Dibra ka potencial shumë të mirë për zhvillimin e turizmit. Përveç turizmit banjar, i cili tashmë është në nivele evropiane, Dibra ka mundësi të mëdha edhe për turizmin liqenor dhe malor. Në fushën e turizmit malor janë realizuar disa projekte ndërkufitare mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe janë ndërtuar shtigje malore që përdoren nga bjeshkatarë vendas dhe nga të huaj. Por kohët e fundit kanë filluar të dëmtohen tabelat sinjalizuese dhe infrastruktura informuese, që u shërben vizitorëve për t’u orientuar dhe për t’u njohur me karakteristikat e shtigjeve.
Reagimi i parë ka ardhur nga Shoqata e Bjeshkatarëve dibranë KBC Dibra, e cila dënon ashpër veprimet e individëve apo grupeve që dëmtojnë infrastrukturën informuese në shtigjet malore. Sipas kësaj shoqate, dëmtimet janë përpjekje për të penguar zhvillimin e turizmit malor.

“Kur ngjitesh drejt fshatit Tatar Elevcë të Dibrës, gjatë rrugës shikon tabela sinjalizuese që të japin ndjenjën se Dibra ka potencial të jetë shembull. Në hyrje të fshatit kemi vendosur një tabelë me hartë të madhe, e cila për herë të dytë radhazi jo vetëm që është thyer, por është goditur me gurë edhe harta. Edhe shtyllat përgjatë rrugës janë shtrembëruar dhe shkëputur nga vendi. Çdo tabelë, çdo shtyllë dhe çdo ngjyrosje është vendosur me mund dhe angazhim në terrene të vështira, por e kemi bërë për njerëz normalë”, thuhet në reagimin e kësaj shoqate, e cila me aktivitetet e saj ndihmon drejtpërdrejt zhvillimin e turizmit malor në Dibër dhe më gjerë, në të dy anët e kufirit.

Në seancën e fundit të kryesisë së KBC Dibra është bërë edhe apel që qytetarët të mos dëmtojnë infrastrukturën informuese.
“Ju lutemi të gjithëve që këto akte të ulëta dhe çnjerëzore vandalizmi të marrin fund. Duhet ta kuptojmë se gjithçka që ndodhet jashtë pragut të shtëpisë i përket të gjithëve dhe të gjithë së bashku duhet ta ruajmë dhe ta mirëmbajmë”, thuhet në apelin e tyre.
Njëri nga themeluesit e klubit, Muamedali Egriu, bjeshkatar me përvojë dhe njohës i mirë i maleve, vlerëson se Dibra dhe rajoni i saj, me shtigjet e ndërtuara përmes projekteve, duhet të mirëmbahen sepse paraqesin një mundësi shumë të madhe për zhvillimin e turizmit malor. Sipas tij, kjo pasuri natyrore duhet të tërheqë turistë vendas dhe të huaj. Egriu ka marrë pjesë dhe shpesh ka qenë organizator i ngjitjeve verore drejt majës së Korabit, ku dibranë dhe mërgimtarë nga diaspora shijojnë bukuritë malore.
Shoqatat qytetare që veprojnë në Dibër kanë dënuar dëmtimin e tabelave sinjalizuese në shtigjet malore dhe presin që organet kompetente të zbulojnë autorët e këtyre veprimeve që synojnë të pengojnë zhvillimin e turizmit malor. /Koha/






