët e KGB-së diktonin politikat; ndërsa tek ato private fitonin  para. Media raportonte shpesh për të ashtuquajturën taksë të 18 përqindëshit – një taksë që në vitet 1990 duhet ta paguanin të gjitha korporatat në llogaritë sekrete të KGB-së.

    KGB-ja u shndërrua në një organizatë të ngjashme kriminale me mafian siciliane, por në këtë rast në një terrritor gjigant sa 1/7 e territorit tokësor të botës. Ata që refuzonin të paguanin, e paguanin me jetë. Kështu në mesin e viteve 1990, nisën të ndodhin një seri vrasjesh dhe vdekjesh misterioze.

    E para që u vërtetua se ishte një vrasje nga një agjent sekrete përmes një arme kimike dhe jo një aksident, ishte vdekja e papritur në vitin 1995 e bankierit Ivan Kivelidi, që kishte financuar partitë politike demokratike (1995). Xhindi sapo kishte dalë nga shishja.

    Njoftimi i Yelstin më 31 dhjetor 1999, se po zgjidhte Vladimir Putin si pasuesin e tij ishte gozhda e fundit në “arkivolin” e demokracisë. Ajo lëvizje shënoi një ndryshim të sistemit të qeverisjes. Republikat nuk kanë “pasardhës”. Dhe nëse e kanë ajo është monarkia.

    Dhe pastaj Putin veproi sipas manualit të njohur të autokratëve. Në fillim, ai shkatërroi gjyqësorin e pavarur. Sot në Rusi nuk zgjidhet asnjë gjyqtar, por vetëm emërohen nga lart. Pastaj e shkatërroi median e pavarur. Më pas shkatërroi zgjedhjet, dhe më tej organizatat joqeveritare.

    Pas kësaj, gjithçka ishte e pashmangshme, përfshirë luftën. Siç e ka treguar shumë kohë më parë Andrei Sakharov, të drejtat e njeriut dhe siguria janë të pandashme, dhe nëse nuk e ke njërën, nuk mund ta kesh as tjetrën.

    A do të thotë kjo se “dritarja e Overtonit” – gama e politikave të pranueshme – është mbyllur përgjithmonë për Rusinë? Sigurisht që jo. Edhe nën shtypjen e vazhdueshme, në Rusi është shfaqur një kulturë e fuqishme, liridashëse, me një inteligjencë të fortë dhe një shtresë të mesme që nuk dëshiron të jetojë sipas rregullave të BRSS apo regjimit të Putinit.

    Vetëm gjatë 2 javëve të para të protestave masive kundër luftës në Rusi, dhjetëra mijëra njerëz marshuan nëpër rrugë dhe sheshe, dhe rreth 17.000 prej tyre u arrestuan. Ciklet e historisë ruse shkojnë nga ngjitja e një sundimtari në fron deri në vdekjen e tij.

    Putini është i sëmurë, këtë e tregon pamja fizike dhe shfaqjet publike, dhe nuk do të jetojë përjetësisht. Me përjashtim të viteve 1980 në Bashkimin Sovjetik, kur gerontokratët u tërhoqën zvarrë gjysmë të vdekur në fron, praktikisht në çdo moment tjetër historik, vdekja e sundimtarit nënkupton një ndryshim të kursit politik. Kursi i ri ishte një raund liberalizimi, i pasuar nga ndryshime politike dhe reforma.

    Siç thoshte dikur studiuesi i famshëm i letërsisë ruse Dmitry Likhachev “Në Rusi duhet jetuar gjatë”. Likhachev e dinte shumë mirë se për çfarë po fliste. Ai kishte qenë i burgosur i kampeve të Stalinit në vitet 1920, por jetoi aq gjatë sa të shihte demokracinë në Rusi në vitet 1990. Pra nëse dështon një revolucion, atëherë duhet të përpiqeni të jetoni sa më gjatë për ta parë suksesin e tij në të ardhmen.

    Shënim:Victor Davidoff , disident sovjetik dhe gazetar i pavarur, autor i librit “Rrethi i Nëntë” (Moskë, 2021), një studim mbi abuzimin e psikiatrisë për qëllime politike në BRSS.

    Lajmi Paraprak

    Pse është zemëruar Kina pas raportit të OKB-së për Ksinjiangun?

    Lajmi i rradhës

    Baerbock: Edhe nëse gjermanët dalin në rrugë për shkak të çmimeve të energjisë, ne do të mbështesim Ukrainën

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë